E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si ta lexosh Shqipërinë e heshtur?

surroi-veton

Nga Veton Surroi

Edhe unë jam njëri prej listës tashmë të gjatë të njerëzve të shkrimit a të folurit publik që prisnin se do të ndodhë rotacioni politik në Shqipëri, por jo në përmasat e rezultateve zgjedhore. Sipas deklarimit të prijësve të së majtës, as ata nuk kanë pritur një rezultat të këtillë.

Nëse është kështu, ekziston një shpërputhje në analizë, mes pritshmërisë së atyre që i lexojnë shenjat e publikut dhe pritshmërisë së vetë publikut. Shqipëria që fliste para zgjedhjeve ishte ndryshe prej Shqipërisë së heshtur, asaj që votoi. Po përpiqem, në shtatë pika, të interpretoj zërin e Shqipërisë së heshtur, një kuptim krejtësisht individual që mendoj se mund ti hyjë në shërbim qeverisjes së re.

1. Një votë jo domosdoshmërish për

Pika më mobilizuese e këtyre zgjedhjeve nuk ka qenë programi i PS-së për Rilindje, por thirrja që katragjyshi të ikë në pension. Këto zgjedhje, shikuar kështu, kanë pasur si prioritet largimin e Berishës dhe brenda këtij prioriteti votuesi është siguruar nga mesazhi i një poli të majtë të bashkuar, e të determinuar që Berishën ta zbresë nga pushteti.

Shqipëria e heshtur, e dalë në zgjedhje, ka manifestuar votën e saj kundër Berishës, por kjo votë kundër nuk duhet të interpretohet domosdoshmërish dhe njëkohësisht si votë për dhe e pakusht për polin e majtë.

Pra, kemi me një regime change, rrëzim regjimi, me votë. Mësimi numër një për qeverinë: kjo votë nuk ishte e zakonshme, por në formë plebishitare tregoi se çfarë nuk do në qeverisje. Mësimi numër dy: si të shndërrohet në program qeverisës për ajo që ishte votë kundër (Berishës).

2. Kapitalizmi i dirigjuar

Vota masovike kundër Berishës ishte votë kundër autoritarizmit të tij. Në tetë vitet e fundit, pas një faze të konsolidimit të një shkapërderdhje të trashëguar qeverisjeje nga socialistët, pushteti i PD-së manifestoi apetit të pangopshëm kontrolli të jetës me instrumentet autoritare të kufizimit të të drejtave.

Në jetën politike, pushteti i Kryeministrit në largim u përpoq, me sukses, që të vërë kontrollin (personal) mbi segmente të rëndësishme të sundimit të ligjit, të tëhollojë deri në padukje ndarjen e pushteteve dhe të përdorë, pa hezitim, dhunë deri në vrasje, ndaj atyre që i konsideronte si rrezik për të.

U replikua, në jetën ekonomike, tendenca për monopolizim të pushtetit. Ekonomia e vendit qe gjithnjë e më pak hapësirë për konkurrencë të lirë, e gjithnjë e më shumë një strukturim i qartë i një rrjeti klientelist. Një autokraci në qeverisje u komplimentua, në ekonomi, nga një kapitalizëm i dirigjuar, duke e ushqyer njëri-tjetrin.

Mësimi numër tre për qeverinë: Programi për është program i krijimit të lirive politike dhe ekonomike, si dhe ai i ndarjes së pushteteve. Ky mësim i thjeshtë ka një sfidë ca më të ndërlikuar: Si të bëhet krijimi i hapësirave të lirisë, duke mos e bërë zëvendësimin mekanik të pushtetit (prej atij blu në atë rozë)?

Çfarë zgjidhjesh, që të mos jenë vetëm të një poli politik, do bërë për presidentin, prokurorin, shefin e SHISH-it? Si të bëhet demonopolizimi i një rrjeti klientelist në biznes e të mos ndërtohet një tjetër, me ngjyrë rozë?

