E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si rrokullisja e gurit në greminë

Po të dëgjosh qeveritarët e këtij vendi edhe tani, ashtu sikurse vazhdimisht këto vitet e fundit, në pamje të parë të duket që çdo qytetar dhe të tërë së bashku duhet të duartrokasin nga nivelet ku fantazia i paska ngjitur. Por, kur krahason të dhënat apo shifrat, që qeveritarët tanë kërkojnë t’i përdorin për të mëkuar popullin e tyre, me të tjera fakte që jeta e përditshme të servir, atëherë të gjitha ato projekte të shpalosura nëpër fletë vizatimesh, të gjitha ato urra-a-a të porositura dhe të stisura nëpër inaugurime të paqena, të gjitha ato maskarada solemne dhe festime të ndritshme që të lëbyrin sytë, të gjitha, të gjitha këto të ngjajnë me hieroglife të pakuptimta. Të pakuptimta, sepse gëzimi prej kohësh ka marrë arratinë dhe këtyre ditëve zhduket nga gjithkush me shpejtësinë e erës. Ashtu si ai guri kur një palë këmbë e shtyjnë në greminë, i cili sa më shumë që rrokulliset, aq më me vrull në humbëtirë degdiset.
Prej disa vitesh dëgjohen nga goja e Kryeministrit tonë, herë me klithma dhe herë me bulçima, ca deklarata të çuditshme për rritje ekonomike deri edhe dyshifrore, apo për ngritje të jetesës në nivel të mesëm dhe të lartë. Prej së paku dy vitesh dëgjohen nga goja e Kryeministrit tonë, se dallgët e krizës ekonomike botërore u zbaticuan në brigjet e Adriatikut, apo që ekonomia shqiptare ecën me ritmet më të larta se ajo e të gjitha vendeve si yni. Madje, duke iu afruar për një qime, herë zhvillimit të Gjermanisë në Europë dhe herë atij të Kinës nëpër botë. Por, ta trajtosh fantazinë me këto flatra, e arsyeshme është që, (të kuptohemi!) të mos thirreshin në mendje të gjitha ato padrejtësitë dhe paaftësitë, dëmet edhe humbjet, grabitjet dhe poshtërimet, që na shoqërojnë në çdo hap. Të mos thirreshin në mendje të gjitha këto, sepse nga një përfytyrim i tillë si ky i Kryeministrit dhe i zëdhënësve të vet, vetvetiu ndizen zemërimet dhe pasionet e urrejtshme që do të molepsnin shpirtin tonë. Dhe ç’të bëjmë atëherë? Le të hapim sytë dhe të shohim çfarë sugjerojnë shifrat e fundit. Ca nga ato që janë thënë dhe ca ato që ende nuk ia thënë.
“Do të hapim 20 mijë vende pune”; “Ka 600 projekte”; “Po e zbresim borxhin publik në 55 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto”, – s’ka pak ditë që trumbetonte organi zyrtar i Partisë në pushtet, domethënë ajo e Kryeministrit. A mund të jenë reale këto premtime, kur zhvillimet e deritashme shprehin pikërisht të kundërtën?! A mund të besohen ato, kur mjafton të kujtosh atë që është fshehur me fanatizëm?. Pra, atë sipas së cilës recesioni në ekonominë tonë ka filluar që këtu e dy vjet më parë, menjëherë pas shpenzimeve të shpërdorura për ngritjen plot me mangësira të rrugës Durrës – Kukës. Dhe, kur vijohej pareshtur me shpërthimet e hareshme për këtë trase “të paparë ndonjëherë”(?!), Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim parashikonte që ekonomia shqiptare në vitin 2011 do të rritej veçse 1.9 për qind, duke e korrigjuar këtë shifër me ulje të mëtejshme. Dhe, kur Qeveria jonë e nderuar detyrohej ta “saktësonte” rritjen me afro tri herë më tepër se sa ajo shifër, Fondi Monetar Ndërkombëtar ulte pjacën më shumë nga ç’kishte parashikuar më parë.
Po tani? Nga raporti për Shqipërinë që i është paraqitur këto ditë FMN–së në Uashington prej Ministrisë së Financave të Italisë (e cila mbulon edhe vende të tjera të Mesdheut, si Greqinë, Maltën etj.) shqetësim të konsiderueshëm përbën niveli i lartë i deficitit të llogarisë korrente, ndërkohë që janë ngushtuar ndjeshëm të ardhurat buxhetore. Kjo tablo e bërë tashmë publike, ndoshta e detyroi ministrin tonë të Financave që për herë të parë të pohonte te “Zëri i Amerikës” që: “Për ekonominë shqiptare sfida është se janë zvogëluar ritmet e rritjes së ekonomisë shqiptare”. Por, Kryeministri ynë a pajtohet dot me këtë realitet, vërtet jo të sheqerosur, ama së shumti të rrumbullakosur?
