E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si e humbi djalin në luftë

Në një intervistë për gazetaren Rudina Xhunga, kandidati izraelit për çmimin Nobel, David Grossman, flet për botimin e romanit të tij “Gruaja që i Arratisej Lajmit të Keq”në shqip, Romani i kushtohet humbjes së djalit të Grossman në luftë. Express sjellë një pjesë të kësaj interviste.

Ai është aktivist kundër luftës, kandidat për Nobel, izraelit i mirë, shkrimtar, baba që ka humbur djalin në luftë., ndonëse ende gjen forcë që të jetojë edhe për fëmijët e tjerë. Shkrimtari izraelit, David Grossman, flet luftën e mundshme me Iranin, për Jerusalemin, për të shkruarit, për humbjen e djalit të tij në luftë dhe për çlirimin.

Lajmet e fundit janë që në Izrael do të ketë luftë, luftë me Iranin. E afërt kjo?

Di që do të isha i lumtur nëse Irani nuk do të kishte armë bërthamore, duke qenë se në krye të tij ndodhet një njeri i rrezikshëm, i cili e ka thënë hapur që dëshiron ta zhdukë Izraelin. Po di gjithashtu që rruga për të luftuar Iranin nuk është kjo, nuk është rruga ushtarake. Rruga për të luftuar Iranin, sipas meje, do të duhej të ishte rruga e sanksioneve, bllokadës ekonomike, e cila, ndoshta në fund, shpresoj do ta detyrojë Iranin të heqë dorë nga programi bërthamor. Por nëse do të ketë luftë, do të jetë fatkeqësi për Iranin, do të jetë fatkeqësi për Izraelin dhe për gjithë Lindjen e Mesme. Nëse do të ketë luftë, do të lëndohen dhjetëra-mijëra njerëz. Askush nuk dëshiron të shohë Iranin bërthamor, por në rast se Irani do të arrijë të zotërojë më në fund armën bërthamore, Izraeli me dhimbje të madhe dhe me shqetësim të madh do të duhet ta pranojë këtë. Atëherë do të krijohet një balancë e frikshme midis nesh dhe Iranit. Shpresoj që bota të bëjë të pamundurën për të mënjanuar luftën dhe për të penguar Iranin bërthamor, para se kjo të ndodhë.

Çfarë mund të bëjë një shkrimtar për të mundësuar paqen në vendin e tij?

Mendoj se shkrimtarët kanë një tendencë të përshkruajnë një situatë njerëzore nga disa këndvështrime. Nëse do të më duhet të shkruaj një tregim apo novelë rreth takimit me ty, këtu në shtëpinë time, atëherë do ta shkruaja nga këndvështrimi yt, i kameramanit tënd, i publicistes sime, Arlinda. Dhe pastaj do vazhdoja të shkruaja se çfarë i tregon burrit të saj, Felicita, kur shkon në shtëpi dhe çfarë mendon burri i saj për takimin tonë. Me pak fjalë, do të mundohesha ta përmblidhja evenimentin nga sa më shumë këndvështrime, se vetëm kështu ai mund të marrë një pamje të plotë. Ndodh e njëjta gjë, kur shkruaj rreth konfliktit. Nëse e shikon situatën ku ndodhesh nga këndvështrimi i armikut tënd, papritur shikon gjëra të tjera që nuk i ke parë më parë, papritur shikon vetveten në atë mënyrë që s’e ke parë më parë.

Isha në disa prej pikave më të bukura të Jerusalemit dhe ndalova më gjatë te Muri i Lutjeve, te muri ku njerëzit vënë letra për t’u lutur. Çfarë shkruajnë, për çfarë luten…?

Do habitesh po të thosha se shumica e njerëzve nuk shkruajnë gjëra të mëdha? Madje, as për paqen, as për luftën, për të cilën po flasim tani, nuk shkruajnë. Nuk luten as të vijë Mesia. Shkruajnë “të lutem, bëj që vajza ime të gjejë një burrë të mirë, të lutem bëj që nëna ime të jetë mirë me shëndet, ishallah të kem sukses në provimet për në universitet”. Gjëra të tilla humane, të vogla, të thjeshta, të zakonshme. Kam intervistuar një herë kur isha në radio, personin përgjegjës, që i mblidhte dhe i digjte të gjitha ato letra, të njerëzve nga e gjithë bota, në atë mur. E pyeta a i lexonte ato pusulla para se t’i digjte dhe çfarë shkruhej në to. Më tha “Jo, nuk i lexoj. Nuk shikoj se çfarë është shkruar, por jam i sigurt që tymi i dërgon ato lutje tek Zoti”.

