Si u arrestua Ergys Agasi, nga vila në Shkozet te Plepat. Policia ndërpreu gjurmimin në tregun agroushqimor në Elbasan

SPAK dhe Policia kishin marrë informacion se biznesmeni Ergys Agasi, i shpallur në kërkim prej rreth tetë muajsh, fshihej në një vilë në zonën e Shkozetit, në rrugën “Durrësi në Shekuj”.
Sipas raportit të shërbimit të lexuar nga Tv Klan, operacioni i 28 gushtit , ditë kur u arrestua Agasi, nisi rreth orës 08:00, ndërsa vila, pjesë e një kompleksi rezidencial, u vu nën vëzhgim përmes një droni.
Në orën 11:39, Agasi është konstatuar duke dalë nga kati i dytë i vilës. Sipas hetuesve, pak minuta më vonë, rreth orës 11:59, ai është futur në garazhin nëntokësor të kompleksit dhe në orën 12:02 ka dalë prej aty me një automjet tip “Audi A6”.
Agasi ka lëvizur fillimisht drejt rrethrrotullimit të Shkozetit, më pas në drejtim të Plepave dhe ka vijuar në aksin Kavajë-Rrogozhinë-Peqin. Në orën 13:35, ai ka mbërritur në Elbasan.
Sipas të dhënave të hetimit, në Elbasan Agasi ka hyrë në një rrugë pranë tregut agroushqimor, ku vëzhgimi është ndërprerë përkohësisht. Grupi operacional e ka pritur automjetin në zonën e rrethrrotullimit të Bradasheshit. Tregu njihet si bazë e një grupi të dyshuar kriminal në Elbasan.
Sponsorizuar
Nga Elbasani, Agasi është larguar rreth orës 18:16 dhe është ndjekur sërish nga grupi operacional. Ai ka lëvizur drejt Durrësit dhe rreth orës 19:00 ka mbërritur në zonën e Plepave, ku edhe është arrestuar.
Në momentin e arrestimit, Agasi ndodhej në prani të ish-n/drejtorit të policisë së Elbasanit, Ulian Shpataraku.
Arrestimi i Agasit u krye në kuadër të hetimeve të SPAK, ku biznesmeni dyshohet për disa vepra penale, mes tyre edhe se drejtonte një grup kriminal që paracaktonte tenderat në institucionin e AKSHI-t.a.b