Ja çfarë deklaroi Sali Berisha vetëm disa ditë më parë me rastin e fillimit të punimeve në segmentin e rrugës së re nacionale Tiranë – Elbasan, jashtë tunelit: “Ne do të bëjmë gjithçka dhe do të përparësojmë në mënyrë absolute rritjen e investimeve, si kushtin më themelor, sepse rritja jep punësim, jep shtim të të ardhurave, sepse rritja ka potenciale zhvillimi...”. Të mos vazhdojmë më tej me këto llafe, se edhe kaq ato të prekin zemrën dhe të mallëngjejnë. Mirëpo, kur të bie në dorë një material i fundit prognozë nga Ministria e Financave, ashtu, si rastësisht dhe me mirëkuptim, pa qenë e nevojshme të përmendet emri i dorëzanësit, shifrat e renditura në atë material përgënjeshtrojnë dukshëm llomotitjet e kryeministrit tonë. Sa për investimet, aty thuhet që gjatë periudhës Janar – Mars të këtij viti janë marrë nga buxheti i shtetit 16.4 miliardë lekë dhe, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, tkurrja e këtyre shpenzimeve kapitale llogaritet në masën 17.6 për qind.
Pra, çdo gjë në dishezë të fortë. Kësaj nuk mund t’i rezistojnë dot as disa të dhëna të pjesshme, që për këtë tremujor duken si pakëz më të larta nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Kështu, për shembull, të ardhurat buxhetore gjatë tre muajve të kaluar qenë 1.1 për qind më të mëdha se sa ato të së njëjtës periudhë të një viti më parë. Por, sidoqoftë, këto të ardhura të realizuara në janar – mars 2012 llogaritet të jenë rreth 30 milionë euro më pak se sa planifikimi. Ose, për të njëjtën periudhë të tashme, rritja e shpenzimeve është vërtet pakëz më e ulët se sa një vit më parë, por shpenzimet korrente kanë një rritje prej 6 për qind, duke kaluar nga 69.5 miliardë lekë atëherë, në 73.6 miliardë në fillim të 2012-ës. Ashtu sikurse shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes (ku përfshihen edhe pagat e administratës) janë rritur në masën 43.2 për qind. Dhe, të ardhurat nga tatimi mbi fitimin kanë pësuar një ulje prej 22 për qind.
Megjithatë, ajo çka e zymtëson edhe më tepër perspektivën e afërt dhe të largët janë parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar për vitin 2012, që duke iu referuar të gjitha vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore e zbresin shpejtësisht Shqipërinë në nivelet më të ulëta shqetësuese se sa ato të deritanishmet. Sipas këtyre parashikimeve të publikuara ditëve të fundit, rritja ekonomike në vendin tonë do të jetë 4 herë më e ulët se sa mesatarja në vendet e Rajonit. Pra, për të mos u shpërndarë si shumë në këtë hapësirë të kontinentit tonë, mjafton të përmendim se, ndërkohë që për Shqipërinë rritja do të jetë vetëm 0.5 për qind, për Maqedoninë - 2 për qind, dhe për Moldavinë - 3.5 për qind.
Këtyre parashikimeve nuk u shmanget dot, së paku deri në një farë mase, as Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, i cili me gjithë rrotullimin e zakonshëm të gjuhës së tij, në konferencën e fundit për shtyp nuk iu ndejt pa deklaruar, se zhvillimi ynë ekonomik do të vazhdojë të jetë nën potencial, sepse “viti 2012 pritet të jetë nën ndikimin e favorshëm të zhvillimit të ekonomisë botërore dhe do të ndikohet nga këto ekonomi”; sepse “deficiti buxhetor në tremujorin e parë të 2012-ës është rreth 2.5 për qind më i ulët se në tremujorin e parë të vitit të kaluar”. Dhe, sipas tij, eksportet u reduktuan në 20.5 për qind kundrejt vitit të kaluar, kurse importet kanë ngadalësuar ndjeshëm rritjen, që vlerësohet me 1.8 për qind.
Edhe me kaq sa u përmendën në këto radhë, çdokush mund të pyesë veten si i trullosur: “Përse xhanëm nuk e thonë me kohë të vërtetën, por na mbajnë në errësirë të vazhdueshme?”. Ndonëse kjo pyetje, si shumë të tjera, nuk kanë nevojë për ndonjë përgjigje, se kjo dihet. Por, ata që duhet ta japin atë nuk do të bënin keq të mendonin që nata nuk ka vetëm efektin e tulatjes së tërë njerëzve, por edhe se ngjyros me zymtësi gjithçka, shformon sendet, ashtu sikurse ëndrrat. Kështu, dyshimi dhe paniku përforcojnë pasigurinë për të sotmen e të nesërmen, dhe e bëjnë njeriun të dallojë kudo forma të frikshme. Por kësaj lloj përsiatjeje, tek e fundit, nuk mund t’i shmangen as ata që e përhapin errësirën me shpresën që popullit t’i mbyllen sytë për tërë jetën.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›