Siguracioni i makinave, faktorët e riskut që përllogariten sipas Rregullores së re

TIRANË, 17 janar/ATSH/ Qytetarë të shumtë janë prekur nga vendimi për hyrjen në fuqi më 1 janar të këtij viti të rregullores së re “Për përcaktimin e faktorëve të riskut që përfshihen në përllogaritjen e primit për produktet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”.
Për policën e re të sigurimit, njohur ndryshe si siguracioni i automjetit, tashmë nuk ka tarifë fikse, por llogariten disa elementë, si fuqia motorike, rajoni, mosha e të siguruarit, eksperienca e shoferit, vjetërsia e mjetit apo edhe arsyeja e përdorimit të mjetit, që mund të jetë për qëllime personale apo për biznes.
Sipas rregullores, koeficienti që lidhet me historikun e aksidenteve të shkaktuara në policën e këtij vitit llogaritet “1” për policën e sigurimit të këtij viti dhe sistemi shpërblyes bonus-malus do të fillojë nga 2026-ta bazuar mbi historikun e 2025-ës.
Sistemi përcakton çmime më të larta për drejtuesit e mjeteve në moshën 18-21 vjeç. Mosha e makinës ka ndikim, pasi është synuar mbështetja për makinat e reja, përfshirë edhe ato elektrike, apo hibride.
Çmimi i siguracionit rritet në mënyrë të qenësishme nëse makina do të përdoret nga bizneset. Me rregullat e reja ka një koeficent 20% rritje për bizneset pasi llogaritet që rreziku është më i lartë në rastet kur ka disa përdorues.
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe deklaroi sot se çmimi i ri i rritur i sigurimit të detyrueshëm të mjeteve motorike-makinave, nuk ka shkak ligjin.
“Ligji është miratuar e ka hyrë në fuqi në 1 korrik 2021”, deklaroi ai.
Braçe shpjegon se më 1 janar të këtij viti, AMF ka vënë në zbatim ligjin përmes një rregulloreje.
“Ligji referonte sistemin bonus-malus për policat e sigurimit, me ndikim mbi çmimin, për të favorizuar sjelljen e mirë e pa dëme në rrugë dhe, për të ndëshkuar e demotivuar edhe me këtë element, shkaktarët e aksidenteve në rrugë. Rregullorja nuk bën këtë. Rregullorja nuk ka lidhje me këtë“, tha ai.
Braçe theksoi se i ka kërkuar Komisionit të Ekonomisë që në mbledhjen e parë të tij, të shqyrtojë këtë çështje.
Kryetari i Asamblesë së Byrosë së Sigurimeve, Kadri Morina në një deklaratë për mediet, deklaroi sot se faktorë kryesorë me ndikim në policë janë mosha e përdoruesit të mjetit si dhe e makinës.
Ai theksoi se për mjetet deri në 1800 CC njohur në gjuhën e përditshme se 1.8 kubik, polica shënon rënie deri në 10 %.
“Mosha e përdoruesve të mjeteve ka ndikim. Edhe këtu është bërë kujdes që të mos penalizohen dy herë drejtuesit e rinj, pasi faktori i moshës të të siguruarit dhe eksperiencës në drejtim e mjetit nuk kanë mbivendosje. Mosha e makinës ka ndikim, pasi është synuar mbështetja për makinat e reja, përfshirë edhe ato elektrike, apo hibride. Makinat me kubikazh të ulët deri në 1800 CC përfitojnë ulje të primit nga 3-10%”, tha ai.
Morina siguroi se AMF dhe shoqëritë e sigurimit kanë marrë të gjitha masat për zhvillimin e sistemeve, sigurinë e bazës së të dhënave dhe informacionit, kontraktimin me aktorët e tjerë në Shqipëri për të marrë të gjitha të dhënat e duhura për një përllogaritje të koeficientëve të rrezikut në mënyrë të saktë, të shpejtë dhe realiste.
Morina deklaroi se faktori i riskut që lidhet me numrin e aksidenteve për këtë vit nuk ka ndikim, pasi do të jetë 1.
“Ndërsa në vitin 2026, klientët që nuk kanë dëme përfitojnë bonus 2%-5%”, tha ai.
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR) bën të ditur se janë 914 915 mjete motorike të regjistruara në Shqipëri deri në fund 6-mujorit të parë të vitit 2024, nga të cilat 738799 janë autovetura. Ndërkohë 541210 kanë vjetërsi mbi 15 vite./a.g/