Kapja e Kristos, reagojnë miqtë: është sherr midis partive politike
Menjëherë pas arrestimit të Artan Kristos kanë ardhur edhe reagimet e para të mbështetësve të tij në forumin, që sipas policisë, është krijuar prej të prangosurit. Megjithatë, postierët e informacioneve të ndryshme në faqen online nuk janë të egra, por shpresohet për lirimin e shpejtë të tij. Një person që identifikohet me emrin "Fudejli" shprehet që "Allahu e ruajt hoxhën dhe ata që e akuzojnë marrshin nga gjynahet e tij". Ndërsa një person tjetër i identifikuar si "Ebu rufjan", i uron lirim të shpejtë Kristos. "Allahu e liroftë hoxhën, vëllain tonë, Muhammed Abdullaun, dhe me këtë sprovë Allahu e pastroftë nga mëkatet", deklaron "Ebu rufjan", duke shtuar se, sipas tij, ky sherr që e ka goditur hoxhën është konflikt partish, pasi e kanë thirrur për të votuar. "Unë kam respekt për këtë hoxhë, edhe nëse nuk pajtohem me idetë e tij, kështu që Allahu e liroftë sa më shpejt", i uron ai të arrestuarit. Ndërsa, sipas një tjetri, akti i arrestimit është dorë e palaçove që i thonë vetes dautçinj, e ndërkohë që janë spiunë të qeverisë dhe armiq të islamit. I identifikuar me emrin "Ebu fatima", deklaron se nuk do të publikojë emra se kuptohet se për kë flitet, vetëm se shton për persona të tillë që "Allahu u shtoftë fitnet dhe ua vështirësoftë gjendjen në ditën e gjykimit". "Betohem në Allahun, përveç të cilit nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë, se shiddah (ashpërsia) nuk gjendet sot mes Selefive të thjeshtë (miskinë). Ata as që nuk arrijnë një të njëqindën e ashpërsisë që kishin Selefët kundër njerëzve të Bidatit (Ehlul-Bid‘ah). Selefët i vrisnin ata (Bidatçijtë), i dëbonin, i bojkotonin, i godisnin dhe i poshtëronin. Kurse Selefitë nuk kanë asgjë (nga ashpërsia që kanë pasur Selefët) dhe janë të varfër", shprehet "Ebu fatima". Nga ana tjetër, shumë materiale dalin të fshira në faqen online të personit të arrestuar, që sipas prokurorisë kishte bërë thirrje për terrorizëm.