E Diel, 1 Nëntor 2026

Siguria në punë jo në nivel të kënaqshëm

Siguria në vendet e punës në Kosovë ende nuk është në nivel të duhur. Si pasojë, 5 persona kanë humbur jetën në vendet e punës, vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, përderisa vitin e kaluar kishin humbur jetën 17 sish.

Kështu tha kryeinspektori i punës, Basri Ibrahimi, në përmbyllje të fushatës njëmujore për sigurinë dhe shëndetin në punë.

Siguria dhe shëndeti në vendet e punës janë faktor kyç për të gjithë të punësuarit. Por disa punëdhënës, sidomos në disa sektorë me rrezikshmëri të lartë siç është ndërtimtaria, ende nuk janë të vetëdijshëm sa duhet rreth ofrimit të kushteve për punë të sigurt, të garantuara me Ligjin e sigurisë në punë.

Për këtë arsye, organet përkatëse të shtetit kanë ndërmarrë një fushatë për ngritjen e vetëdijes së punëdhënësve për obligimet që kanë ndaj të punësuarve, tha kryeinspektori Basri Ibrahimi, për RTK.

“Për fatin e keq gjatë inspektimeve tona që siguria e punëtorëve në vendin e tyre të punës ende nuk është në nivelin që ne dëshirojmë. Në vitin 2012 ne kemi pasur 17 raste të vdekjes në vendin e punës, kurse gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti 5 raste të vdekjes në vendin e punës”, deklaroi ai.

Sekretari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi tha se peshën më të madhe në zbatimin e këtij ligji e bartin punëdhënësit.

“Kërkesë e punëdhënësve është që ky proces të mos shihet si proces që do të jetë i drejtuar me një lloj presioni, por të jetë një proces interaktiv, ku edhe punëdhënësve iu mundësohet të zbatojnë dispozitat e këtij ligji”, deklaroi ai.

Kurse kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi theksoi se fushata vetëdijesuese mund të ndikojë në përmirësimin e kushteve të sigurisë dhe shëndetit në punë.

“Në të kaluarën nuk kemi pasur një vetëdijesim shumë të mirë, por ndoshta tani do të bëhet më shumë. Por mendoj se duhet ta fuqizojmë anën praktike, vizitat në terren duhet të jenë shumë të shpeshta”.

Ligji për sigurinë në punë është miratuar me ndryshime përkatëse gjatë këtij viti, dhe garanton sigurinë në vendet e punës, për dallim nga Ligji i punës i cili merret me rregullimin e çështjeve administrative kontraktuale mes punëdhënësve dhe punëmarrësve. Ndërkaq moszbatimi i këtyre ligjeve mund të gjobitet me shumën deri në 35 mijë euro./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›