Haxhinasto takon Kryeministrin e Kinës, Ëen Jiabao: Të konkretizohet bashkëpunimi ekonomik
Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Haxhinasto mori pjesë në Forumin Ekonomik që u mbajt në Varshavë më 26 prill 2012, ku morën pjesë kryetarët e qeverive të vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore. Forumi ekonomik midis vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore u organizua nën patronazhin e kryeministrit polak Donald Tusk, ku mori pjesë edhe Kryeministri i Kinës, Wen Jiabao. Në takim u diskutua mbi mundësitë dhe rrugët konkrete për forcimin e bashkëpunimit ekonomik midis vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore me Kinën. Në fjalën e vet, zv/kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Haxhinasto e vlerësoi takimin e nivelit të lartë, si një platformë të një rëndësie të veçantë, si dhe një mundësi për vendet e Euopës Qendrore dhe Lindore që të zhvillojnë më tej marrëdhëniet me Kinën. “Bashkëpunimi ynë ofron mundësi të mëdha në fushën ekonomike, si në turizëm, infrastrukturë, energji të pastër, kulturë, arsim, etj. Stabiliteti politik dhe ekonomik i vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore, si dhe integrimi i tyre në BE, krijon një klimë për të ecur më tej në të ardhmen. Kjo nënkupton edhe integrimin e mëtejshëm të tregjeve tona, duke i shndërruar kështu në tregje gjithnjë e më aktive për investimet e huaja, përfshi ato kineze”, tha Haxhinasto. Shqipëria, shtoi ai, mbështet fuqimisht integrimin rajonal dhe kjo duhet parë në drejtim të lëvizjes se lirë, projekteve të përbashkëta infrastrukturore, energji, etj.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, Shqipëria, tha zv/kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme z. Haxhinasto, ofron potenciale të mëdha në fusha të tilla si burimet natyrore dhe ato njerëzore, energjia e pastër, infrastruktura, turizmi, etj.
Gjatë punimeve të forumit ekonomik midis vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore dhe Kinës, zv/kryeministri Haxhinasto pati një takim bilateral me kryeministrin e Kinës, z. Ëen Jiabao, ku u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe, me fokus në rritjen e konkretizimin e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare.
Duke vlerësuar marrëdhëniet midis dy vendeve, të cilat janë në nivel shumë të mirë, Zv/Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, z. Haxhinasto nënvizoi se duhet të gjenden rrugët se si projektet e sotme, të kthehen në realitet në një kohë sa me të shkurtër. Tashmë, tha ai, ka mjaft kompani kineze që janë të interesuara për tregun shqiptar, por kërkojmë që interesi dhe investimet kineze të rriten më tej në fusha të tilla si: energjia e pastër, burimet minerare, turizmi, etj. Ndër projektet konkrete u përmenden hidrocentrali i Skavicës, zona industriale, portet, etj.
Gjithashtu, tha z. Haxhinasto, është shumë e rëndësishme që të rriten shkëmbimet njerëzore, duke patur parasysh se ato tashmë kanë një traditë të krijuar në kohë. Në këtë aspekt do të ndihmojë edhe hartimi i platformave konkrete për bashkëpunimin në fushën e arsimit, duke veçuar shkëmbimet studentore, institucionet për mësimin e gjuhës kineze, etj.
Nga ana e tij, kryeministri kinez Wen Jiabao u shpreh se është parësore që bashkëpunimi ekonomik të zhvillohet më tej në fusha të tilla si: infrastruktura, hidrocentralet, portet, apo zonat industriale. Në drejtim të bashkëpunimit në fushën e arsimit, ai tha se vlerëson përpjekjet e Shqipërisë për përhapjen e kulturës dhe gjuhës kineze dhe hapjen e shkollës së Konfucit në Shqipëri. Po ashtu, ne po punojmë që të rritet edhe numri studentëve shqiptarë që të studiojnë në Kinë, apo kinezëve që të vijnë në Shqipëri. Rritja e kontakteve dhe shkëmbimeve njerëzore, do të jetë një shtysë edhe për rritjen e turistëve kinezë, që do të vizitojnë Shqipërinë. Në takim, ndër fushat e bashkëpunimit u identifikuan: infrastruktura, energjia, turizmi, arsimi etj.
Në përfundim, Zv/kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Haxhinasto tha se tashmë është koha që shkëmbimet turistike të rriten shpejt në të ardhmen.
Në kuadër të punimeve të këtij forumi, zv/kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, pati një takim edhe me Ministrin e Jashtem Yang Jiechi, ku u diskutua për bashkëpunimin midis dy vendeve. Gjatë bisedës, Ministri i Jashtëm Kinez ftoi për një vizitë në Republikën Popullore të Kinës, ministrin Haxhinasto, ftesë e cila u pranua më kënaqësi.