Si të mos e përsërisin të kaluarën e tyre partnerët e koalicionit që do të vijë në pushtet, sepse as precedenca e tyre nuk është edhe gjithaq shndritëse?

3. Si të quhet revolucioni?

Edi Rama e barasvlerësoi rezultatin e këtyre zgjedhjeve me ato të vitit 1992, kur u rrëzua pushteti i simbolizuar nga Ramiz Alia. Ky vlerësim mund të jetë i saktë nëse gjërat marrin emrin e tyre të vërtetë. Asokohe, u bë një revolucion me votë, dhe iu dha fund komunizmit. Këso here mund të ndodhë që u bë revolucioni me votë dhe se po i jepet fund postkomunizmit.

Por, jo domosdoshmërish. Poli fitues i së majtës ka mundësinë që këtë moment ta identifikojë vetëm si rotacion politik, të merret me sanimin e pasojave të qeverisjes së kaluar dhe pas tre vjetësh ta zërë veten duke u përgatitur për zgjedhje të reja. Nëse e bën vetëm këtë, gjasat janë të vogla për transformim cilësor në sistemin e funksionimit të vendit.

Por, poli fitues mund ta identifikojë zërin e Shqipërisë së heshtur, që doli në votë, si zërin e një revolucioni, i cili do që në fund të katërvjeçarit të qeverisjes socialiste ta shohë një vend që vlerëson se tranzicionit i erdhi fundi. Se jemi normalë. Se, në fjalët e parullës së parë revolucionare të vitit 1991, jemi si e gjithë Europa.

Nëse është kjo rruga që përzgjidhet, atëherë qeverisja e ardhshme ka para vetes dy korniza të të njëjtit program qeverisës. E para është konsolidimi i shtetit dhe e dyta është nxjerrja e tij prej tranzicionit.

Rreziku permanent në këtë rrugë është që konsolidimi të marrë tërë energjitë, që në shtator qeveria e re të gdhijë me njohurinë se e ka arkën bosh, administratën të politizuar (e të frikësuar për shkak të këtij fakti) dhe listën e gjatë të institucioneve që duhej të ishin të pavarura e që duhet sanuar.

Rreziku i njëllojtë e permanent, është që fundi i tranzicionit të identifikohet me marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim në BE dhe që vendi, me arkën bosh, me institucione të partizuara e disfunksionale, me një listë të gjatë pasojash që duhen sanuar nga qeverisja e kaluar të shpresojë se do të ndodhë edhe një miracle of democracy dhe se gjendja do të ndryshojë në vend falë ndërhyrjes së negociateve të BE-së. Mësimi numër katër për qeverinë: Përcaktimi i cakut konceptual (historik) që duhet të arrihet në fund të mandatit.

4. Pritshmëria (versioni i parë): Njëqind ditë vetmi

Konsolidimi i shtetit do të kërkojë shenjat e prekshme: vota e Shqipërisë së heshtur kundër qeverisjes Berisha pret që pas ndëshkimit me vota, një verdikt moral, të pasohet nga një verdikt administrativ-ligjor.

Do të kërkohet sanksionimi ligjor në hapësirën e krijuar nga fshirja e linjave ndarëse të pushteteve. Aty ku janë ngushtuar liritë politike, përfshirë edhe vrasjet e 21 janarit, tash do të kërkohet që dënimi moral i votës të përcillet me proces tjetër dënimi.

Aty ku janë ngushtuar liritë ekonomike, përfshirë tenderët dhe koncesionet, do të kërkohet jo vetëm vendosja e konkurrencës së lirë, por edhe ndëshkimi për monopolet joligjore të së kaluarës.

Njëqind ditët e para do të jenë kyçe për të treguar thellësinë dhe shpejtësinë e ndryshimeve që mund ti sjellë qeverisja e re. Në njëqind ditët e para, pritshmëria për ndryshime dhe përkrahja për to është po aq plebishitare sa ishte edhe vota kundër në zgjedhjet e 23

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›