E Diel, 1 Nëntor 2026

Si u shkatërrua prova kyçe për 21 janarin

Share

Balkan Insight ka mësuar se prova kyçe me pamje nga kamerat e sigurisë në Kryeministri, është shkatërruar pas protestave.

Nga Besar Likmeta, Balkan Insight

Burimet nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm i kanë thënë Balkan Insight se ekspertiza e kryer në bashkëpunim me FBI-në mbi serverin, që mbledh imazhe nga kamerat e sigurisë në zyrën e kryeministrit, tregon se përmbajtja është kopjuar dhe më pas është fshirë pas protestës.

Kamerat besohet se kanë fiksuar momentet kur anëtarët e Gardës Republikane qëllojnë në drejtim të protestuesve të paarmatosur gjatë trazirës.

Protesta e 21 janarit u kthye në trazirë kur disa qindra protestues të opozitës sulmuan barrikadën e policisë, e ngritur për të mbrojtur zyrën e kryeministrit, duke përdorur shkopinj, gurë dhe koktej Molotov.

Policia u përgjigj me gaz lotsjellës, makina ujëhedhëse dhe më vonë me armë zjarri, duke lënë katër të vdekur dhe dhjetëra të plagosur.

Prokuroria ka kërkuar akses tek serveri menjëherë pas trazirave. Stafi i kryeministrit Sali Berisha refuzoi. Fillimisht qeveria pretendoi se nuk ekziston serveri. Më pas thanë se imazhet janë fshirë automatikisht pas çdo 24 orësh.

Menjëherë pas protestës së 21 janarit, kryeprokurorja Ina Rama nisi një hetim për vdekjen e protestuesve dhe kërkoi të mbledhë prova, ndërsa urdhëroi arrestimin e kreut të Gardës Republikane.

Policia për më shumë se dy javë refuzoi urdhrin e saj për të arrestuar kreun e Gardës me akuzën për vrasje pasi kryeministri Sali Berisha e deklaroi atë dhe pesë oficerë të tjerë si të paprekshëm.

Qeveria e refuzoi urdhrin e prokurorisë duke e akuzuar kryeprokuroren si pjesë të një grushti shteti, organizuar në bashkëpunim me presidentin, liderin e opozitës, kreun e shërbimeve sekrete dhe të tjerë.

Pavarësisht akuzave të qeverisë, Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë deklaroi se urdhër- arrestet ishin të ligjshëm.

Aktualisht vetëm një gardist është në burg, i akuzuar për vrasjen e protestuesve, kurse të tjerët janë nën hetim, por janë liruar me kusht.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›