E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si është katandisur arka e shtetit shqiptar

Share

Në ditën kur INSTAT njoftoi se çmimet e konsumit janë rritur me 111 përqind që nga viti 2007, mbërritën edhe lajme gjithmonë e më të zeza për buxhetin e shtetit. Viti 2007 është i fundmi vit me rritje ekonomike të mirë për Shqipërinë. Katër vitet që kanë pasuar, vendi është përballur me krizë të rëndë, pavarësisht se kryeministri Sali Berisha, njësoj si një ish- homologu i tij, Berluskoni, sheh mrekulli në krizë. Pasi e mori vendin në dorë në një kohë me rritje ekonomike të kënaqshme, e ka katandisur në këtë farë feje ku rrezikohet edhe funksionimi i shtetit për mungesë të parave. Kështu, SHISH bëri të ditur se ka vetëm 11 agjentë në terren, pasi nuk paguan dot të tjerë. Ndërkohë, edhe pse është dashnor i Shqipërisë jeshile, Berisha i ka akorduar Ministrisë së Mediut vetëm 100 milion lekë për mjedisin. Nuk do duhen më shumë pasi sot hyn në fuqi ligji për importin e plehrave. Kurse Ministria e Ekonomisë e LSI-stëve do ketë një shans të përfitojë ndonjë gjë të mirë pasi katër hidrocentrale të shtetit janë nxjerrë në shitje dhe prej tyre mendohet se do fitohen 150 milion euro për të mbushur arkën e drobitur të shtetit. Kurse Ministria e Transporteve pranon se viti 2012 do jetë apokaliptik për të, e jo pse këtë e thotë kalendari Maja. Kompania greke që po ndërton një tunel të rrugës Tiranë- Elbasan ia tha Berishës në sy se nuk ka marrë asnjë para për punën e bërë. Kështu ka ndodhur edhe me shumë kompani të tjera, që kanë ndërtuar po nuk janë paguar. Një borxh deri në 80 milion euro. Buxheti për arsimin do jetë më i vogli që nga viti 2005, kurse më i kënaquri duket Arben Imami, që deklaroi se atij i janë akorduar 1.43 përqind e GDP-së, një shumë e mjaftueshme për të. Në fakt NATO kërkon që buxheti të jetë 2 përqind e GDP-së, por nuk po na prish shumë punë. Rëndësi ka që kryeministri po lë mesazhe me lutje nëpër Jeruzalem. Na shpëtofshin nga viti apokaliptik.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›