E Hënë, 2 Nëntor 2026

Si mund të përfitosh pensionin italian? Kreu i ISSH-së tregon procedurat: Llogaritjet në bazë të viteve në secilin vend

Çdo qytetar shqiptar, i cili ka punuar dhe kontribuar në Shqipëri dhe Itali, nga data 1 korrik ka mundësinë të aplikojë nëpërmjet portalit e-Albania për të përfituar pensionin e tij.

Përcjellja e dokumentacionit elektronik drejt Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH) në Shqipëri, si edhe INPS-së në Itali, është mundësuar falë marrëveshjes në fushën e pensioneve mes dy qeverive.

Astrit Hado shpjegoi sot në një konferencë për mediet disa nga procedurat dhe manualet udhëzuese për qytetarët.

“Marrëveshja që ka hyrë në fuqi me të gjitha anekset e nevojshme është gati, që do të thotë se të gjithë formularët e zbatimit të marrëveshjes janë dakordësuar me kolegët e INPS-it në Itali. Do të shkurtohet jashtëzakonisht shumë koha e shkëmbimit të formularëve midis dy institucioneve,” tha z. Hado.

Drejtori i ISSH-së shtoi se nuk lejohet bashkimi i periudhave në rastet kur nuk plotësohen vitet e punës.

“Do të bashkohen periudhat kontributive vetëm për të plotësuar kriteret ligjore. Secili vend pastaj do ta llogarisë pensionin sipas ligjit të vet, bazuar ekskluzivisht në vitet e sigurimit që personi ka në secilin vend. Pra, [personi] do të marrë dy pjesë pensioni. Një pension në Shqipëri, për aq vite sa ka, dhe një pension në Itali, që i korrespondon 19 viteve në Itali,” sqaroi drejtori i ISSH-së.

Hado theksoi se inovacioni do të luajë rol kyç në përshpejtimin e procedurave dhe lehtësimin e qytetarëve, të cilët tashmë nuk kanë nevojë të paraqiten fizikisht për të aplikuar për pension. Ai nënvizoi se komunikimi elektronik me Italinë do të reduktojë ndjeshëm kohën nga aplikimi deri te përfitimi i pensionit. 

Gazetar: Omer Saraçi

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›