Historiografia enveriste në zvetënim tërësor
Dihet sesi “Veprat” e Enverit kanë pasur ribotime të njëpasnjëshme për arsyen e thjeshtë se heronjtë e punës, si edhe ata të rangjeve të larta të n.çlirimtares, e kanë humbur befasisht titullin e heroit të popullit, për t’u shpallur aty për aty, armiq. Mullarë letrash kanë përfunduar në brumatriçet për letër e karton. Një mori zanatçinjsh të falsifikimeve të fotove, kanë shndërruar brenda ditës fotot me personalitete pranë diktatorit, me krah për krah, për “meritat” në punë dhe në luftë, me fotografi „të reja“ të cilat janë përftuar me zhvendosjet përkatëse. Fotot origjinale, kanë krijuar fotot zëvendësuese dhe, njëherësh, vandakë të panumërt letrash për furnizim të fabrikave që i grimconin e i bënin brumë për karton të cilat, nga ana e tyre, do të zhduknin sërish vetveten, në një perpetum mobile.
Këto bëheshin në kohën e diktaturës. Por që do të vazhdonin falsifikimet si një herë e një kohë, pas ndërrimit të sistemeve, me po atë ritëm, kjo vetëm për ata që kishin pësuar një shpëlarje të pashërueshme të trurit, këtë krim e atentat ndaj së vërtetës, mund ta gëlltitnin si të besueshëm. Një libër për të mashtruar njerëzit e Kosovës, me “autor” Enver Hoxhën, ka dalë tani, në ndërrimin e shekujve, botim i Nexhmijes dhe me përgatitjen e librit nga i biri, Iliri.
Ky libër me titullin “Kosova është Shqipëri” dhe me një nëntitull “Nga ditari politik”, përmban shkrime të pabotuara “intime” gjer më tash, që nisin me 2 janarin e vitit 1963 dhe mbarojnë në 30 dhjetor 1984, domethënë tre muaj e disa ditë nga data e vdekjes. Përse mungon pjesa e mëparshme e këtij vëllimi? Sepse-ja është tepër e qartë. Këtu jemi tepër larg prej kohës në të cilën rrethanat politike i dhanë mundësinë E. Hoxhës që të renditej përkrah Stalinit, kur diktatori i B.S. e përjashtoi Titon nga Informbyroja. Dhe është krejt e natyrshme që një stalinist si Enveri ta bënte ish-mikun e tij, mareshalin Tito, armik. Kjo mungesë kohore është, po ashtu, dëshmi e një tendencioziteti në kuptim të një falsifikimi të së vërtetës, si pjesë e atij mashtrimi kolosal.
Nëse do të donim ta përmblidhnim të gjithë këtë veprimtari për t’i dhënë një kozmetikë tjetërsuese diktaturës, për shembull ta paraqitjes së mjerimit ekonomik me tallona, në lulëzim, apo të mungesës absolute të lirisë në një votëbesim të përmasave 99,99 % (!), në një rast tepër të veçantë, synohej që shitja e paskrupullt e Kosovës, të paraqitej si dashuri e pastër atdhetare! Libri i fundit propagandistik me ditarët intimë të Enverit, që Nexhmija i nxjerr në qarkullim, jo më kot fillon me nisjen e viti 1963, duke lënë jashtë periudhën 1941- 1948. Pa këtë njëanshmëri kohore Ditari do të ishte diskreditues përkundrejt inkoherencës që do ta bënte dukshëm të pabesueshëm. Të dy periudhat do të ishin në kundërshtim flagrant me njëra-tjetrën. Jo më kot një apologjet fanatik i historiografisë enveriste nxjerr tash së voni mllefin e vet kundër studiuesve Prof. Ndreçi Plasarit dhe Dr. Luan Maltezit, për librin dokumentar “E. Hoxha dhe katër ditët e Beratit (23-27 nëntor 1944)”, një libër për Plenumin e 2-të të KQ të PKSh-së, kur autorët e këtij libri nuk kanë bërë as ndërhyrjen më të vogël në diskutimet e funksionarëve partiakë më të rëndësishëm të kohës. Tjetër punë ajo që Enveri, hija e Miladinit siç e pohoi vetë, ishte detyruar të nxirrte në shesh disa të vërteta që evidentojnë terrorin komunist, vrasjet pa argumente me gjyq e pa gjyq, vasalitetin ndaj emisarëve të parë dhe, pastaj ndaj të dërguarve të rinj të KQ të Jugosllavisë, Velimir Stojniçit dhe Niaz Dizdareviçit.
