Si u politizua Censusi?
Rudina Seseri
Është e pamundur të përmendësh censusin dhe të mos marrësh reagime politike. Natyrshëm lind pyetja, si u shndërrua censusi, ky mekanizëm i përdorur në gjithë botën për të regjistruar të dhëna mbi popullsinë, në një vegël politike të shfrytëzuar në çdo nivel, përfshirë këtu edhe aspiratat për krijimin e partive të reja politike.
Si u politizua censusi? Përgjigja është e thjeshtë, censusin e politizoi kryeministri dhe qeveria e tij. Në vend të ngrinte një strukturë ad hoc për të përgatitur, realizuar dhe raportuar censusin në mënyrë të pavarur, qeveria vendosi tia besonte këtë përgjegjësi ekskluzivisht INSTAT-it. Një institucioni që prej vitesh dhe në mënyrë të qëllimshme është shndërruar nga Qeveria në një fabrikë të dhënash false. Me këto shifra, INSTAT ka çoroditur gjithkënd duke na nxjerrë të parët në botë në çdo aspekt. Na cilëson si ekonomia më e fortë e Europës, si i vetmi vend që evitoi krizën, madje na klasifikon edhe dy shkallë mbi SHBA-në.
Si u politizua censusi? Censusin e politizoi kryeministri. Në vend të deklaronte se censusi do të na shërbente për të mbledhur të dhëna për popullsinë, ai qartazi parashtroi axhendën e tij. Nëpërmjet censusit, kryeministri do të provojë se nuk jemi më një vend i prapambetur, por një vend i zhvilluar, në garë me më të mëdhenjtë e Europës, madje edhe të botës. Censusi do të përdoret për të provuar se halucinacionet e Kryeministrit për modelin ekonomik të epokës Berisha janë të vërteta historike, që duhet të kopjohen dhe aplikohen nga çdo shtet.
Në vend që tju sqaronte shqiptarëve me urtësi të mirat e këtij censusi, kryeministri dhe qeveria e tij me arrogancë dhe pa transparencë vendosën edhe një gjobë për ata që nuk do të deklarohen. Kjo masë thellësisht politike, fare e panevojshme, cenon standardet demokratike, nxit kundërshtitë e përfaqësuesve politikë të komuniteteve të ndryshme dhe krijon konfuzion tek këto komunitete.
Në vend që të sqaronte publikun mbi rëndësinë e deklarimit të kombësisë, për ti mbyllur rrugën njëherë e mirë çdo oreksi për një Shqipëri multietnike, kryeministri nxitoi të anatemonte politikisht lëvizjet qytetare, që janë normale në demokraci. Me këtë veprim ai për të njëmijtën herë i ndau njerëzit në pro dhe kundër, në të mirë dhe të këqij, në kuqezi dhe faqezi, duke e instrumentalizuar censusin për qëllime të ngushta politike.
Por, përse e politizoi Kryeministri censusin? Në radhë të parë, sepse ai nuk di të bëjë asgjë tjetër veç politikës. Ai nuk di të menaxhojë punët, nuk di të drejtojë ekzekutivin, nuk njeh as parimet më elementare të zhvillimit, nuk di të bëjë dallimin midis sekretarit të Partisë, kryetarit të partisë dhe shefit të Qeverisë. Së dyti, për të larguar vëmendjen nga procesi teknik i censusit. Askush nuk arriti të kontestojë procesin e rekrutimit të regjistruesve, të caktuar me lista nga degët lokale të PD-së dhe LSI-së, pa marr parasysh kriteret profesionale të përcaktuara më parë. Në këtë mënyrë, (pa)saktësia e rezultateve të censusit përcaktohet që në fillim nga niveli i regjistruesve. Duke u marrë politikisht me censusin, vëmendja largohet nga rezultatet e parapërcaktuara të tij, të cilat do të konfirmojnë domosdoshmërisht treguesit e shpallur nga Kryeministri. Së treti, kryeministri e politizoi censusin për një qëllim të mbrapshtë koncesionesh politike. Ky census nuk do të jetë në gjendje ti japë përgjigje përfundimtare dhe të pranueshme kërkesës së përsëritur të BE-së dhe fqinjëve për numrin e popullsisë minoritare në Shqipëri. Vërejtja do të vazhdojë të mbetet e shkruar me të kuqe në të gjitha raportet për Shqipërinë.
Nga politizimi i censusit nuk ka të fituar, por vetëm të humbur. Shqiptarët humbin mundësinë për të mësuar gjendjen reale të vendit; humbin mundësinë për të korrigjuar politikat e zhvillimit të vendit; humbin mundësinë për tu dhënë fund aspiratave të keqdrejtuara për multietnicitete imagjinare; ndërkohë që të gjithë do të vazhdojmë të ecim symbyllur edhe për të paktën dhjetë vite të tjera, deri në censusin e ardhshëm të vitit 2021. Pavarësisht alibisë se keqregjistrimi është një problem i palës shqiptare, të humbur janë edhe partnerët ndërkombëtarë që financuan miliona euro për këtë census, sepse në këtë proces paratë e taksapaguesve të tyre u keqpërdorën.