E Diel, 1 Nëntor 2026

"Si manipuloheshin tekstet e këngëve polifonike para 1990-ës"

Publikimi i CD-së "Polifonia e Zagorisë" është një ngjarje kulturore e cila i kalon kufijtë e Zagorisë, që shkon tej e përtej Labërisë e hyn thellë edhe në Toskëri, për shkak të vlerave së saj. Është normale të pyesësh se çfarë e bën të rëndësishme këtë CD edhe në raport me dhjetëra e qindra të tilla që janë publikuar dhe ende publikohen dhe përse "Polifonia e Zagorisë" mund të shërbejë si çelës për të kuptuar muzikën iso-polifonike me saze? Së pari, kjo CD mund të konsiderohet si dëshmia më autentike e iso-polifonisë së Zagorisë, jo vetëm nga fakti i mbledhjes dhe regjistrimit të saj drejtpërsëdrejti nga goja e bartësve, por se në të gjejmë muzikën e pastër tradicionale, pa ndikime të çfarëdolloj natyre. Deri më sot nuk kemi pasur mundësinë që të kemi një CD të ngjashme e cila të përfshijë këngët e kësaj krahine në një vend të vetme syresh. Po ashtu, gjatë 50 viteve të fundit, me gjithë kontributin e disa grupeve muzikore të Zagorisë në festivalet folklorike, nuk ka qenë e mundur rrokja e përmasave dhe tipologjive të muzikës iso-polifonike të Zagorisë. Për më tepër, në regjistrimet e iso-polifonisë të Zagorisë së para viteve 1990, konstatojmë se ka pasur ndërhyrje, kryesisht në tekst, sa herë që përmes saj ka qenë dashur të pasqyroheshin zhvillimet e "folklorit të ri". Gjithsesi, këto këngë, edhe pse të ndikuara nga tematikat politike të ditës, të bëjnë ende përshtypje për këndimin e plotë iso-polifonik koral, për strukturat e qarta muzikore, për efektin e menjëhershëm komunikues me publikun etj. 

Kjo CD është e mirëpritur, pasi për trashëgiminë shpirtërore të Zagorisë është folur fare pak deri më tani. Megjithëse materiale të folklorit gojor të Zagorisë janë botuar më herët, duke filluar prej Hahnit, interesi rreth folklorit muzikor të Zagorisë filloi të përmasohej qysh në momentin kur Çajupi hyri në letërsinë shqipe. Ende nuk është bërë ndonjë studim i plotë mbi ndikimin e folklorit muzikor në krijimtarinë e tij, por në veprën e Çajupit gjenden disa poezi shumë domethënëse për peshën që realisht ka pasur folklori muzikor i Zagorisë në të. Ndër to përmendim poezitë: "Kënga e vome", "Vaje", "Vaj", "Fyelli i bariut", "Obobo" etj. Është Çajupi pra i cili e zgjoi këtë interes, pasi studiuesit e tij mendojnë se polivalenca e krijimtarisë së tij ishte ngushtësisht e lidhur edhe me folklorin e një treve të lënë jashtë vëmendjes. 

Ato pak vëzhgime për folklorin gojor dhe atë muzikor të Zagorisë janë ndërmarrë mbas çlirimit të vendit. Në vitin 1966, për herë të parë në Zagori bëhet një ekspeditë kërkimore shkencore nga ana e Institutit të Folklorit në Tiranë. Prof. Agron Fico, njëri prej anëtarëve të ekspeditës, (i cili na nderon me pjesëmarrjen e tij sot), kujton në librin e tij "Profesor në tre kontinente" se sa mikpritës dhe muzikëdashës ishin zagoritët. Mbresat e tij mbi folklorin muzikor zagorit ai i boton po në vitin 1966 në revistën "Studime Filologjike". Më pas, ka fare pak shkrime rreth folklorit muzikor zagorit, po ndër to ia vlen të përmendet ajo çka etnomuzikologu Spiro Shituni ka shkruar për folklorin muzikor zagorit në veprën e tij "Polifonia labe", të botuar në vitin 1990 etj. Edhe ndonjë film artistik që u referohet traditave të Zagorisë, e ka ndërfutur muzikën e saj tradicionale pjesërisht dhe jo si element thelbësor të zagoritit, i cili së pari e çmon muzikën si shprehje të personalitetit të vet, e pastaj e përdor atë në funksione të tjera, si ato vajtimore, çlodhëse, argëtuese, satirike dhe ironizuese! 

