Për Kreshnikun, shqiptarët nuk janë kuq e zi, duhet t’i lyejë ai
Në fillim të shekullit XX, partitë nacionaliste ishin bërë trend dhe mjet mjaft efikas për ambiciet politike të të paaftëve për të ardhur pushtet me mjete demokratike. Zhveshja e tyre nga maska e patriotëve të mëdhenj ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore. Duke marrë shkasë nga mënyra sesi kishte ardhur në pushtet Adolf Hitleri, pra me deklarata të forta nacionaliste, Winston Churchill tha: “Në kohë paqeje, patriotizmi është streha e maskarenjve”. Churchill theksoi në “kohë paqeje”, pasi në kohë luftë, shpalosja e patriotizmit është një instinkt mbrojtës ndaj pushtimeve të huaja, dhe zakonisht është streha e njerëzve që e dinë ç’është e mira dhe keqja për popullin e tyre. Po për të kuptuar këtë, nuk është nevoja të shfletojmë librat e historisë, por mjafton të shfletojmë gazetat aktuale. Pasi e ç’formoi Këshillin e Lartë të Drejtësisë, e cila duket si një pikturë e Pikasos, Kreshniku, i cili pretendonte se nuk kishte shkelur Kushtetutën me veprimtarinë e tij në AK-ë, pasi dha dorëheqjen, tregoi të shtunën se në fakt e ka shkelur vazhdimisht atë dhe e vulosi këtë shkelje duke i dhënë atributet e një partie Aleancës Kuq e Zi. Megjithëse Kreshnikut mund t’i duket ky shndërrim një metamorfozë e ngjashme me atë të shndërrimit të krimbit në një flutur, realisht, AK-ja ka kaluar nga faza e krimbit në atë të një vemjeje. Aleancë Kuq e Zi, si simotra e saj në Kosovë, “Vetëvendosja”, është alien ndaj realitet të vërtetë politik. Deklaratat e saj të mëdha, të qëndisura me fjalë të “bukura patriotike”, në fakt nuk janë gjë tjetër veçse deklarata agjitatore dhe anti-patriotike. Për të treguar absurdin dhe hipokrizinë e saj, mjafton të zbërthesh deklarata e Kreshnikut. Aleanca Kuq e Zi, para disa çastesh thjesht organizatë e tani parti, e cila i bën jehonë patriotizmit dhe vlerave të shqiptarisë, i nxjerr shqiptarët blanket, pra jo kuq e zi, ndërsa Kreshnik Spahiun, Skënderbeun e ri të shqiptarëve. Gjatë procesit të zbërthimit të deklaratat të Spahiut, zbulohet se misioni i AK-së, sipas tij, është të shqiptarizojë, pra të lyejë kuq e zi shqiptarët. A mos vallë ne shqiptarët nuk qenkemi kuq e zi dhe duhet të presim Kreshnikun që të na vijë “si pëllumb i shkruar të shpëtojë mëmëdhenë”?- e po kjo është absurde. Kreshniku nuk ka kredencialet për të ardhur si “pëllumb”. Ai ka kredencialet për të ardhur vetëm si korb i zi, pa ndonjë qime të kuqe, i cili me sqepin e tij, kërkon t’u çukisë sytë shqiptarëve, për t’i verbuar, në mënyrë që të shohin armiqësi dhe shovinizëm kudo, madje edhe në politikën shqiptare. Për ironi të fatit, të shtunën, gjatë themelit të Këshillin e saj për qarkun e Tiranës, Kreshniku i cilësoi politikanët shqiptarë si “sulltanë”, ndërkohë që vetë e ka mbiemrin Spahi, që në Perandorinë Osmane, ishte një titull që mund të përkthehet në gjuhën e sotme si “diktator” i një çifligu. Të vetmit jo kuqe e zi, sot, të kombit shqiptar janë ata që bërtasin kot për kuq e zi. Shqiptarët janë një popull që gjithmonë kanë qenë kuqe e zi, kjo është arsyeja pse kemi mbijetuar 5 shekuj robëri nën ombrellën otomane. Kuq e Zija e shqiptarëve gjithmonë ka qene e shoqëruar me urtësi dhe zgjuarsi, çka ka bërë të mundur që në 1912 të shpallet pavarësia e Shqipërisë dhe më 2008 ajo e Kosovës. Siç e shikon Kreshnik, shqiptarët kane qene, janë, dhe do të jenë gjithmonë kuq e zi, dhe jo kuq(vetëm faqet i ka të kuqe Kreshniku) e (të)Zi si ty dhe deklaratat e tua.
...