Si duhet të votojnë shqiptarët në datën 8 maj?

Zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen ditën e dielë, zyrtarisht do të fillojnë në orën 07.00 të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën 19.00 të pasdites. Shqiptarët do të votojnë për të zgjedhur drejtuesit e 383 njësive vendore të cilët do të drejtojnë për rreth 4 vitet e ardhshme. Në të gjithë vendin, për tu dhënë mundësi të gjithë qytetarëve që të votojnë, janë ngritur 4882 qëndra votimi. Pritet që ditën e nesërme, 3.164.859 votues do t`i drejtohen qëndrave të votimit për të zgjedhur drejtuesit e tyre lokal. Në zgjedhjet për pushtetin lokal janë regjistruar zyrtarisht në KQZ 56 subjekte zgjedhorë, 45 prej të cilave janë grupuar në dy koalicione, një i spektrit të djathtë, "Aleanca për Qytetarin", i cili përfshin 22 parti dhe një koalicion i spektrit të majtë "Aleanca për të Ardhmen", që grupon 23 parti.
Ndërkombëtarët dhe ambasadorët e huaj të akredituar në Tiranë kanë apeluar deri ditën e djeshme për mbajten e një procesi zgjedhor të lirë dhe sipas standarteve europiane. Ndërkohë, fushata zgjedhore është shoqëruar dhe me incidente, që nga plagosja e kandidatëve deri te dëmtimet e zyrave elektorale në Tiranë dhe në disa qytete e komuna të tjera të vendit. Në votime kanë të drejtën që të marrin pjesë të gjithë shtetasit shqiptarë, mbi 18 vjeç, përfshirë këtu edhe ata që mbushin këtë moshë më 8 maj, të cilët kanë të drejtë të votojnë. Për të votuar, duhet të jenë të pajisur me një dokument identifikimi, kartë identiteti dhe pasaportë (edhe jo biometrike, nëse nuk i ka mbaruar afati).