E Diel, 1 Nëntor 2026

Propozimi i opozitës për uljen e TVSH vijon të acarojë kryeministrin

Share

Propozimi i opozitës për të ulur TVSH-në për disa produkte ushqimore bazë duket se po acaron ndjeshëm kryeministrin Sali Berisha. Në seancën plenare të para disa ditëve, ai tha se është më socialist se socialistët, kurse në mbledhjen e sotme të qeverisë, foli i nervozuar, përçart e me pauza të gjata në mes. Berisha tha se opozita po e bën këtë propozim për të ndihmuar të pasurit, në dëm të prodhimit vendas. Por në të vërtetë preku dy plagë të mëdha të Shqipërisë së tij.

E para, hendeku mes të ardhurave. Një raport i Bankës Botërore theksoi para disa kohësh se hendeku mes të pasurve e të varfërve ka ardhur duke u zgjeruar, e jo duke u mbyllur. Dy ditë më parë, emisioni Fiks Fare transmetoi pamje të Berishës në vitin 2010, kur deklaronte në mbledhjen e qeverisë se në Shqipëri në fund të vitit pasardhës, d.m.th 2011, nuk do ketë më asnjë familje në varfëri ekstreme. Më pas u transmetuan pamje të Berishës në seancën parlamentare të pak ditëve më parë, kur deklaroi se vitin tjetër, d.m.th në vitin 2012, nuk do ketë më asnjë familje në Shqipëri në varfëri ekstreme.  Ndërkohë sot në mbledhjen e qeverisë tha se nuk mund të ulet TVSH, pasi shqiptarët nuk kanë vështirësi për bukën e gojës. Pastaj duke iu referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë se vetëm 5 përqind në Shqipëri kanë  të gjithë pasurinë financiare të vendit, Berisha tha se edhe në PS 5 përqind kanë pasuri sa të gjithë socialistët e tjerë.

Së dyti, kjo e TVSH hap një plagë tjetër, atë të mjerimit që ka kapluar bujqësinë e blegtorinë shqiptare. Siç pranon Berisha, në fshat jetojnë 50 përqind e njerëzve, por ne në tregjet kryesore rrallë shohim produkte që vijnë nga këta fshatarë, por kryesisht ushqime importi. Me gafat e tij, Berisha tha se mund të hiqet TVSH për qumështin se nuk ka njerëz që merren më me blegtori, pastaj shtoi se këtu ka njerëz që merren me blegtori. Në momentet e sinqeritetit të tij pranoi se këtu edhe po të duash të merresh me bujqësi, nuk të lë kush në Tiranë. Ai rrëfeu rastin e një fshatari që donte të mbillte një kodër me lajthi, por një burokrat në Tiranë i tha: Çtë duhet ty kjo punë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›