Kërkesat për arsimin profesional, “Thoma Papapano” plotëson kuotat në 2 nga 5 programe studimi

Shërbime në mjete transporti dhe TIK janë dy degët që kanë siguruar numrin e nxënësve për të funksionuar këtë vit mësimor në shkollën profesionale “Thoma Papapano” në Gjirokastër.
“Një fenomen që ka ndodhur këtë vit shkollor është që numri i nxënësve të regjistruar në këto drejtime, në drejtimin elektroteknik, në drejtimin hoteleri-turizëm apo në drejtimin termohidraulik, nuk e përmbush numrin minimal për t’u çelur drejtimi mësimor”, tha drejtoresha Renata Puleri.
Ndërsa regjistrimet vijojnë deri në fund të shtatorit, drejtoresha Renata Puleri u kujton nxënësve dhe prindërve të tyre pse duhet zgjedhur arsimi profesional.
“Shkolla profesionale nuk është thjesht një shkollë. Shkolla profesionale ju jep një profesion, ju jep fëmijëve një profesion dhe në përfundim të vitit të tretë kjo shkollë ju jep edhe certifikatën e maturës profesionale. Pra, nxënësit mundet të punësohen apo të vetëpunësohen direkt pas përfundimit të kësaj”, tha ajo.
Për të rinjtë që ndjekin shkollat profesionale, qeveria ofron edhe lehtësira, të cilat Puleri i rendit përmes mikrofonit të RTSH.
“Gjithë ata fëmijë që ndjekin arsimin profesional, ju ofrohet bursë për fëmijët që janë larg qendrës, larg qytetit të Gjirokastrës. Ju ofrohet rimbursim i transportit. Për fëmijët që janë larg, ka konvikt. Konvikti është me të gjitha kushtet”, tha ajo.
Shkolla profesionale “Thoma Papapano” mbetet një mundësi e mirë për të rinjtë e rajonit jugor që duan të marrin një profesion që i nxjerr shpejt në tregun e punës.
Gazetare: Y.Ponde
/rtsh.al/