E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si në mesjetë

Djegien e librit ‘Enver Hoxha’ të Blendi Fevziut në Ferizaj, para pak ditësh, shkrimtarët kosovarë e konsiderojnë si një akt vandal dhe të shëmtuar. Këtë veprim ata e krahasojnë me ato të inkuizicionit mesjetar si dhe me djegien e librave nga ana e nazistëve. Ata shprehen se ky veprim duhet të dënohet publikisht.

Djegia e librave konsiderohet një akt i shëmtuar dhe barbar. Gjatë historisë njihen djegiet e librave në mesjetë por edhe djegiet e librave nga nazistët e Hitlerit. Ka edhe shumë shembuj të tjerë të djegieve të librave, por që një gjë e tillë të ndodhë në Kosovë, para pak ditësh, pakkush e ka besuar. Ishte pikërisht libri për diktatorin shqiptar Enver Hoxha, i shkruar nga Blendi Fevziu, ai që u dogj javën e kaluar në Ferizaj, nga një grup qytetarësh që tentojnë të mbrojnë krimet e diktatorit dhe e lartësojnë figurën e tij.

Veprimin e kryer nga organizata e quajtur ‘Fronti popullor për kultivimin e veprës revolucionare të Enver Hoxhës’ e dënojnë shkrimtarët dhe njerëzit që merren me librin. Ata e konsiderojnë akt të shëmtuar, vandal dhe barbar.

Regjisori Bekim Lumi këtë akt e konsideron si një shprehje të frustrimit skizofrenik të një grupi dogmatësh që vazhdojnë të kenë nostalgji për diktatorin dhe epokën e tij të tmerrit.

“Parë nga këndvështrimi sociologjik dhe psikologjik, akti i shëmtuar i djegies së librit ‘Enver Hoxha’ të publicistit Blendi Fevziu në Ferizaj është shprehje e frustrimit skizofrenik të një grupi dogmatësh, të cilët, krejt paradoksalisht, edhe 21 vjet mbas rrënimit të kultit tiranik të diktatorit Enver Hoxha, vazhdojnë të kenë nostalgji për epokën e tij të tmerrit, të terrorit e të territ”, u shpreh Lumi. Ai shtoi se përveç fyerjes dhe urrejtjes patologjike për autorin e këtij libri, ky gjest i mjerë dhe primitiv është, gjithashtu, fyerje e rëndë për mijëra viktima të despotizmit të çmendur enverist, të cilët, gjatë 50 vjetëve të diktaturës komuniste, u burgosën, u persekutuan, u ndëshkuan, u vranë e u masakruan çnjerëzisht. Lumi tha për Express se ky veprim duhet të dënohet publikisht.

“Edhe pse është vetëm një akt i izoluar, me të cilin identifikohet një grup i vogël njerëzish të ndërkryer, ky veprim piromanesk, i ngjashëm me veprimet e grupeve inkuizicioniste, neonaziste e staliniste, duhet të dënohet publikisht”, tha Lumi.

Poeti Ndue Ukaj, duke e konsideruar akt tmerrësisht të shëmtuar dhe barbar, u shpreh se ky akt bëhet më i shëmtuar ngase me këtë synohet të mbrohet diktatori Enver Hoxha dhe diktatura e tij që shqiptarëve iu shkaktoi të këqija të panumërta.

Ukaj shprehet se diktatura e Hoxhës duhet dënuar me ligje shtetërore.

“Ky akt, ashtu sikurse edhe disa të tjerë, janë një sinjifikativ i bollshëm të na vetëdijesojnë se nevoja e miratimit të një ligji që dënon krimet e diktaturës se Hoxhës, është nevojë imediate. Vetëm kështu, shoqëria shqiptare mund të çlirohet nga e keqja dhe vetëm në këtë mënyrë, mund të vështrojmë saktë të ardhmen”, tha Ukaj.

Ai shtoi se shqiptarët kanë nevojë ta ndëshkojnë moralisht diktaturën e Enver Hoxhës, ashtu sikurse pushtimet tjera, qe bënë gjenocid mbi shqiptarët, sepse në këtë formë, sipas Ukajt, krijohen parakushtet e domosdoshme për të ecur drejt së ardhmes. Glorifikimi i diktatorit komunist, sipas tij, përbën krim.

Ukaj theksoi se me këtë akt qyqar të djegies së librit mbi figurën e Hoxhës, fyhen mijëra e mijëra viktima të dhunës së pashembullt që bëri Enveri mbi shqiptarët.

“Djegia e librit mbi të, një natë para përvjetorit të 71-të të vdekjes së poetit kombëtar At Gjergj Fishta, të cilit diktatori ia prishi edhe varrin dhe eshtrat ia hodhi në lumë, është një sinjal tepër i rrezikshëm për të ardhmen e kombit. Shqiptarët kanë nevojë përfundimisht të çlirohen nga të këqijat që iu sollën pushtimet e shumta, si ai turko-otoman, serb dhe diktatura e Enverit. Këto pushtime, kanë robëruar trurin e disa shqiptarëve, andaj sikur në gjithë botën demokratike, edhe ne duhet t’i dënojmë me ligj këto pushtime që bënë gjenocid mbi qenien shqiptare”, shtoi Ukaj. Ai tha se duhet të marrim shembull nga Franca, e cila këto ditë dënoi me ligj gjenocidin turk kundër armenëve dhe konsekuencat që pasojnë për përkrahësit e tij.

Edhe romancieri Ardian Haxhaj u shpreh kundër djegies së librit të Blendi Fevziut. Sipas tij, ky është një akt vandal që të sjell ndër mend djegiet e librave nga nazistët. Haxhaj pohoi se ky është një veprim kundër fjalës së lirë.

“Është mendësi totalitariste që mundohet, përmes kërcënimeve, ta bllokojë fjalën e lirë, t’i bllokojë argumentet. Enver Hoxha ka qenë një diktator, pasojat e diktaturës të të cilit po i përjetojmë edhe sot”, tha Haxhaj.

Mirëpo, ndryshe prej të mësipërmve mendon poeti Jeton Kelmendi. Megjithëse tregoi që nuk e ka lexuar librin ‘Enver Hoxha’, Kelmendi u shpreh se libri i Blendi Fevziut nuk ka vlerë.

“E di se profesioni i Fevziut nuk përkon me histori e as me histori të diplomacisë, prandaj që në fillim e konsideroj një bujë sa për treg”, u shpreh Kelmendi. E duke folur për djegien e librit, Kelmendi theksoi se kjo nuk paraqet asgjë, pos se Fevziut do t’i shërbejë për treg dhe për t’u bërë edhe më mediatik.

Libri ‘Enver Hoxha’ i Blendi Fevziut konsiderohet si një prej librave më të shitur në këto vitet e fundit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›