E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Siguria e Shqipërisë është siguri edhe për ne”

19/10/2009  Ministri i Jashtëm turk vizitë zyrtare në Tiranë. Takim kokë më kokë me homologun Ilir Meta

Shefi i doplamacisë turke pritet në një takim të veçantë nga Kryeministri Sali Berisha

Siguria e vendit tonë është shumë e rëndësishme për Republikën e Turqisë. Ky është qëndrimi që ka mbajtur ministri turk i Punëve të Jashtme Ahmet Davutoglu gjatë konferencës së përbashkët për shtyp së bashku me homologun e tij shqiptar, ministrin Ilir Meta. “Siguria dhe stabiliteti i Shqipërisë është siguri dhe stabilitet edhe për ne”, - ka deklaruar minitri turk. Në konferencën për shtyp, mbajtur pas takimit kokë më kokë në zyrën e ministrit Meta, shefi i diplomacisë turke ka theksuar se marrëdhëniet mes dy vendeve janë në nivel të përkryer dhe se nuk ka asnjë problem. “Turqia e shikon Shqipërinë edhe në perspektivën e Ballkanit dhe të Mesdheut. Ne me Shqipërinë do të vazhdojmë të gjitha përpjekjet tona për të siguruar një rajon të qëndrueshëm dhe të sigurtë”, ka deklaruar Davutoglu. Nga ana e tij ministri i Jashtëm shqiptar Ilir Meta është shprehur në të njëjtën linjë. Sipas tij, bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Turqisë është i një niveli të shkëlqyer, i cili po njeh një dinamikë të jashtëzakonshme gjatë viteve të fundit. Ministrat e Jashtëm kanë bërë me dije heqjen e pagesës që qytetarët shqiptarë duhet të paguajnë për vizat turke. “Është një lajm shumë i mirë për të gjithë qytetarët tanë që ne kemi rënë dakort të hiqet pagesa për vizat, e cila është jo vetëm një kosto financiare, por mbi të gjitha edhe një barrierë psikologjike”, - ka deklaruar shefi i diplomacisë shqiptare.

Gjatë qendrimit të tij në Tiranë ministri i Jashtëm turk është pritur në një vizitë të veçantë nga Kryeministri Sali Berisha. Gjatë këtij takimi theksi është vënë në marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy qeverive dhe dy vendeve. Kryeministri Berisha i shprehu mirënjohjen për mbështetjen e madhe që Turqia i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë këtyre vjetve në të gjitha fushat. Ministri turk Davutoglu u shpreh se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të shkëlqyera dhe se Turqia vlerëson lart kontributin personal të Kryeministrit Berisha dhe qeverisë së tij në konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera miqësore mes dy vendeve dhe popujve miq si dhe në intensifikimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit në të gjitha fushave mes dy vendeve në të mirë të mirëqenies dhe begatisë të të dy popujve. Në veçanti në takim u vlerësua fakti se investimet turke në Shqipëri kanë njohur një rritje të jashtëzakonshme të investimeve gjatë mandatit të shkuar 4-vjeçar të qeverisë “Berisha” nga rreth 50 milionë përpara këtij mandati, po afrojnë tashmë shifrën rreth 1 miliard dollarë.

Kryetarja Topalli pret kreun e diplomacisë turke Davitoglu

“Turqia e interesuar për bashkëpunimin parlamentar me Shqipërinë”

Ministri i Jashtëm i Turqisë Ahmet Davutoglu është pritur dje edhe nga Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, i cili i përcolli përshëndetjet e Kryetarit të Asamblesë së Turqisë Mehmet Ali Sahin. “Turqia është e interesuar për bashkëpunimin parlamentar me Shqipërinë, pasi parlamenti është shpirti i një kombi. Marrëdhëniet historike mes dy vendeve kanë njohur gjithnjë e më shumë rritje dhe tashmë fokusi do të jetë bashkëpunimi dhe integrimi ekonomik”, - tha ministri Davutoglu. Ai nënvizoi se atmosfera miqësore mes dy vendeve, numri i madh i qytetarëve turq, por dhe i një numri deputetësh me origjinë shqiptare në Parlamentin turk ka ndikuar në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Nga ana e saj kryeparlamentarja Topalli e vlerësoi shumë domethënëse mbështetjen e Turqisë, veçanërisht në partneritetin në NATO. Ajo tha se bashkëpunimi ndërparlamentar ka nisur të marrë një dimension të ri, duke e bërë diplomacinë parlamentare komplementare të diplomacisë ekonomike. “Vetëm në katër vjetët e fundit shkëmbimet ekonomike me Turqinë janë katërfishuar. Unë besoj në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik në infrastrukturë, telekomunikacion dhe gaz, por edhe në arsim e kulturë”, - tha Topalli. Duke u ndalur në politikën rajonale, Kryetarja e Kuvendit vlerësoi mbështetjen e Turqisë për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Për këtë çështje ministri Davutoglu bëri me dije se Turqia ka në prioritetet e politikës së saj të jashtme vijimin e mbështetjes për rritjen e numrit të vendeve që njohin shtetin e ri të Kosovës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›