Nuk ishte votë bujare, ishte votë besimi
Gjithnjë i referohemi datës 23 qershor 2013 si një ditë votimi plebishitare për Partinë Socialiste në veçanti, por edhe për të majtën në përgjithësi. Fitorja, e cila shumëkënd e la të stepur, ndoshta edhe vetë lidershipin e së majtës, por vetë popullin, i cili u derdh atë të diel për në qendrat e votimit nuk e çuditi aspak, përkundrazi e gëzoi dhe i shtoi besimin, besimin e munguar në këto 22 vjet post- komuniste, kur populli votonte e dikush tjetër numëronte.
Elektorati i majtë, por jo vetëm, vazhdon të festojë, të shijojë lirinë (atë të përgjimeve dhe provokimeve), por akoma nuk ka marrë ndonjë gjë konkrete, për faktin e thjeshtë dhe që dihet nga të gjithë, sepse qeveria e re me kryeministër Edi Ramën do akoma kohë të fillojë nga puna.
Në rrugë kryqëzojmë duart duke uruar njëri-tjetrin: Hajde urime, por përse? sepse festë nuk ka (festë tradicionale), urojmë njeri- tjetrin e qeshim sepse rruga ku ecim është e boshatisur nga bashkatdhetarët tanë, që na rrinin nga pas kurrizit, për të kapur ndonjë copëz bisede, dhe kjo është nervozuese edhe sikur një rast i vetëm e i shkëputur të jetë e jo më me vite…, urojmë se shpresojmë se kështu do të vazhdojë jeta jonë ditë pas dite, me problemet e përditshme me intrigat e vogla ndaj njëri tjetrit e me bërrylat e zakonshëm, të cilat janë pjesë e pandashme e garës së racës njerëzore, por e rëndësishme është të jemi në garë e të mos përjashtohemi për një fjalë goje, sepse kjo rëndon mbi individin, por mbi të gjitha, gradualisht gërryen vetë sistemin duke sjellë në fund fare rrënim të ekonomisë, të jetës sociale e kulturore, atrofizim të shpirtit, paralizë totale, e cila në fund fare shtrin përdhe vetë arkitektin.
Kështu ka ndodhur gjithmonë, në të gjitha kohërat, por ka njerëz, të cilët e humbin durimin e nuk vazhdojnë dot me hapin e të tjerëve… dhe ka arkitektë që nuk e kuptojnë fare, sepse nuk kanë vesh të mprehtë për të dëgjuar ato kërcitjet dhe rënkimet e trarëve të ngrehinës së tyre, derisa vjen momenti kur vala e zemërimit ngrihet si një dallgë e furishme dhe e thërrmon në mijëra copëza të vogla.
Kështu ndodhi më 23 qershor. Miliona komentues nëpër blogje, kryesisht tek gazeta TEMA ONLINE e rrjete sociale si FB, diskutonin e i kundërviheshin njëri tjetrit se kjo gjendje kërkonte ndërhyrje të menjëhershme. E pjesa tjetër predikonte mahisjen e plagës derisa shpërthimi i abscesit do të ndodhte pa dhimbje.
Ka në këtë botë gjithmonë thënie dhe kundërthënie, ka pacifistë dhe militaristë, ka gjithmonë një palë që kundërshton palën tjetër, dhe në gjithë këtë proces të gjithë mësojnë prej njeri tjetrit.
E liga, që ka shumë emra, mund të fitojë përkohësisht, por vjen një moment që ajo kalb veten…
Duke uruar njëra- tjetrën këto ditë me një fqinjën time për fitoren e 23 qershorit, më impresionoi fjala e saj kur tha ndonjë gjë skam për të marrë, po ja më duket vetja e çliruar, por në fakt unë e kam parë atë si punonte në një biznes të vogël, e cila paguante qira për ambientin, por pas disa ditësh e pashë disa metra larg atij ambienti, të cilin me sa dukej e kishte lënë, pasi nuk e përballonte dot qiranë, ndoshta edhe prej presionit të jeniçerëve të qeverisë, dhe mbi një tel të improvizuar ajo kishte varur veshjet që tregtonte.
Edhe sot në atë gjendje është, por ndjehet e çliruar….
Kujdes! Shkruante një autor- Ai akoma nuk ka ikur, por festoni thotë dikush tjetër- aparaturat e përgjimit janë çmontuar….
Ndërsa lideri i opozitës Edi Rama premtoi në festën e fitores se do të na provojë se nuk do të jetë diktator si paraardhësit e tij.
Profesori i socialistëve, Servet Pëllumbi, në urimin që i bënte të majtës për fitoren e thellë, theksonte se populli u tregua bujar në këto votime.
Ndërsa, në fakt kjo votë plebishitare i përket vetëm Kryeministrit të votëbesuar ta lexojë ashtu siç duhet lexuar, dhe në fakt, ai e ka quajtur si një VOTË BESIMI dhe në të gjitha urimet që i drejtohen atij nga votuesit, i theksojnë pikërisht këtë gjë: Kemi besim tek ty Edi Rama dhe besimi është ndershmëria. Ndershmëria është të tregosh të vërtetën -dhe me fjalë të tjera është përputhja e fjalëve të thëna me realitetin.
Integriteti është përputhja e realitetit me fjalët tona, me fjalë të tjera, të mbash premtimet dhe të përmbushësh shpresat.
Për këtë u votua në mënyrë plebishitare, sepse Edi Rama nuk premtoi parajsën në tokë, por komunikoi ndershmërisht me njerëzit dhe e mori votën e tyre prej besimit që krijoi tek ta, jo prej bujarisë.
Megjithëse të varfrit nga natyra janë bujar, ata sa herë japin e dinë se nuk u mbarohet.
Do desha ta mbyll me dy vargje të Sadiut:
Mos qoftë i pasur, kush është zuzar
E mos qoftë i varfër, kush është bujar
