E Shtunë, 31 Tetor 2026

Orientim i ri për investimet e turizmit

19/10/2009  Turizmi dhe Real Estate në Shqipëri

Investimet dhe zbatimi i projekteve të reja në fushën e turizmit pritet të marrin një orientim të ri. Kjo është theksuar gjatë punimeve të konferencës tre ditore organizuar nga Shoqata e Investitorëve të Huaj (FIAA) dhe Elida Co’94, mbi “Oportunitetet e Turizmit dhe të Real Estate në Shqipëri”. Mbi 200 pjesëmarrës përfaqësuan institucionet shtetërore, bashkitë, bankat, portet, operatorët turistikë, projektet ndërkombëtare në Shqipëri dhe diskutuan për një program strategjik, të politikave dhe projekteve në fushën e turizmit dhe pasurive të patundshme, me qëllim rritjen e investimeve të huaja në sektorin e turizmit. “Në këtë konferencë ndërkombëtare, u prezantuan potencialet dhe sfidat në sektorin e turizmit me qëllim tërheqjen e vëmendjes së investitorëve të rinj dhe orientimin e tyre drejt planeve strategjike të investimeve në Turizëm dhe Real Estate”, – tha drejtoresha ekzekutive e FIAA, Marinela Jazoj. Sipas saj, ekspertë shqiptarë dhe të huaj të turizmit vunë në dukje fenomenin e ndërtimeve të pastudiuara në një pjesë të konsiderueshme të zonës turistike bregdetare dhe kërkuan nga qeveria vlerësimin për të bërë investime të studiuara që mund të ofrojnë standardet e duhura të këtij sektori. Ndërkohë që përfaqësues të bankave kërkuan të bashkëpunojnë me qeverinë shqiptare për financimin e projekteve të rëndësishme. Drejtori i përgjithshëm i Tirana Bank, Dimitris Santihis, u shpreh se ky bashkëpunim mund të shtrihet sidomos në projektet për përmirësimin e infrastrukturës. “Qeveria shqiptare duhet t’ju ofrojë bankave mundësi informacioni për planet urbanistike, ndërsa bankat nga ana e tyre të përcaktojnë zonat e interesit për financim. Për bankat është e rëndësishme të themi se koha e investimeve spontane ka mbaruar. Tani është një fazë e re bashkëpunimi ku jo çdo kush mund të marrë financime”, - tha ai. Një pikë e rëndësishme në këtë konferencë ishte edhe sjellja e ekspertizës ligjore nga kompania “Tonuçi and Partners” për çështje të pronësisë, koncesioneve dhe të drejtat e investitorëve të huaj. Robert Antista, drejtor i “Colliers International Albania”, duke referuar mbi këtë temë vuri në dukje se “zhvillimi i tregut të pasurive të patundshme luan një rol të rëndësishëm në rritjen e investimeve”. Ndërkohë që drejtues të Shoqatës së Ndërtuesve u ndalën në orientimin e investimeve strategjike. “Këto lloj investimesh duket se shihen me përparësi edhe nga sistemi financiar”, - nënvizuan ata. Sipas tyre, rënia e investimeve në sektorin e ndërtimit është e kushtëzuar nga vështirësitë e kreditimit. Prirja drejt ndërtimeve më të studiuara u bë më konkrete me vizitën në panairin e turizmit dhe real-estate, të organizuar njëherazi me konferencën. Në rreth 50 stenda të veçanta për herë të parë u prezantuan një numër i madh bashkish me studime urbanistike të zonave të tyre, duke u paraqitur investuesve mundësi konkrete për financimin e projekteve të zhvillimit. Kështu, ndër të tjera, projekte ambicioze investimesh u paraqitën edhe nga sipërmarrja private. Veçohet një plan investimi prej rreth 860 milionë eurosh për t’u ndërtuar në zonën e Vlorës (Nartë). Në këtë plan përveç rezidencave, komplekseve të pushimit e argëtimit është parashikuar edhe një fushë golfi. Gjatë dy ditëve të konferencës, USAID-i organizoi një diskutim midis liderëve të të dy sektorëve mbi zhvillimin e partneriteteve midis sektorëve publikë dhe privatë në turizëm dhe zhvilloi takime me bizneset midis agjencive turistike shqiptare dhe atyre të huaja. Aktiviteti vijoi me një udhëtim një-javor të përfaqësuesve të agjencive të huaja turistike (Fam Tour) në bregdetin jugor të Shqipërisë dhe në 3 site të regjistruara në listën e pasurive botërore të UNESCO-s në Butrint, Gjirokastër dhe Berat. Përveç prezantimit të trashëgimisë së pasur kulturore dhe historike shqiptare, investitorët e huaj u takuan me bizneset shqiptare për të diskutuar mundësi për bashkëpunim në të ardhmen. Gjithashtu u prezantua edhe programi më i fundit 5-vjeçar i USAID-it, “Rritje Albania” me vlerë 10 milionë dollarë, që do të rrisë konkurrueshmërinë e ndërmarrjeve bujqësore shqiptare. Dita e fundit e konferencës u mbyll me një vizitë guidë në jug të Shqipërisë e organizuar nga FIAA, në qytetin e Orikumit, ku pjesëmarrësit u njohën me studimin e planit urbanistik të zonës së Orikumit me përparësi turistike. Plani urbanistik parashikon ndërtimin e komplekseve turistike, rezidencave, hoteleve, parqe. Sipas përfaqësuesve të kësaj bashkie, kapaciteti i pritjes së zonave të përfshira në studim është deri në 30 mijë pushues. Konferenca u organizua nga data 7 deri 9 tetor në Tiranë në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Ministrinë e Transporteve dhe Intesa SanPaolo Bank, Tirana Bank, Colliers International, Tonuçi & Partners, Sigal.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›