Sipas etalonit të korrigjimeve të njëpasnjëshme të “Veprave” , edhe në vëllimin e tanishëm, nënkuptohet se janë bërë krasitje dhe adaptime për t’iu përshtatur çastit. Do të kërkohej të viheshin qoftë një apo dy faqe të këtij Ditari, të fotokopjuara, që të shihet nëse është vënë dorë apo jo nga përgatitësit e tij. Libri i Luan Dodes “Kosova në qëndrimet e Enver Hoxhës” (2006) , mund të shërbejë si një vepër plotësisht e besueshme për të nxjerrë dyzimin e diktatorit në çështjen kosovare. E themi këtë, se të gjitha argumentet janë të saktësuara me referenca dhe autori i është shmangur çdo lloj subjektivizmi dhe retorike të hamendësuar.
Nëse N. Hoxha e ka bërë këtë punë (botim të “ditareve” në një kohë kur bashkëshorti i saj ka lëpirë gjithçka thoshte gjer në vitin 1948), ajo e ka rënduar edhe më tej rolin e panegjirikes së diktaturës. Në qoftë se ka dashur t’i bëjë një sfidë “Zonjës së Zezë”, aq më keq për të. Mjafton të themi se ky libër tashmë është bërë një best-seller ndërkombëtar, ndërsa protagonistes së acarimit barbar të luftës së klasave, i besojnë vetëm të indoktrinuarit e nostalgjisë, që është një plagë në shoqërinë shqiptare, një fatkeqësi e përforcuar nga mungesa e destalinizimit dhe nga vazhdimësia e doktrinës staliniste në vendin tonë, kur kjo dukuri mortore (e kultit të Stalinit) u zhduk në të gjitha veprimtaritë partiake të botës, me disa përjashtime që nuk numërohen as me gishtat e njërës dorë.
***
Tani na duhet të flasim konkretisht për kundërthëniet e librit, që shpresojmë të jetë i fundit, i përgatitur nga propagandistja e së keqes, Nexhmije Hoxha.
Në f. 80 shkruhet për “qërimin nga Kosova të Dushan Mugoshës, si edhe i rankoviçëve të tjerë me damkë”. Por a nuk kemi përlotjet për largimin e këtij krimineli, me letra dashurie nga zonja e bllokut, Mugoshës, që ka pas vrarë me dorën e tij antifashistët e kthyer nga universitetet europiane, për të luftuar kundër okupatorit, Besnik Çanon, Qeramudin Sulon, Adi Kasimatin e të tjerë? (“Batalioni Besnik Çano” i rinisë nacionaliste përmendet si pjesëmarrës në luftime të përgjakshme kundër pushtuesve serbë - L.Dode, f.68). Faji i tyre ishte se e luftuan okupatorin në formacione nacionaliste dhe jo të n. çl-s. Në f. 102 të këtij Ditari, përsëritet prapë Dushani, i krahasueshëm me Rankoviçin. Por sa nacionalistë e n.-çl-ë janë vrarë për kundërvënie ndaj Dushanit. Le të përmendim vetëm Edip Tërshanën dhe Ramize Gjebrenë... (Nga burgu, para se ta ekzekutonin, Edipit iu gjet një letër drejtuar Enverit: “Kjo asht tradhti kombëtare”!). Në f. 195 të Ditarit tani na jepet citati i Mugoshës; që kërkoi që “Krahina e Kosovës t’i aneksohej Serbisë”. Të vrarët nga Dushani a i dalin, vallë, në ëndërr Nexhmijes: - “Tani u kujtove ti, Ledi Makbeth?”.
