E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbi kremtimin madhështor të VATRËS

Sa morëm vesh që një miku im në Amerikë (nuk po ia them emrin që bashkatdhetarët me gjak të përzierë turko-shqiptar të mos e anatemojnë si antikombëtar!) kishte dëshirë të papërmbajtur të merrte pjesë në kremtimin madhështor të Vatrës, që të shfaqte edhe ai atdhedashurinë bashkë me mallin për mëmëdhenë e largët e meqë nga disa burime pranë tij mësova se i mungonin 250 dollarët për “pjatën” e Vatrës (dmth për ftesën e porositur e të parapaguar që ndryshe quhet akreditim!), u mblodhëm disa miq të tij, këtu në Tiranë, dhe, edhe pse shumica dërrmuese mbijetojnë si pensionistë të stazhionuar e dinjitarë, vendosëm të heqim çerekun e pensionit, të shkojmë në një change për t’i këmbyer lekët në dollarë e t’ia nisnim atij si dhuratë vëllazërore në Amerikë.
Me gjithë zemër dëshironim që edhe ai, si një ish i përndjekur, ish intelektual me emër, ish militant partie, ish adhurues i Berishës, ish aksionist në veprat madhore të socializmit, ish mësues, ish pronar, ish patriot, ish propagandist, ish komisioner votimesh, ish komunist-antikomunist, ish amator, një zotërues i përkorë edhe i ca ish-ve të tjerë të merrte pjesë në ceremoninë madhështore të Vatrës…Donim pra që ky zoti Ish, si shumica e atyre që sot janë mbi 60 vjeç e që zakonisht etiketohen me një ish para emrit (meqë sapo e pat marrë pasaportën amerikane, ai beson se, më në fund, i lau hesapet me “ish”-ët e këtushëm…), të mund të takohej (që të shpëlante përfundimisht të kaluarën…), duke bërë edhe ai një foto historike në 100 vjetorin e Vatrës me Kryeministrin Berisha, antikomunistin tonë më të shquar, me kryetaren e Kuvendit, gruan tonë të hekurt, zj.Topalli, me Presidenten e Kosovës, të brishtën zj.Jahjaga, me Kryeministrin Thaçi që çliroi Kosovën, me krerët e sotëm të Vatrës, me pasardhësit e Nolit dhe Konicës, si psh me kryeredaktorin e tanishëm të “Diellit”, Dalip Grecën…e plot e plot ministra, deputetë, Vipa e personalitete të shquara të këtushëm e të diasporës, të gjithë antikomunistë si Berisha, të cilët kanë mësyrë këto ditë Amerikën për të bërë qokën e Vatrës…
Ishim dhe jemi të bindur që pjesëmarrja e mikut tonë në këtë ngjarje solemne, si e shumë të tjerëve në diasporë e më gjerë,do t’i sillte jo vetëm një kënaqësi të papërshkruar, po dhe do t’ia shtonte ditët…!E përse jeton njeriu i shkretë, nëse ia bën haram vetes, për 250 dollarë, një të tillë ngjarje historike, kaq madhore e të lavdishme, e cila vjen vetëm një herë në jetë? Në një bisedë telefonike, miku im shqiptaro-amerikan më pat bërë këtë pyetje retorike që më vuri me shpatulla në mur: a thua t’i ketë vajtur ndërmend Konicës dhe Nolit që pas 100 vjetësh do të mblidheshin rrotull Vatrës së tyre, jo një, po dy Kryeministra shqiptarë, një Presidente grua, jo pak ministra e deputetë, kaq shumë patriotë të thekur e të ngazëllyer, të gjithë të gatshëm të paguajnë pa iu dridhur dora që nga 250 deri mbi 2000 dollarë për një pjesëmarrje në kremtim?...A e di sa paguajnë shqiptarët e këtushëm, patriotë e nacionalistë, për një përmendje/botim të emrit të tyre te një cep i gazetës “Dielli”, si përshëndetje? Më e pakta 500 dollarë! Ka që paguajnë, për një faqe, edhe 5000 dollarë!...Po kaq do të paguajnë, nëse dëshirojnë një tryezë në “front”, dmth në tri rreshtat e parë të ceremonisë përkujtimore…
Duke dëgjuar këto shifra, nuk ka dyshim që solidariteti ynë modest, i shprehur në dollarë të pastër e të ndershëm pensionistësh shqiptarë, nuk do të ishte ndonjë sakrificë e madhe për ne, edhe pse thuhet që jemi në kohë krize…Si shumica dërrmuese e shqiptarëve edhe ne jemi të vetëdijshëm që patriotizmi, shqiptarizmi dhe njerëzillëku që na karakterizon, sidomos kur ndodhemi jashtë vendit, as nuk blihen dhe as nuk maten me para! Të duash Vatrën do të thotë të duash atdheun, por për këtë duhet të paguash!
