Rama: Qeveria është grabitëse e pronës
Kryebashkiaku akuzoi qeverinë për mungesë vizioni. Ndërtuesit: Duam lehtësimin procedurave të lejeve të ndërtimit
TIRANË- Kryetari i Bashkisë së kryeqytetit, Edi Rama, ka akuzuar dje qeverinë për mungesë bashkëpunimi me kompanitë e ndërtimit dhe sipas tij kjo ndodh për shkak të mungesës së vizionit të qeverisë. Kjo deklaratë është bërë dje gjatë nënshkrimit të një Memorandumi Bashkëpunimi me Shoqatën e Ndërtuesve të Shqipërisë.
"Lënia pa punë e kompanive të ndërtimit në kushtet e kësaj krize që po godit përditë e më fort në dyert e familjeve shqiptare është përshpejtim i krizës dhe mungesë e plotë vizioni për përballimin e saj",- tha dje Rama. Ndërtuesit kanë kërkuar lehtësi të procedurave dhe transparencë në marrjen e lejeve të ndërtimit si dhe miratimin sa më shpejt të planit rregullues të Tiranës.
Në takimin e djeshëm, Rama nuk mund të linte pa përmendur një nga çështjet më të nxehta të ditës, konfliktin e krijuar mes Bashkisë dhe qeverisë për truallin në qendër të Tiranës. Këtë problem kreu i Bashkisë e cilësoi si goditje ndaj të drejtave e lirive kushtetuese të pronarëve, ndërtuesve dhe vetë pushtetit vendor.
"Nuk mund të rri pa përmendur, problemin e krijuar së fundmi në qendër të Tiranës, që është jo thjesht një çështje e një grupi pronarësh, e një grupi investitorësh dhe e një akti zhvillimi të rëndësishëm për kryeqytetin, por është një çështje simbol, e asaj që ndodh sot me titujt dhe dokumentet e pronësisë, me liritë e të drejtat kushtetuese të pronarëve, me kuptimin ligjor e kushtetues të nocionit të kompensimit të pronës", u shpreh Rama përballë përfaqësuesve të shoqatës së Ndërtuesve.
Mbushjen me dhe të truallit në qendër të kryeqytetit nga Ministria e Punëve Publike, ai e cilësoi si një shfaqje të patolerueshme të pushtetit. Rama u shpreh se qeveria po shfaqet si grabitëse e një prone private dhe zaptuese e një territori nën juridiksionin kushtetues dhe ligjor, të një pushteti vendor, të zgjedhur demokratikisht. "Alibia e qeverisë ndryshoi tre herë brenda tre ditësh, për të dalë katërcipërisht në formën që Bashkia e Tiranës e paralajmëroi që në sekondën e parë, formën e tjetërsimit të një prone private, në funksion të interesit privat të Kryetarit të Qeverisë",- tha Rama.
Gjatë takimit të djeshëm, kreu i bashkisë u ndal edhe në ngërçin e krijuar në procesin e miratimit të planit rregullues të Tiranës. Vonesë të cilën e cilësoi si të pakuptueshme dhe me pasoja. Plani rregullues i Tiranës ka përfunduar dhe ka marrë dhe miratimin e të gjitha instancave lokale, nga KRRT te Këshilli Bashkiak i Tiranës dhe ka ngecur në tavolinën e KRRTRSH-së në krye të së cilës është kryeministri Berisha.
"Vonesa në miratim e këtij plani sot është akoma më e rëndësishme në kuptimin e pasojave negative, sesa dje. Sot Shqipëria është në një krizë ekonomike, dhe kompanitë e ndërtimit janë pa më të voglin dyshim pika ku çdo qeveri e arsyeshme dhe e përgjegjshme duhet të kapet për të bashkëpunuar në funksion të përballimit të krizës",- tha Rama.