Si reagojne meshkujt e sotem ndaj modës
Merita TOÇILA
Moda nuk u rezervohet vetëm femrave, nuk duhet të mbetet pas imazhi mashkullor, sepse dhe meshkujt janë po aq të ndjeshëm ndaj modës, sidomos brezi i ri. Ata nuk shohin thjesht të blejnë veshje për t`u mbuluar, por duke shëtitur nëpër dyqane përzgjedhin se çfarë stili kanë dëshirë të kenë. Eshtë e rëndësishme të kesh një stil. Ndryshe nga femrat ata nuk humbasin kohë nëpër dyqane, ata i ndjekin të rejat nga moda mashkullore, me anë të të cilave përcaktojnë se çfarë do të kenë në sezonin e ardhshëm. Për të blerë veshjet është vërtet një kënaqësi. Eshtë e këndshme të kesh gjithmonë gjëra të reja për të veshur. Meshkujt kane nevojë për kohë për t`i zgjedhur dhe kanë gjithmonë deshirë të konsultohen me njerëz që i duan, shokë ose të dashura. Ndonjëherë ndikohen dhe nga dëshirat e mikeshave të tyre, duke iu bindur në shijet, por në zyra janë gjithmonë klasikë me kostum të errët, këmishë të hapur, gravatë, këpucë të zeza, ndërsa fundjavat janë më të lirshme në zgjedhje; ndihen më mirë me xhinse të grisura, atlete dhe pulovër. Për meshkujt është e rëndësishme të ndjekin modën, sepse jetojnë në një mjedis ku flitet dhe ndiqet moda dhe nuk do dëshironin të binin në sy për keq. Për të rinjtë 30-vjeçarë dhe sidomos, ata që janë të angazhuar me punë më së shumti në biznes, nuk ka kode të përcaktuara. Ata vishen në funksion të rëndësisë së takimeve dhe të imazhit që duhet të ndërtojnë. Moda është moment për t`u kujdesur për veten. Atyre ju shkon shumë për shtat një luk artistik Dolce&Gabana me kostum e gravatë dhe këmishë e gravatë ton mbi ton. Për fundjavat janë më shik duke u kujdesur dhe për detajet më të vogla. Nuk shqetësohen shumë për tendencat, preokupimi i tyre kryesor është të kenë personalitetin e tyre në mënyrën e të veshurit dhe të stilit. Ata zgjedhin që të shkojnë vetëm nëpër dyqane dhe nuk preferojnë as këshillla, e dinë shumë mirë se çfarë u shkon. Janë gati të ndërrohen dhe tre katër herë në mëngjes para se të dalin nëse shohin ndonjë gjë që nuk shkon, derisa të ndjehen mirë me veshjen. Por ata nuk lënë pas dore aksesorët e shtrenjtë.
Moda për 40-vjeçarët
40-vjeçarët mendojnë se mund të jesh elegant edhe pa e ndjekur modën, mjafton të jesh i veshur shtrenjtë dhe të prezantohesh mirë. Për të blerë veshje mund të shoqërohen nga miq meshkuj, të cilët kanë të njëjtat shije duke i dhënë një gjykim odjektiv mbi veshjen. Nuk u pëlqen të jenë ndjekës të mëdhenj të modës edhe pse e dashura e tyre do donte të ndryshonin stil, por ndjehen të fortë dhe mirë ashtu sic janë dhe preokupohen pak për imazhin. Ndërsa kur bëhet fjalë për punën, në zyrë janë shumë klasikë, me kostum të errët, këmishë në ngjyrë të hapur dhe kepucë në stil italian. Fundjavat janë më të lirshme, u pëlqen të vishen mirë, të ndjekin modën s`është e rëndësishme për ta.
Moda për 50-vjeçarët
50-vjeçarëve u pëlqen të gjejnë gjithmonë rroba të reja, të shohin kush i shkon më shumë me trupin, prerja, pëlhura dhe origjinaliteti. Adhurojnë veshjet firmato. Kanë nevojë të duken mirë dhe shumë elegantë. Përpiqen të jenë të arsyeshëm, duke përzier veshjet e markës me veshje më pak të shtrenjta të blera nëpër dyqane, të cilat i mbajnë vetëm për një sezon dhe nuk e shohin të arsyeshme të shpenzojnë shumë. Edhe nëse janë të detyruar të ndjekin modën sepse ajo është kudo, nuk i shpëtojnë dot përpiqen të krijojnë modën e tyre, gjithmonë për t`u kujdesur mos duken një tjetër person. Ndjehen shumë mirë me kostum, të cilin e mbajnë me ose pa gravatë dhe gjejnë gjithmonë dicka që t`i tregojë strikt dhe me autoritet, edhe pse ata e dinë shumë mirë, se është mënyra si e mban që të tregon ai që dukesh.
Një moshë tjetër më e madhe nuk ka pasur shumë mundësi zgjedhjeje dhe rrjedhimisht, nuk kanë qenë shumë të dhënë pas veshjes. Përgjithesisht ishte një veshje e caktuar klasike dhe me kalimin e viteve shtohej vetëm numri i kostumeve dhe ndryshonte paksa toni në ngjyrë. Nuk është se veshjet janë diktuar ndonjëherë, por ka patur gjithmonë një sy femëror për të përcaktuar zgjedhjen kryesisht të materialit dhe cilësisë së realizimit, në fillim nga gratë dha pastaj nga fëmijët, sidomos kur janë vajza. Meshkujt kur janë në pension nuk kanë aq merak për garderobën e tyre, vishen thjesht, mbajnë zhinse me tee-shirt dhe kostume, por pa gravatë.
19 Korrik 2008