E vërteta është se nuk do të na shkonte kurrë ndërmend t’i hynim një të tillë nisme fisnike, paçka se paraprakisht e dinim se do ta vinte në siklet jo dhe aq të vogël buxhetin e një pensionisti prej jo më shumë se 200 dollarë në muaj po të mos ishim entuziazmuar nga akti nacionalist i qeverisë sonë, më saktë, i Berishës, i cili me një vendim të posaçëm i fali Vatrës një muaj para se të nisej për në SHBA, 35 mijë dollarë!… Sigurisht që ky donacion qeveritar nuk doli nga paratë e xhepit të tij, as të ministrave, por nga taksat tona, gjë që nuk e zvogëlon peshën e gjestit patriotik të kryeministrit, përkundrazi, e bën aktin akoma edhe më simbolik e mallëngjenjës për nga rëndësia kombëtare, pasi në atë shifër, si taksapagues jemi të përfshirë të gjithë, të pasur e të varfër, të majtë dhe të djathtë, duam apo nuk duam!
Kjo pra ishte shtysa që na bindi edhe ne të mos bënim sehir, por të bënim si të bënim, makar edhe të ziheshim me gratë, të hiqnim edhe nga paratë e ilaçeve e cigareve…e t’i nisnim urgjent çekun për “pjatën” 250 dollarëshe (dmth për të drejtën për pjesëmarrje në kremtim…) shokut tonë të largët që kësisoj, edhe ne t‘ia bënim fora e të jepnim, direkt e indirekt (direkt me çek dhe indirekt me VKM-në e qeverisë…) një ndihmesë sado modeste për shokun tonë “shqiptaro-amerikan”, por edhe për Vatrën…
Duke mbetur në pritje, me sytë ngulur te çasti kur do të shohim live në ekran kremtimin madhështor të Vatrës, sipas zërave të brendshëm mësuam se qenkan akredituar mbi 1000 pjesëmarrës (të gjithë i kanë paguar tashmë “pjatat”!), me përjashtim të atyre që janë socialistë të deklaruar a të kamufluar, të cilët kuptohet do të jenë të padëshiruar!…Vatra e sotme mund të krenohet me të drejtë se pragun e saj në këto njëzet vjet nuk e ka kapërcyer asnjë kryeministër, ministër, deputet a historian socialist…Në ceremoni zyrtarisht janë të përjashtuar edhe krerët e anëtarët e shoqatave të tjera të shqiptarëve në SHBA, sidomos të “Motrave Qirjazi”, si dhe të gjithë ata që kanë bërë kritika për udhëheqësin e tanishme të Vatrës, sado të paguajnë për “pjatën”…Të padëshiruar për kumtesa do të jenë edhe akademikët e Tiranës që deklaruan se me aq para që qeveria i dhuroi ceremonisë së Vatrës mund të botoheshin disa vepra madhore, me dokumente të rëndësishme për historinë tonë dhe se vetë Akademia qenkësh pa fonde për 100 vjetorin e Pavarësisë…Por asgjë sa më sipër nuk na bën ndonjë përshtypje!
