Si han me dy porta/ Qindra aziatikë dhe afrikanë trafikohen çdo ditë përmes Shqipërisë
Situata e trazuar në vendet e Afrikës së Veriut dhe në Lindjen e Mesme ka bërë që Shqipëria të kthehet në një han me dy porta.
Qindra afrikanë dhe aziatikë kalojnë përmes Shqipërisë çdo ditë, duke shpresuar që të shkojnë në Perëndim.
Zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës, Gentian Mullai, i tha Zërit të Amerikës se shërbimet e ruajtjes së kufirit kanë bllokuar ditët e fundit disa qindra emigrantë të paligjsheë.
Të dhënat policore shqiptare flasin për një dyndje masive të kësaj kategorie, e cila rrezikon të gjallërojë dhe rrjetet e organizuara të trafikut.
Policia ka bllokuar ditët e fundit transportues të kësaj kategorie emigrantësh nga qytetet Fier, Tepelenë dhe Vlorë.
Ekspertët e antikrimit vlerësojnë se grupet më të mëdha të emigrantëve drejtohen në kufirin verior shqiptar për të kaluar në drejtim të Malit të Zi nga ku depërtojnë më tej drejt vendeve të tjera.
Ekspertët thonë se rrjetet e trafikut u marrin emigrantëve nga 1000 deri ne 1500 dollarë për secilin vetëm për kalimin në territorin shqiptar.
Sipas Shqiptarja.com, lufta në Siri ka detyruar që shumë persona të marrin rrugën për të qenë më shumë të sigurt.
Pasi kanë kaluar në Turqi, klandestinët kanë qëndruar për tu strehuar në kampe të ngritura në Greqi falë financave që Bashkimi Europian ka dhënë për strehim dhe ushqim.
Menaxhuesit e këtij projekti kanë ndërprerë komplet ndihmat për të ardhurit, duke i detyruar më pas të largohen. Sirianët, të vendosur ngushtë, kanë parë si të favorshëm për tranzit kufirin tonë për tu drejtuar më pas në Malin e zi dhe më pas në vendet e Bashkimit Europian.
Këta shtetas ishin të strehuar në kampet e trajtimit të refugjatëve në Greqi, pasi Greqia merr për çdo shtetas të huaj 65 euro në ditë për ta. Por për shkak të krizës në Greqi, janë ndërprerë dhënia e plotë të paketës ushqimore. Së fundi iu kanë prishur dhe kampet dhe i kanë ndjekur. Madje kanë dhe një dokument me vete që vërteton se kanë qenë në kampet e refugjatëve në Greqi, thonë burime zyrtare nga policia.
Të vendosur në këtë situatë ata marrin përsipër emigrimin duke paguar garancinë për të shkuar në destinacion. Por këta emigrantë janë të paligjshëm.
Këta shtetas janë emigrantë të paligjshëm, kanë ikur nga vendet e tyre për shkak të varfërisë dhe gjendjes së përkeqësuar të rendit publik./ep