Në f. 148 kemi fjalët e bukura se “jemi një komb, jemi një gjak, jemi vëllezër”. Le të lexohet libri për Namik Luçin, ku një mori kosovarësh e marrin si shembull atdhedashurie, që u arratis nga përndjekjet e UDB-së dhe ra nga shiu në breshër në Shqipëri. Ishte një kimist - shkencëtar që ka bërë inovacione teknologjike dhe e merrnin për ekspertizë ata të ministrisë, kur nuk kishin nga t’ia mbanin. E izoluan, si të ardhurit e tjerë nga Kosova; e burgosën, e katandisën të sëmurë kur erdhi liria e 90-s. Vdiq i ri, nga vuajtjet e hetuesive. Kosovarët ishin miq, kinezët ishin vëllezër! Në këtë libër tregohen sesi ishte shpifur gjithë ai mosbesim patologjik për t’i çuar kosovarët larg njëri-tjetrit, me shpatën e Damokleut përmbi kokë! Tani na u kujtuan të përvetësojnë shprehjet e nacionalistëve të Mukjes të cilët, në fillim të gushtit të 1943-shit, kur u zhvilluan punimet e kësaj mbledhjeje, kishin shumicën e formacioneve luftarake në të gjithë vendin, siç pohohej edhe nga mjaft n.çl-ë të kohës. Nac.çl.-i Haki Stërmilli flet me simpati për Y. Dishnicën dhe për M. Gjinishin, madje edhe për deputetin e legjislaturës së parë, Shefqet Bejën, që u ekzekutua se ishte pluralist! (“Mukja, shans i bashkimit, peng i tradhtisë” f. 29, 46, 100). Në f.37 të këtij libri shohim këtë dialog interesant ndërmjet Hasan Dostit dhe Mustafa Gjinishit, në shtëpinë e Ramazan Jaranit: “-H.D: Kush ka influencë dhe forca më të mëdha?-M.Gj: Nacionalistët.H.D: Kush do të fitojë? -M.Gj: Po të bashkohemi, do të fitojë Shqipëria.H.D:Po të mos arrihet bashkimi, atëherë do të fitoni ju, sepse e dini dobësinë tonë. Ne, si demokratë që jemi nuk mund t’ju konsiderojmë armiq e t’ju luftojmë pa skrupull, ashtu siç bëni ju ndaj nesh. –M.Gj:Po fituat ju, e di që nuk do të më hyjë gjembi në këmbë, përndryshe s’dihet si do të vejë fati yt dhe imi, bashkë! Një profecí tragjike kjo e Mustafa Gjinishit, që u vra prapa krahësh, u shpall hero, pastaj tradhtar!
Tani, pas ’48-s, kur mund të flasësh ç’të duash kundër Miladinit, Dushanit, Velimir Stojniçit, Niaz Dizdareviçit, Zvetovar Vukmanoviçit (Tempos), e shumë të tjerëve, të cilëve u është qëndruar me dorë në zemër. Madje edhe kundër Titos, i cili ishte ngritur në qiellin e shtatë. Tani s’lë gjë pa thënë. Por është kapitull më vete. Mund të kemi rastin në ndonjë shkrim të veçantë për këtë subjekt. Në f. 250 lexojmë: “Asgjë nuk mund t’i mbulojmë e t’i justifikojë raprezaljet e përgjakshme kundër shqiptarëve në vitin 1945...”. E turpshme! Flitet, pa e përmendur me emër, për masakrën e Tivarit, në mesin e marsit të vitit 1945, ku u vranë mbi 4500 kosovarë të pafajshëm. Shifrantit që i çoi në tavolinë lajmin e zi të R.Alisë, të dekodifikuar, E.H.-a i kishte thënë ta qepte kudo gojën se i ikte koka! Tani na thotë: asgjë nuk
mund ta mbulojë këtë krim! Na i thotë ai, që e mbuloi vetë! Ndërsa shifranti e hapi gojën pas nëntëdhjetës, se s’e mbante dot përbrenda.
Akuzohen serbët për gjyqe false kundër kosovarëve (E.H. është vetë prototipi i gjyqeve false). “Ne nuk jemi me dy faqe” (f. 297) – shkruan ai. Në të vërtetë është me 12 faqe: Me Jugosllavinë, kundër Jugosllavisë; Me Titon, kundër Titos; me Rusinë, kundër Rusisë; me Kinën, kundër Kinës! Kundër Krushovit, pastaj pritje madhështore e tij, sërish kundër Krushovit, gjer në fund! Por E.H.-a u ka marrë edhe shprehjet nacionalistëve (të vrarë më pas prej tij), në tradhtinë që i ka bërë mbledhjes së Mukjes, me urdhrin tërë mllef të M. Popoviçit. Në këtë rast është vënë në rol të plagjiarit!