Topalli: Zgjedhjet e lira më të rëndësishme se rezultati

Në takimin me delegacionin e vëzhguesve zgjedhorë të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, kryeparlamentarja Jozefina Topalli, ka theksuar se në 8 maj shqiptarët do votojnë të lirë e me qytetari. Zgjedhjet e lira, të ndershme dhe të paqta janë më të rëndësishme se rezultati i tyre”, theksoi Topalli.
Kryetarja e Kuvendit theksoi se misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë është shumë i rëndësishëm dhe ne jemi të interesuar të kemi sa më shumë vëzhgues, dëshmitarë të ecurisë së procesit zgjedhor.
Gjithashtu Kryetarja e Kuvendit i njohu vëzhguesit zgjedhorë të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës me ecurinë e fushatës zgjedhore dhe punës për mbarëvajtjen e zgjedhjeve.
" Sistemi i numërimit i aplikuar për herë të parë në zgjedhjet e fundit, rezultoi nga më trasparentët dhe jam e bindur se edhe në këto zgjedhje ky proces do të jetë shumë transparent dhe efikas në nxjerrjen e rezultateve. Shumica e kandidartëve, kanë patur një fushatë pozitive dhe të adresuar te qytetari dhe problemet e tyre" , ka pohuar Topalli.
Vëzhguesit zgjedhorë të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, falënderuan Kryetaren e Kuvendit për takimin dhe siguruan se do të kontribuojnë maksimalisht që misioni i tyre të jetë sa më i suksesshëm.