E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si u ndryshua ligji i pronave dhe kompensimit


TIRANË- Procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave ka hyrë në një rrjedhë tjetër. Qeveria ka dërguar për miratim një draft ku kërkohet të bëhen një serë amendimesh në ligjin "Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronës", ku më të rëndësishme janë shkrirja e agjencive rajonale dhe kalimin e kompetencave dhe dosjeve të tyre agjencisë qendrore, përcaktimi i afatit për ankimimet, si dhe shtyrja deri në fund të vitit 2011, e afatit kur dhe duhet të përfundojë procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave në të gjithë Shqipërinë.

Me shkrirjen e zyrave rajonale, të gjitha kompetencat që ato kanë deri më tani do i kalojnë AKKP-së. Për këtë arsye, kësaj agjencie me ndryshimet e propozuara i shtohen një sërë kompetencash, që më parë i kishin zyrat rajonale, duke i dhënë të drejtë asaj që të shqyrtojë të gjitha dosjet e prapambetura, ashtu edhe kërkesat e reja, që do të paraqiten në vijimësi.

AKKP-ja përfundon brenda 3 muajve, nga paraqitja e kërkesës shqyrtimin e dosjeve të subjekteve të shpronësuara për njohjen, kthimin e njohjen e së drejtës së kompensimit, të depozituara në zyrat rajonale në qarqe, për të cilat nuk është marrë vendim. Pas shqyrtimit të kërkesave, drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së shprehet me vendim brenda 3 muajve nga nisja e procedimit te trajtimit të kërkesës, për rrëzimin e kërkesës apo njohjen, e së drejtës së pronësisë, kthimin a kompensimin e pasurisë. Në draftin e paraqitur është parashikuar që zyrat rajonale do të pushojnë së funksionuari 15 ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji, ndërsa brenda 45 ditëve ato duhet të paraqesin në Tiranë të gjitha dosjet që sot kanë në arkivat e tyre.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›