Si taksojnë këta marksistët e sotëm
Eduard Zaloshnja
Respublica
Pas dy sulmeve të majta pa bukë të Berishës kundër propozimit të PS-së për heqjen e TVSH-së së bukës – (fshatarët sdo të shesin dot grurin e tyre dhe ulja e TVSH-së do të shkojë në xhep të tregtarëve e jo të qytetarëve, tha fillimisht Berisha) – ai e ka ironizuar dje PS-së nga një pozicion i djathtë. Propozimin e saj për kalimin nga taksimi regresiv në atë progresiv, ai e ka quajtur si të frymëzuar nga Marksi. Rama ka reaguar flakë për flakë në Twitter, duke shkruar: Ne jemi me marksistët Obama, Merkel, Sarkozy e Cameron, madje edhe me marksistin Berlusconi. Kurse Saliu është me çunat e Bllokut të vet.
Po si taksojnë këta marksistë? Në SHBA, të ardhurat mujore deri në 670 dollarë taksohen në nivelin 10%, deri në 2800 dollarë taksohen në nivelin 15%, e kështu me radhë, derisa arrihet në nivelin 35%, i cili përdoret për të ardhurat mbi 31000 dollarë në muaj (familjeve që janë poshtë minimumit jetik të të ardhurave u kthehen taksat e mbajtura gjatë vitit, madje edhe u jepen ca para shtesë). Me pak fjalë, SHBA-të kanë një taksë mbi të ardhurat me ngritje progresive, e cila, në vende si Gjermania, Franca dhe Britania, ngjitet deri në nivelin 40%.
Ndërsa në Shqipëri, taksa mbi të ardhurat është e sheshtë, si për të varfrit edhe për të pasurit niveli më i ulët e më i lartë është po ai, 10%.