Si të dalloni dezinformimin shëndetësor në epokën e rrjeteve sociale?

Në kohën kur informacioni shëndetësor qarkullon me shpejtësi në rrjetet sociale, gjithnjë e më shumë njerëz po përballen me vështirësi për të dalluar të vërtetën nga lajmet e rreme. Sipas një ankete të zhvilluar nga Healthline dhe YouGov në vitin 2024, mbi 50% e amerikanëve kanë ndjekur këshilla shëndetësore të gjetura në mediat sociale, ndërsa vetëm një pjesë e vogël u konsultuan me profesionistë të fushës.
Ekspertët paralajmërojnë se mbështetja tek platformat si TikTok, Instagram etj. për këshilla mjekësore mund të jetë e rrezikshme, sidomos kur këshillat nuk vijnë nga burime të verifikuara. Prirja për të kërkuar informacion që përputhet me bindjet tona e bën edhe më të lehtë përhapjen e dezinformimit.
Për të shmangur lajmet e rreme, profesionistët rekomandojnë verifikimin e burimeve, kontrollin e datës së publikimit dhe kërkimin e mendimeve të ekspertëve të licencuar. Ruajtja e shëndetit fillon me njohurinë e saktë dhe vendimet e informuara.
/rtsh.a/