Kjo CD përshfaq qartë karakteristikën kryesore të folklorit muzikor të Zagorisë, që është katërzërëshi i kënduar nga burrat dhe trezërëshi i grave. E vendosur në një pozicion të mbyllur mes malesh, muzika iso-polifonike e Zagorisë fsheh brenda saj disa nga formulat origjinale të iso-polifonisë. E ngjashme për nga organizmi strukturor me iso-polifoninë labe në tërësi, iso-polifonia zagorite u kultivua jashtë ndikimeve të drejtpërdrejta të muzikës me vegla apo edhe të ndikimeve të tjera, duke pasqyruar atë që prof. Çabej e quante "ngjyrim lokal i polifonisë". Për këtë arsye, tipi strukturor i iso-polifonisë zagorite si një iso-polifoni shumëkatëshe, jo vetëm është mjaft i dallueshëm, por ai gjithashtu si i tillë ka ndikuar edhe tek rrethinat fqinje me Zagorinë. 

Siç kanë vënë re edhe studiuesit e folklorit letrar të Zagorisë, tipi më i përhapur i këngëve është ai i këngëve lirike, me të gjitha format e saj. Është pikërisht ky dimension i mrekullueshëm i bukurisë, i cili u ka dhënë melodive iso-polifonike të këngëve zagorite atë bukuri të pashoqe, e cila është kënduar edhe nga gjirokastritët dhe përmetarët. Etnomuzikologjia jonë vëren se një rol të madh në përhapjen dhe kultivimin e mënyrës labe të të kënduarit brenda sazeve të Toskërisë, ka luajtur folklori muzikor i Zagorisë. Për shkak të fqinjësisë me Përmetin, një pjesë e madhe e këngëve zbritën Dhembelin për të bërë një jetë tjetër muzikore nga ajo që kishin bërë deri më dje, pra për t'u shoqëruar me sazet qytetare, duke krijuar tipin e ri të këngëve qytetare të quajtura "labiko". Kjo formë e re jetese e këngëve të Zagorisë, u dha këtyre këngëve një përhapje mbarëkombëtare, pikërisht për faktin se, duke qenë të bukura në të gjitha pikëpamjet, janë të pëlqyeshme nga të gjithë, një pjesë e tyre të regjistruara edhe në këtë CD, si: "Do marr çiftenë do dal për gjah", "Bëje dru në përcëllimë", "Kunadheja leshvershë", "Unë çoku do vete" etj. 

Së fundi kjo CD është një dokument autentik i trashëgimisë muzikore të Zagorisë, e cila na kujton se traditat e Zagorisë duhet të fiksohen çdo ditë. Unë mendoj se Zagoria, ashtu si dhe vende të tjera të rëndësishme për folklorin e tyre, ka dy jetë. Një jetë e cila është e prekshme, e përditshme dhe shpeshherë e lodhshme dhe e mbushur me probleme të pazgjidhshme, dhe tjetra, është jeta virtuale e folklorit dhe e traditave të Zagorisë, e cila s'ka kohë reale dhe është përjetësisht e bukur. Pikërisht në këtë të dytën, zagoritët (gra e burra, fëmijë e të rinj), në të gjitha vitet dhe shekujt, brez pas brezi kanë derdhur shumë nga origjinaliteti i tyre i papërsëritshëm (mbi botën, dashurinë, të dashurën, bukuritë e vendlindjes etj), gjë të cilën mund të mos e kenë bërë për shtëpinë dhe vendin e tyre konkret, por e kanë bërë për Zagorinë e ëndrrave dhe të muzikës, e cila është një vlerë që nuk llogaritet dot. Prandaj duhet që ato të jenë të fiksuara ashtu si në këtë CD, në mënyrë që një ditë dikush të merret me to për t'i dëgjuar, kënduar, studiuar dhe çuar akoma më tej.
*Akademik 

(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›