E Hënë, 2 Nëntor 2026

Abuzimi i të miturës nga babai, Avokati i Popullit: Nisëm hetim administrativ, të forcohen mekanizmat e mbrojtjes së fëmijëve

Avokati i Popullit ka kërkuar një reflektim institucional për forcimin e mekanizmave mbrojtës ndaj fëmijëve dhe dënimin e autorit të dyshuar për abuzimin seksual të një vajze të mitur në Fier.

Gjykata e rrethit la të mërkurën në fuqi masën e arrestit me burg për babain e saj, një ditë pasi 36-vjeçari u arrestua në flagrancë nga policia.

Avokati i Popullit bëri me dije se ka nisur një hetim administrativ gjithëpërfshirës për rastin.

“Ngjarje të tilla kërkojnë jo vetëm dënimin e autorëve, por edhe një reflektim të thellë institucional dhe shoqëror për të forcuar mekanizmat e mbrojtjes së fëmijëve, veçanërisht të atyre që ndodhen në situata të vështira sociale apo familjare.

Avokati i Popullit apelon me forcë për ruajtjen e privatësisë dhe dinjitetit të fëmijës viktimë. Ekspozimi masiv i detajeve të ngjarjes, qoftë në media apo rrjete sociale, është një dëm i dyfishtë për të miturën dhe cenon rëndë të drejtën e saj për mbrojtje nga traumat e mëtejshme”, thuhet në njoftim.

Denoncimi për abuzimin seksual sistematik erdhi nga vetë e mitura, njëra prej 7 fëmijëve të një çifti që jetonte në një fshat të Patosit. Mësohet se e ëma ishte vënë në dijeni të faktit vetëm pas denoncimit dhe se më parë nuk kishte vënë re sjellje abuzive te bashkëshorti i saj.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›