Koncesionet dhe PPP, ankesa për pavlefshmëri brenda 6 muajve

TIRANË, 11 shtator /ATSH/ Komisioni i Prokurimit Publik do të jetë organi kompetent për shqyrtimin e ankesave për pavlefshmërinë e kontratave të koncesionit dhe partneritetit publik privat, sipas rregullave të reja të miratuara nga Këshilli i Ministrave.
Sipas vendimit, operatorët ekonomikë kanë të drejtë të ankohen pranë KPP-së për pavlefshmërinë e kontratës, brenda gjashtë muajve nga dita pas lidhjes së saj.
Me marrjen e ankesës, KPP vendos, me vendim të ndërmjetëm, pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të kontratës deri në marrjen e vendimit përfundimtar. Megjithatë, institucioni mund të lejojë vijimin e zbatimit të kontratës kur pezullimi mund të cenojë çështje thelbësore të interesit të përgjithshëm.
KPP mund të shpallë një kontratë absolutisht të pavlefshme kur konstaton kushtet e përcaktuara në ligjin “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”. Në rast se pavlefshmëria do të cenonte çështje thelbësore të interesit të përgjithshëm, kontrata mund të mos shpallet e pavlefshme.
Në këto raste, KPP mund të vendosë shkurtimin e afatit të zbatimit të kontratës dhe dënimin me gjobë të autoritetit ose entit kontraktor për shkeljet e konstatuara.
Gjoba do të përcaktohet në raport me vlerën e kontratës së nënshkruar, por nuk mund të jetë më e lartë se 10% e vlerës së saj. Në përcaktimin e masës së gjobës do të merren në konsideratë rëndësia e shkeljes, pasojat e shkaktuara, proporcionaliteti me dëmin, vlera e kontratës, parimet e koncesionit dhe PPP-së të shkelura, si dhe përsëritja e shkeljeve.
Vendimi i KPP-së mund të ankimohet në gjykatën kompetente për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve administrative.
Rregullat e reja do të hyjnë në fuqi së bashku me ligjin nr. 88/2025, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”.
/e.xh/a.f/