Urgjencat, 5.5 milionë euro për aparatura mjekësore
Brenda këtij viti urgjencat e 14 rretheve në të gjithë vendin do të pajisjen me aparatura mjekësore. 5.5 milion euro është granti i financimit i dhënë nga agjencia japoneze për bashkëpunimin ndërkombëtar (JICA) qeverisë shqiptare për realizimin e këtij projekti. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka nënshkruar marrëveshjen me përfaqësuesin rezident të zyrës ballkanike të JICA, Saturo Kurosawa.
Marrëveshja
“Kemi konkretizuar një punë të filluar prej kohësh. Jemi duke vënë një tullë në themelin e strategjisë së shëndetit publik. Projekti do të shtrihet në 14 rrethe të vendit dhe do të implementohet në harkun kohor të 12 muajve”, - theksoi ministri Vasili. Financimi grant kap shifrën 718 milionë jenë japonezë, (5.5 milionë euro), ndërsa pala shqiptare do të mbulojë kostot lokale të këtij projekti.
Ky grant është i treti akorduar nga qeveria japoneze për sektorin e shëndetësisë dhe realizohet pesë vjet pas lëvrimit të grantit të fundit “Për përmirësimin e pajisjeve mjekësore në pesë spitalet e jugut”, në vitin 2004. Nga ky projekt përfitojnë 14 qendra urgjence në spitalet rajonale të vendit e konkretisht në qytetet Lezhë, Kukës, Dibër, Durrës, Elbasan, Fier, Berat, Vlorë, Gjirokastër, Korçë, spitalet e qyteteve Lushnjë dhe Sarandë si dhe qendrat e urgjencës në shërbimin e Pediatrisë në QSUT dhe urgjencën e Tiranës.
Në këto qendra do të instalohen afërsisht 47 tipa aparaturash të reja, në sasi të ndryshme, ku përfshihen autoambulanca me pajisje të avancuara për shpëtimin e jetës, sete diagnostikimi deri edhe dy skanerë si dhe pajisje të tjera që nevojiten për dhënien e ndihmës në rast urgjence.
Instalimi dhe vënia në funksion të plotë e pajisjeve do të përfundojë brenda vitit. JICA do të marrë përsipër dhe programe trajnimi për mirëmbajtjen e pajisjeve me qëllim përdorimin e tyre afatgjatë, programe të cilët do të realizohet brenda kohës së montimit të pajisjeve. Qeveria japoneze, me këto projekte ka mbështetur shëndetësinë shqiptare me qëllim përmirësimin e cilësisë së ofrimit të shërbimit shëndetësor në përgjithësi si dhe uljen e nivelit të vdekshmërisë. Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje vjen në kohën e duhur, kur sistemi shëndetësor është në procesin e reformimit të tij, ku prioritet është përmirësimi i cilësisë së shërbimit si dhe performancës së tij.
Nga ky projekt përfitojnë 14 qendra urgjence në spitalet rajonale të vendit e konkretisht në qytetet Lezhë, Kukës, Dibër, Durrës, Elbasan, Fier, Berat, Vlorë, Gjirokastër, Korçë, spitalet e qyteteve Lushnjë dhe Sarandë si dhe qendrat e urgjencës në shërbimin e Pediatrisë në QSUT dhe urgjencën e Tiranës