Dhe a e dini pse? Se na është regjur lëkura!…Se ne, nj’ashtu si vëllezërit tanë vatranë, jemi të bindur që të gjitha këto fonde, përveç madhështisë dhe krenarisë që e lyp një kremtim i tillë mu në zemër të Amerikës, me siguri do të kthehen, tek e fundit (ashtu si vepronin vatranët e hershëm), në Shqipëri në formë ndihmash dhe investimesh për arsimin, për fëmijët jetimë e të ngujuar, për gazetat e pavarura që nuk kanë fonde, për shkolla katundesh, për çezma e rrugë fshatrash të harruar, për spitale dhe ambulanca, për integrimin sa më të kollajtë të emigrantëve të rinj në SHBA…A nuk vepronin kështu stërgjyshërit tanë emigrantë, ata që para se ne të fitonim mëvetësinë krijuan Vatrën dhe Diellin në Boston, aq sa populli u këndonte me shpirt: “Shqipëri, mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë”?
Por më kryesorja është: ne jemi të bindur se, duke pasur pjesëmarrës kaq shumë personalitete të larta pranë Vatrës, të të dy krahëve të shqiponjës, të Shqipërisë dhe të Kosovës, pasardhësit e Nolit dhe Konicës me siguri do t’u kërkojnë liderëve të sotëm të ndërpresin luftën e ndyrë mes shqiptarëve, të merren vesh me njëri-tjetrin, të ndërtojnë besim dhe harmoni, të ndërpresin luftën e klasave, të mos e shkatërrojnë vatanin natën e ta qajnë ditën, të mos sillen nëpër ekrane si patriotë, si nacionalistë të thekur, të djegur për Flamur e për Vatrën e Nolit dhe të Konicës, ndërsa kur qeverisin të bëjnë biznes “flamujsh”, trojesh e pasurish strategjike me serbët e grekët!…Jo, përçarjen, dasitë krahinore e fetare, biografitë familjare, tribalizmin, klientelizmin, mercenarizmin dhe korrupsionin jemi të bindur që vatranët e sotëm nuk do t’i tolerojnë kurrë e për kërkënd! Nuk mund të lejojnë ata që kanë kulturë demokratike amerikane dhe ndërgjegje të lartë kombëtare që Vatra e sotme të fjalojë si një celulë partie, e një partie, e PD-së! Po të ishte kështu, ç’vlerë do të kish ky përvjetor i 100-të? Me siguri ka për të ndodhur kështu: Berishës dhe Thaçit do të detyrohen t’u kujtohen vlerat dhe statuti i Vatrës së Nolit dhe Konicës, dhe ata sa të kthehen në atdhe do të ndërrojnë mendje, dmth do të heqin dorë nga politika tradicionale ‘bjeri ti biem’: tjetër bëj e tjetër thuaj!Ndaj as nuk duhen llogaritur të gjitha këto shpenzime e salltanete!
***
Por përgjigja e mëposhtme e shqiptaro-amerikanit tonë, si mund të kuptohet lehtë nga çdo shqiptar me mend në kokë, i varur a i pavarur, blu a rozë, ballist a legalist, ish komunist a ish komunist-antikomunist ishte tejet befasonjëse. Përveç se, për fat të keq, na e la çekun “e bardhë” në dorë, përgjigja e tij na shkaktoi një pështjellim e trishtim të parrëfyer!…Ja çfarë e-maili më nisi miku im, zoti ish nga Nju Jorku:
***
“O shqiptarë!...O ish patriotë të mi të mjerë!...O naivë të ndryshëm!...O pension-vegjël!...Që të paguhet PJATA e darkës së Vatrës nuk arrin pensioni juaj i NJË VITI…(çdo person që do të marrë pjesë në ceremoni ka paguar 2000 dollarë…).
Të ftuarit e veçantë, ata që nuk janë të detyruar të paguajnë për darkën, janë vetëm: Imzot Noli,…Konica,….dhe gjithë VATRANËT që kanë vdekur përpara viteve 90-të…(dhe çmimi qenkej i lartë, bash për atë se të vdekurit në raste të tilla hakërkan dhe pikërkan më shumë…). Tjetër herë, kur të merrni përsipër të tilla bamirësi, interesohuni më parë për ÇMIMIN dhe për biografitë e të pranishmëve. Ju e dini që unë kam qenë ca kohë komunist, që jam përjashtuar nga partia dhe…dhe internuar…Por kam një të metë akoma më të madhe: jam shprehur me gojë e me shkrim kundër Berishës…
E megjithatë mos i humbisni shpresat!
Thuhet se për 200 vjetor çmimi do të ulet ndjeshëm”…
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›