Falimentimi i Greqisë, për shkak se ka trashëguar politikanët e epokës së dhrahmisë
A gjendet kund ndonjë politikan si Elefterios Venizelozi i vonë apo si Kostandin Karamanlis që unë të mos e kem vënë re? A ka guximin ndonjëri prej liderëve të Greqisë t?iu tregojë njerëzve të vërtetën rreth situatës dhe më pas të veprojë për të bërë atë që duhet bërë? A mundet ndonjëri prej tyre t’i shohë në sy partnerët tanë të huaj dhe të negociojë? Përgjigjja e të gjithave më sipër është, me siguri, jo. Politikanët tanë po bëjnë ekzaktësisht të kundërtën e asaj që duhet bërë. Me sa duket ata mendojnë se mund ta mashtrojnë publikun duke hedhur fajin vazhdimisht tek dikush tjetër - të tillë si trojka apo Angela Merkeli - kur vjen puna tek masat të cilat do duhej t’i kishin prezantuar shumë kohë më parë edhe sikur Greqia të mos kishte asnjë cent borxh. Politikanët grekë po përpiqen të duken të zgjuar para një shoqërie e cila lehtësisht mund të shikojë përtej pozave të tyre prej burrash të regjur, të cilët po përpiqen të mbajnë në ekuilibër krenarinë e dëmtuar kundrejt nevojës për mbijetesë kombëtare dhe individuale. A nuk e kuptojnë ata se sa lakuriq, amatoreskë dhe të pasigurt paraqiten në sytë e atyre të cilët supozohet se po na besojnë paratë e tyre? Unë sinqerisht nuk besoj se ata kuptojnë ndonjërën prej këtyre. Prandaj Greqia është poshtëruar në Evropë dhe më gjerë. Frustrimi po i shtyn votuesit drejtë partive të majta dhe abstenimit. Të huajt nuk u besojnë politikanëve tanë, as ne nuk u besojmë. “Si mund tua besojmë paratë tona këtyre njerëzve”?, thonë evropianët. “Në rregull, ne i bëjmë të gjitha sakrificat, por çfarë ndodh pastaj? Si mund t’ju besojmë këtyre politikanëve të na udhëheqin përtej lumit”?, pyesin grekët. Për çdo orë që kalon, politikanët tanë po bëjnë gjithçka munden për të sabotuar sistemin politik. Ata janë krejtësisht të mërzitshëm kur grinden në televizion apo kur marrin atë pamje të zymtë për të treguar se ndihen të tronditur lidhur me projektligjet që duhet të votojnë. Politikanët po bëjnë gjithçka munden për të minuar zgjidhjen Papadhimos ngase mendojnë se është çmenduri të dorëzojnë pushtetin tek dikush që nuk i përket kastës së tyre. Dy gjëra janë të nevojshme në mënyrë që të shpëtojë Greqia: e para, politikanë të cilët kanë guxim ta thonë të vërtetën e pakëndshme dhe, e dyta, një qeveri e bashkimit kombëtar. Për momentin, ne po qeverisemi nga politikanë që janë më të përshtatshëm për epokën e dhrahmisë por që duan të na mbajnë në Eurozonë dhe nga një qeveri që u është nënshtruar sulmeve sistematike të partive të cilat supozohet se do ta mbështesin atë.