Si e ka përdorur Berisha Kosovën në karrierën e tij? Nga Faktori PlusKryeministri Sali Berisha po përpiqet muajt e fundit të prodhojë një debat rreth një plani për Bashkim Kombëtar me Kosovën, të cilin pastaj e shtyn tutje në kohë, pas futjes së dy s
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Si e ka përdorur Berisha Kosovën në karrierën e tij? Nga Faktori PlusKryeministri Sali Berisha po përpiqet muajt e fundit të prodhojë një debat rreth një plani për Bashkim Kombëtar me Kosovën, të cilin pastaj e shtyn tutje në kohë, pas futjes së dy shteteve në Bashkimin Evropian. Retorika nacionaliste e Berishës është në kontrast të thellë me qëndrimet e tij të mëparshme të matura dhe shumë të kujdesshme rreth çështjes së raporteve Kosovë-Shqipëri. Prej vitit 1992, kur ai ka ardhur për herë të parë në pushtet në Shqipëri, artikulimet e tij për Kosovën kanë qenë të kujdesshme duke iu referuar vullnetit të shqiptarëve në Kosovë dhe përpjekjeve të tyre për pavarësi.
***
Për herë të parë çështjen e Kosovës Berisha tentoi ta përdorte në vitin 1996, pasi vendi kishte hyrë në krizë politike nga prishja e zgjedhjeve të 26 majit. Në vjeshtën e vitit 1996, Sali Berisha pati një ftohje të qartë me Rugovën dhe kërkoi radikalizimin e vijës politike në Kosovë, duke iu ofruar mbështetje liderwve më radikalë. Mesazhi i tij nuk u prit mirë në Kosovë, dhe LDK, partia më e madhe në atë kohë në Kosovë, ftohu marrëdhëniet me Berishën. Rugova, edhe pse i heshtur, bëri gjeste të qarta refuzuese ndaj përpjekjeve të Berishës për të përdorur Kosovën për interesa të tij politike.
***
Gjatë luftës në Kosovës, Berisha po ashtu mbajti qëndrime të kujdesshme dhe respektoi përgjithësisht të dy palët, edhe pse shpesh u konfrontua me vijën radikale të UÇK-së për shkak të raporteve të tij me Bukoshin dhe Rugovën. I gjendur në opozitë dhe i izoluar ndërkombëtarisht, ai u pengua të vizitojë Kosovën në vitin 2000, duke u bllokuar në kufi, nën ndikimin e liderëve shqiptarë në Kosovë, të cilët e shikonin si një telash më shumë vajtjen e Berishës në Kosovë. Hashim Thaçi, në atë kohë kryeministër, natyrisht që nxiti ndalimin e Berishës, kurse Rugova në atë kohë president, nuk u shqetësua nga ky vendim. Berisha e përjetoi keq bllokimin në kufi, por ruajti qëndrime të kujdesshme ndaj Kosovës në fjalorin e tij politik.
***
Vizita e tij e parë në Kosovë ishte kur vdiq Ibrahim Rugova. Distanca e tyre e fshehtë u ruajt deri në vdekje të Rugovës. Pas vdekjes së tij, historia e kaluar u harrua. Në maj të vitit 2006, Berisha shkoi në Kosovë zyrtarisht dhe vizita e tij ishte shumë popullore. I rikthyer në pushtet dhe në mungesë të Rugovës, ai ishte tashmë një figurë karizmatike që ngjallte besim te një shoqëri që ndjen uri për lidera populistw.
Edhe pas shpalljes së pavarësisë, Berisha vazhdoi të ruante fjalorin e kujdesshëm për Kosovën. Në një emision televiziv në TV Klan, pas shpalljes së pavarësisë, Berisha është shprehur se shqiptarët nuk duan të bashkohen në një shtet të vetëm. Sipas tij: “Dëshira për bashkim ka marrë përgjigje negative në Kosovë, ashtu siç nuk ka marrë përgjigje pozitive në Shqipëri”.
Sipas Berishës, kosovarët luftuan për pavarësi dhe jo për bashkim, ndërsa shqiptarët e Shqipërisë nuk kanë shprehur në mënyrë të organizuar dëshirën për bashkim. Berisha u shpreh se që në vitin 1992, politikanët e Kosovës kishin kërkuar vetëm pavarësi për Kosovën dhe jo bashkim me Shqipërinë. Në favor të argumentit të tij, Berisha tha se partitë politike që kanë kërkuar bashkimin nuk kane marrë më shumë se 100 vota.
***
Kursi ndryshoi papritur gjatë këtij viti. Shenjat e para të një fjalori më nacionalist u vërejtën gjatë ceremonisë së hapjes së tunelit të Kalimashit, ku Berisha thirri Kryeministrin e Kosovës dhe Presidentin Sejdiu. Berisha foli aty për tunelin e Kombit dhe të ardhmen e përbashkët të kombit shqiptar.
Pas disa reagimeve ndërkombëtare, dhe zhurmës së shtypit perëndimor për këtë çështje, Berisha nisi sërish shpjegimet që bëhej fjalë për aspiratat evropiane të shqiptarëve.
Por, pak nga pak u pa se fjalori politik i Berishës për Bashkim Kombëtar nuk ishte keqkuptim, por një fjalor i llogaritur për të prodhuar debat publik. Ai e përsëriti këtë një muaj më parë duke folur për bashkim doganor, unifikim të sistemit të arsimit dhe atij tatimor, pra një sërë masash që të kujtonin kthimin e Shqipërisë në një republikë të 7-tw jugosllave në mesin e dytë të viteve 40-të.
Sërish shpjegimet e Berishës ishin aspiratat evropiane, por debati dukej i llogaritur.
Në gusht të këtij viti ai tentoi të ndërhynte sërish në jetën politike në Kosovë duke i afruar opozitës së Ramush Haradinajt mbështetje politike si aleat dhe duke i këshilluar koalicion të gjerë. Deklarata e tij irritoi liderët politikë në Kosovë dhe Berisha u detyrua të tërhiqej duke korrigjuar deklaratën.
Dje, gjatë vizitës së tij në Kosovë, Berisha e përsëriti tezën e një kombi shqiptar dhe një të ardhme të përbashkët në BE. Reagimet e pritshme ndërkombëtare, sidomos ato ruse, duket se po llogariten nga Berisha si një presion që ai bën në emër të faktorit shqiptar në Ballkan mbi strukturat perëndimore, dhe veçanërisht Bashkimin Evropin për një proces më të përshpejtuar integrimi të Shqipërisë.
Në mungesë të plotësimit të kushteve që BE i ka vënë Shqipërisë dhe Kosovës, Berisha duket se po nxit debatin mbi Bashkimin Kombëtar si një mënyrë për ta trembur Perëndimin me një destabilizim të ri, nëse dy vendet nuk përfshihen sa më shpejt në hartën e BE. Dhe tanimë mbetet të shpresojmë që Perëndimi mos ta marrë këtë presion si një arsye më shumë për të lënë jashtë dyerve të veta, një lider populist që përdor çdo gjë për të arritur qëllimet e veta politike, dhe jo ato të kombit të tij.