Sida në Belsh, prindërit bojkotojnë kopshtin
Elbasan “Rreth 50 prindër në qytetin e Belshit paralajmërojnë largimin e fëmijëve të tyre nga kopshti për shkak të infeksionit të një vajze të vogël me sëmundjen e SIDA-s. Kundërshtimi në formën e një proteste paqësore është zhvilluar dje në mjediset e një kopshti në qytetin e Belshit në shenjë frikë të infektimit të 50 fëmijëve të këtij kopshti nga sëmundja e SIDA-s. Aktualisht, që prej afro dy vjetësh, në kolektivin e vogël të fëmijëve parashkollorë, përpiqet të bashkëjetojë edhe njëra nga dy binjaket që jeton në këtë qytet, por që ka rezultuar me sëmundjen e shekullit që në shtatorin e vitit 2008. Vetëm për pak vite mund të jetojë. Kjo ka qenë garancia e bluzave të bardha dhënë para tre vjetësh, te të cilët Adelajda e vogël paraqitet jo më pak se një herë në muaj. Tashmë rasti i infektimit me SIDA, te vajza e vogël katërvjeçare mbetet prezent në qytezën e vogël të Belshit. Familja Idrizi jeton që prej tri vitesh me ankthin e vajzës apo mbesës së tyre. Ikën nga fshati i Kajanit dhe u vendosën në një apartament të vogël në një godinë pesëkatëshe në qendër të kësaj qyteze, ndërtuar 20 e ca vjet më parë. I ati punon si emigrant klandestin, më tepër për të siguruar pak të ardhura për ilaçet e vajzës së sëmurë, sesa për të rritur mirëqenien e tërë familjes. E ëma, Violeta, përpiqet të rrisë dy binjaket, por me lot ndër sy, përkëdhel Adelajdën e sëmurë që tashmë e di mirë që nuk do ta ketë përjetësisht. E tërë familja, të afërmit, fqinjët e farefisi, duket se janë “përgatitur” për një vdekje për së gjalli, por ngushëllohen me zgjatjen e jetës së saj duke intensifikuar kurat, ndërkohë që i luten Zotit, t’i shpëtojë jetën një engjëlli të pafajshëm. Ankthi dhe dhimbja duket se janë shtuar më së tepërmi dje, kur shokët e shoqet e kopshtit të vajzës së sëmurë kanë dhënë ultimatumin: “Të largohet nga kopshti, ose ne nuk vijmë më këtu”. Apelin e fëmijëve e kanë përcjellë më drejt prindërit e tyre, të cilët kanë heshtur për dy vjet, por sipas tyre, i ka mbërthyer frika e infektimit të fëmijëve të tyre. Nga ana tjetër, mësohet se familja Idrizi ka hedhur në gjyq Ministrinë e Shëndetësisë për indiferencë ndaj ankesës së tyre dy vjet të shkuara. Mësohet se në qershor të vitit 2008 kjo familje ka bërë një denoncim në Prokurorinë e Elbasanit. Duket se organet e drejtësisë në Elbasan, nuk kanë bërë asgjë deri tani. “Kam trokitur në dyert e prokurorisë disa herë, por më kanë nxjerrë përjashta”, ka pohuar gjyshi i vajzës, Agim Dervishi. Ai bashkë me familjarë të tjerë ka kërkuar që të vihen para përgjegjësisë ata që shkaktuan infektimin e dyvjeçares që kur ishte në një moshë jo më tepër se gjashtë muajsh. Familjarët e vajzës së sëmurë janë detyruar të paguajnë aq shumë për analizat në Tiranë, ku prej të cilave është konluduar se infektimi është marrë gjatë dhurimit të gjakut në qendrën e dhurimit të gjakut në Elbasan. Në këtë të fundit është pohuar se çdo analizë, pasi dhuruesi jep gjak, bëhet në Tiranë dhe prej andej konfirmohet laboratikisht përdorimi i dozave të gjakut. Sidoqoftë, vajza nga Belshi, vazhdon agoninë e kësaj sëmundjeje të rëndë dhe kjo po shtohet kur përjeton bojkotin e shokëve të saj në kopsht. Pritet që prokurori i Elbasanit, Gogaj, të hapë dosjen e “harruar” prej afro dy vjetësh për një hetim të mirëfilltë rreth kësaj çështjeje. Ndërsa sot, pritet që të 50 fëmijët e këtij kopshti të mos paraqiten, edhe pse edukatorja ka garantuar se nuk ka asnjë mundësi infeksioni te fëmijët e tjerë.
#