E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet për prostitucion, do trafikonte dy vajza në Kosovë

Prej muajsh shfrytëzonte sistematikisht dy vajza të reja për prostitucion. Aktivitetin e jashtëligjshëm kishte vendosur që ta shtrinte edhe në Kosovë, por është ndaluar nga policia shqiptare. Pas finalizimit të operacionit “Tërthorja” të organizuar nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Kukës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, u arrestua në flagrancë 41-vjeçari Përparim Kaçi. Sipas burimeve zyrtare nga policia, Kaçi akuzohet se “ka shfrytëzuar në mënyrë sistematike për prostitucion dy shtetase, përkatësisht E.S., 18 vjeç dhe M.M., 22 vjeç dhe më pas ka tentuar t’i trafikojë ato në drejtim të Kosovës për t’i shfrytëzuar sërish për prostitucion”. Ndalimi i tij u krye në pikën kufitare të Morinës. Policia ka shoqëruar në komisariat Kaçin, si dhe dy vajzat e reja, të cilët janë marrë në pyetje nga hetuesit. Prej disa kohësh, 41-vjeçari ishte vënë nën hetim nga punonjësit e Policisë së Tiranës. Ata kishin marrë informacione për aktivitetin që Kaçi kryente. Ai kishte shfrytëzuar në mënyrë sistematike për prostitucion dy vajza të reja, të moshës 18 dhe 21 vjeç. Sipas burimeve nga policia, 41-vjeçari u gjente atyre klientë, ndërsa lëvizte në hotele të ndryshme të kryeqytetit. Më pas ka vendosur që këtë aktivitet të jashtëligjshëm ta kryejë edhe jashtë kufijve të Shqipërisë, drejt Kosovës. Ndërsa është nisur me mjetin e tij drejt Kukësit, është ndaluar pas një operacioni të organizuar nga specialistët e Tiranës në bashkëpunim me punonjësit e pikës kufitare të Morinës. Sipas burimeve nga policia, “nga hetimet e deritanishme është bërë i mundur dokumentimi ligjor i kësaj vepre penale, ndërkohë që vazhdojnë hetimet për dokumentimin në tërësi të aktivitetit kriminal të këtij personi”.
41-vjeçari u shoqërua në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës për të marrë masën e arrestit. Materialet procedurale në ngarkim të tij i kanë kaluar për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë për Krimet e Rënda. Ai akuzohet për kryerjen e veprës penale të “trafikimit të femrave, për qëllime shfrytëzimi prostitucioni”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›