Po të ishit shkrimtar palestinez, çfarë do shkruanit?

Hm.., kam menduar për këtë vazhdimisht. Sigurisht që do të shkruaja për konfliktin, është e natyrshme që s’do të kisha luksin për të mos shkruar për konfliktin. Pasi si izraelit, shkruaj edhe libra që s’kanë lidhje me të. Mendoj se, nëse do të isha shkrimtar palestinez, do të mundohesha shumë që të kuptoja se si mendojnë izraelitët, të hyja në mendjen e tyre për të kuptuar shqetësimet, lutjet, gjërat me të cilat ata e frenojnë vetveten. Po, kjo është ajo që do të bëja. Dhe është e sigurt që do isha kundër çdo dhune edhe po të isha i pushtuar. Do isha pro revoltës popullore, do isha pro demonstratave të mëdha, por jo të dhunshme kundër Izraelit. Do të isha kundër dhunës.

Ju thoni se librat, nëse nuk e ndryshojnë autorin e tyre, nuk ia vlen të shkruhen. Si ju ndryshoi “Gruaja që i arratisej lajmit të keq”?

Çdo libër ndryshon tek unë diçka. Ky libër më ka ndihmuar të kuptoj gjendjen time personale dhe atë të Izraelit në një mënyrë që asnjë libër që kisha shkruar më parë, nuk e kishte bërë. Të kuptoja vështirësinë e madhe të situatës ku ndodhet Izraeli, tragjedinë izraelite dhe se sa pozitive është për ne, në mënyrën më kuptimplote, arritja e paqes. Jo vetëm për të zgjidhur problemet territoriale apo të sigurimit, por me të vërtetë për të na rikthyer jetën, në kuptimin më të thjeshtë, më të drejtpërdrejtë, më njerëzor të fjalës. Pasi, deri më sot, kemi jetuar paralelisht me jetën që duhej të jetonim. Ka ardhur koha që të jetojmë vetë jetën. Jam i sigurt që kur erdhe për herë të parë në Izrael, je mahnitur. Edhe këtë herë je mahnitur, kur ke parë se sa i mrekullueshëm është ky vend, plot jetë dhe energji. Dhe është e vërtetë që Izraeli është një vend mjaft mbresëlënës, plot pozitivitet, spiritualitet. I mbushur me energji, me diell, me shpirt. Por vetëm një izraelit mund ta kuptojë që e gjitha kjo mbivendoset mbi një humnerë shumë të madhe, mbi hijen e vdekjes, të frikës për ekzistencë. Ndoshta prej kësaj frike, jeta tek izraelitët ka këtë intensitet. Ne mund të bëjmë një jetë shumë herë më të mirë, me më shumë kuptim, kur të ketë paqe. Kur të mos frikësohemi më.

Kur dikush humbet një pjesë të jetës së tij, një njeri të dashur, i pushon zemra. Si ia dolët?

Jeta ka forcën e saj, ne kemi fëmijë të tjerë dhe kemi edhe gjëra të tjera për të cilat ia vlen të jetosh. Kemi miq mjaft të mirë, gruaja ime kujdeset për njerëz të tjerë, pasi është psikologe. Të kujdesesh dhe t’i përkushtohesh tjetrit, bën që në fund kjo të të rikthehet ty dhe të të mbushë. Gjej shumë kuptim në jetë dhe fuqi duke shkruar. Dhe bashkë me gruan time mësojmë të jetojmë me këtë situatë.

Ka urrejtje tek ju, kur ju kujtohet lufta me Libanin, që ju mori djalin?

Nganjëherë po. Edhe unë njeri jam. Nganjëherë ndiej urrejtje. Më shumë ndiej mllef pse u zhvillua kjo luftë. Urrej mënyrën se si ajo u menaxhua. Udhëheqësit e Hezbollahut e filluan këtë luftë, në fund të fundit. Por unë, që para shumë vitesh, kur kjo ndodhi, e kuptova që po të urreja, nuk do arrija ta ndieja dhe të komunikoja me djalin tim. Do e humbisja. Dhe dua të kem kontakt me djalin tim. Urrejtja dhe mllefi më largojnë prej tij, ato nuk me çojnë askund. Nuk më ndihmojnë për asgjë. Janë këshilltare të këqija, nëse do të dëshironim që një ditë ta zgjidhim këtë konflikt. Që të mos ketë më luftëra, duhet të heqim dorë nga mllefi, duhet të mendojmë rreth mundësive të tjera që kemi ne si njerëz.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›