E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si n’krejt partitë

Albin Kurti është zgjedhur të shtunën Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje pa kundërkandidatë, ashtu siç ndodh rëndomtë në partitë kosovare. I dyti në Vetëvendosje është zgjedhur Shpend Ahmeti. Në Kryesinë e Lëvizjes gjendet edhe një skoceze, Alexandra Channer. Nga Faton Ismajli më 26 qershor 2011 në ora 08:10

Albin Kurti nuk ka mundur t’i ikë modelit të partive tjera, kur bëhet fjalë për zgjedhjen e Kryetarit të Partisë.

Pa kundërkandidatë, Vetëvendosja e ka zgjedhur të shtunën Kurtin udhëheqës të saj në tri vitet e ardhshme.

Votimi është realizuar në 422 pikat e Vetëvendosjes nëpër fshatra dhe qytete të Kosovës, ku ka marrë 5 mijë e 682 votues, prej të cilëve 31 kanë qenë kundër, kurse 62 të pavlefshme.

Me Statut të Lëvizjes postet partiake nuk mund të marrin deputetët e Vetëvendosjes.
Kësaj rregulle ia ka pa hairin ish-themeluesi i partisë FER, Shpend Ahemti. Me propozimin e Albin Kurtit, Ahmeti është zgjedhur Nënkryetar i Parë i Vetëvendosjes.
Aida Dërguti është emëruar Nënkryetare e Dytë e Lëvizjes, ndërsa Ismajl Kurteshi kryesues i këshillit të përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje!
Veç kësaj, Dardan Molliqajn është emëruar Sekretar Organizativ, Xhelal Sveçla, Sekretar për Marrëdhënie me Jashtë si dhe Arbër Zaimi, Koordinator i Komiteteve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Kryetari i zgjedhur i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka lavdëruar lëvizjen e cila nisi fillimisht si organizatë që mbronte dhe promovon të drejtat qytetare të popullit.
“Lëvizja Vetëvendosje konsideron se populli i Kosovës duhet të bëhet zot i vetvetes në kuptimin politik të fjalës, por edhe në kuptimin ekonomik të Kosovës”, ka thënë Kurti para delegatëve.

Me moton “Bashkë në Drejtim”, Albin Kurti ka folur edhe për kohën kur pretendon të merr pushtetin.

“Nëse devijojmë prej konceptit, nuk do të mund të fitojmë, nëse qëndrojmë drejt në rrugën tonë të drejt të konceptit tonë të drejtë, atëherë fitorja jonë është e pashmangshme. Duke ecur në rrugën e drejtë dhe duke iu përmbajtur konceptit e programit të drejtë të Lëvizjes Vetëvendosje, fitorja gjithsesi se do të arrihet”, ka parashikuar Kurti.

Por, për çka po bëhet gati Lëvizja Vetëvendosje?

Albin Kurti jep përgjigje.

“Ne po bëhemi gati për atë që populli ynë duhet të jetë i gatshëm e kjo është vetëvendosja për popullin, që është në mënyrë të pashkëputshme me sovranitetin për shtetin. Mbi të gjitha sovraniteti i Kosovës duhet të reflektohet në lirinë e institucioneve përfaqësues dhe kjo të kurorëzohet me një kushtetutë tjetër për Republikën e Kosovës”.

Pas zyrtarizmit në postin e të parit të Vetëvendosjes, Kurti ka shpalosur edhe synimet e organizatës që udhëheq tash e pesë vjet.

“Unë si Kryetar i porsazgjedhur dhe i zyrtarizuar në këtë mbledhje i Lëvizjes Vetëvendosje si synim të lëvizjes duhet ta kem përgatitjen e Kushtetutës së re si propozim të Lëvizjes Vetëvendosje, si dhe të programit qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje në përputhje me këtë kushtetutë të re”, ka thënë ai.
Lëvizja e Albin Kurtit vazhdon të thërrasë për bashkim kombëtar.
“Kushtetuta e re e Republikës së Kosovës duhet të jetë ajo e cila do t’ia mundësonte Kosovës bashkimin me Shqipërinë si fazë drejt bashkimit kombëtar”, ka deklaruar Kurti.
Udhëheqësi i partisë së tretë të Kosovë ka vazhduar të kritikojë Qeverinë e Kosovës sa i përket dialogut të nisur ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Gjashtë marrëveshjet e paralajmëruara me Serbinë nga zëvendëskryeministrja Edita Tahirit nuk do të pranohen nga populli i Kosovës, pasi që këto bisedime po mbahen fshehtas dhe si të tilla janë jotransparente edhe ndaj vetë Kuvendit të Kosovës. Për Lëvizjen Vetëvendosje Serbia është shtet armik për shkak se Serbia ka të kaluar, të tashme dhe të ardhme kriminale në Kosovë bazuar në projektet e saj anti-shqiptare”.
Në Kuvendin e Parë Zgjedhor kanë marrë pjesë 145 delegatë të Vetëvendosjes, është miratuar Statuti, si dhe janë zgjedhur 15 anëtarët e Kryesisë.
Përderisa zgjedhja e Kryetarit të Vetëvendosjes nuk solli ndonjë të re, kjo nuk mund të thuhet edhe për Kryesinë e saj.

Aty gjendet edhe emri i Alexandra Channer, një shtetase kjo angleze që tash e saj vjet punon për Lëvizjen e Kurtit.

Kryesia ka pesëmbëdhjetë anëtarë: Albin Kurti, i pasur nga Shpend Ahmeti; Aida Dërguti, Dardan Molliqaj, Xhelal Sveçla, Arbër Zaimi, Visar Ymeri, Ismajl Kurteshi, Alexandra Channer, Hysamedin Feraj, Hysen Durmishi, Salih Zyba, Dardan Sejdiu, Puhie Demaku dhe Gani Krasniqi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›