Falsifikimi i pasaportave bullgare, zbulohet "laboratori" në Tiranë
TIRANE - Operacioni "Ora e vonë", i Antikrimit Ekonomik, zbuloi dje një bazë të falsifikimit të pasaportave bullgare në kryeqytet. Dy persona u arrestuan ndërsa policia sekuestroi 40 vula institucionesh të ndryshme, certifikata, karta identiteti bullgare, patenta shqiptare dhe italiane, të gjithë të falsifikuara. Burimet nga policia thanë se hetimi për zbulimin e kësaj veprimtarie ka filluar prej një viti, pas disa kallëzimeve që kishin mbërritur në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Qytetarë të ndryshëm paguanin nga 100 euro për një pasaportë bullgare, në mënyrë që pasi të arrinin në Bullgari të kishin mundësinë që të lëviznin në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian pa pasur nevojën e vizave. Sipas policisë së Tiranës, dy personat e akuzuar për falsifikim dokumentesh janë Shpëtim Bega, 45 vjeç dhe Bujar Sallata 38 vjeç, të cilët u kapën në afërsi të "21 Dhjetorit" në Tiranë, pasi posedonim pasaporta bullgare, për të cilat dyshohet se po tentonin t'i falsifikonin, ndërsa kishin dhe disa lloje dokumentesh të dyshuara të falsifikuara. Dy personat u shoqëruan menjëherë në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku dhe u morën në pyetje, ndërsa policia ushtroi kontrolle në banesat e tyre. Gjatë kontrolleve, policia gjeti dhe sekuestroi karta identiteti bullgare, dokumente mjeti italiane, 20 pulla taksash vjetore me vulë të njomë, njësi qendrore, skaner, tre telefona celularë, dy USB etj. Në njësinë qendrore të kompjuterit, u konstatuan afro 40 specimente vulash të institucioneve shqiptare. Burime nga policia thanë se hetimet për të goditur këtë grup kishin nisur pas disa kallëzimeve dhe informacioneve të siguruar në rrugë operative. Dyshohet se dy personat falsifikonin dokumente të ndryshme në favor të qytetarëve, të cilët paguanin më pas nga 100 euro për një pasaportë. e.t