E Diel, 1 Nëntor 2026

Sigurimet Shoqërore, Berisha premton ulje pas rritjes së korrikut

Berisha ka premtuar sot ulje të sigurimeve shoqërore deri në 15% duke filluar nga 1 janari 2009. Sipas Kryeministrit, "tani Qeveria do të bëjë hapin e dytë madhor, duke ulur me 25 përqind më tej sigurimet shoqërore". Ky vendim, sipas tij,  u bë i mundur për shkak të konsolidimit progresiv të disiplinës fiskale në Shqipëri nga autoritetet përgjegjëse, si dhe për shkak të rritjes së të ardhurave nga sigurimet shoqërore me mbi 33 përqind.      Kryeministri Berisha shprehu bindjen se "biznesi shqiptar dhe ai ndërkombëtar do ta presin me kënaqësi të veçantë këtë vendim të qeverisë". Por kjo ulje vjen pas rritjes qe beri ne muajin korrik duke e cuar taksen mbi pagat ne 43%. Artikulli i meposhtem tregon qarte rritjen e bere nga qeveria Berisha ne daten 30 korrik, vetem 21 dite me pare.

30 korrik, qeveria rrit taksa mbi pagën me 13%

Qeveria shqiptare rriti në 30 korrik 2008 sigurimet Shoqërore që paguhen nga të punësuarit në sektorin privat me rreth 13%, ndërkohë që shtoi gamën e kategorive të të punësuarve që detyrohen të sigurohen, duke përfshirë për herë të parë edhe sigurimin mbi pagën minimale për të vetëpunësuarit në bujqësi. Paga minimale për efekt të Sigurimeve Shoqërore e Shëndetësore u rrit me 1690 lekë, gjë që solli rritjen e pagës maksimale me 8450 lekë. Që nga 1 Korriku i këtij viti, të punësuarit që marrin pagën minimale, pra përgjithësisht sektori i industrisë së lehtë, tekstilet e këpucët, ndërtimi e kategoritë e ulëta, do të detyrohen të paguajnë 556 lekë më shumë, ndërsa të punësuarit me paga të larta, të cilët janë të siguruar për pagën maksimale të taksueshme për efekt sigurimesh, do të duhet të paguajnë 2780 lekë më shumë çdo muaj.

Sektori në krizë

Vendimi duket se është kundërpërgjigjja e qeverisë përballë krizës së sistemit të Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore. Të dy institucionet janë përballur me shtimin e deficiteve, të cilat për këtë vit pritet të arrijnë së bashku në mbi 250 milionë euro. Sigurimet shoqërore vuajnë nga numri i pakët i kontribuuesve në krahasim me rritjen e shpejtë të numrit të përfituesve të pensioneve, ndërsa sigurimet shëndetësore, gjatë tre viteve të fundit janë karakterizuar nga dyfishimi i shpenzimeve, gjë që i detyrohet veçanërisht keqmenaxhimit të politikës së blerjes së barnave. Sigurimet shëndetësore po hasin vështirësi edhe për shkak të rritjes së numrit të rasteve të manipulimeve. Shumë të sëmurë, arrijnë të përfitojnë receta të rreme që konvertohen në para. Shtimi i disa barnave të shtrenjta në listën e ilaçeve të rimbursueshme, ka bërë më tërheqës qarkullimin e faturave për të sëmurë jorealë ose të sëmurë që nuk ekzistojnë. Si kundërpërgjigje, ISKSH ka shtuar hallkat e kontrollit të recetave, duke ia vështirësuar jetën pensionistëve, që shpesh duhet të bredhin në një numër shumë të madh zyrash për të arritur në marrjen e mallrave të rimbursueshme.

Skemë sigurimesh apo skemë taksash

Teorikisht, sigurimet shoqërore janë një lloj skeme kursimi, ku të punësuarit depozitojnë një pjesë të pagës së tyre për ta marrë kur të dalin në pension. Teorikisht, paratë e grumbulluara nga kontribuuesit, investohen dhe prodhojnë interesa. Në fund, skema duhet t’i japë kontribuuesve pension në raport me kontributet e derdhura. Kjo nuk ndodh në Shqipëri, sepse sasia e pensionit që shqiptarët marrin, ose u takon me ligj, është disa herë më e ulët sesa sasia e kontributeve që u kërkohet të paguajnë.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore, edhe për vitin 2008 do të mbetet në borxhe me qeverinë

Skema e pensioneve, që menaxhohet me ligj nga ana e ISSH, mundet që të realizojë vetëm 58% të të ardhurave, ndërsa pjesa tjetër financohet nga ana e buxhetit të shtetit. Banka Botërore në një raport të saj deklaron se shumë kontribuues, pas përmbushjes së kohës 35-vjeçare të kontributeve që parashikon ligji, pritet që të mbeten pa pension.

Skema e pensioneve vazhdon që të mos funksionojë, duke lënë një hendek të madh midis të ardhurave dhe shpenzimeve në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, që është edhe institucioni që e menaxhon këtë skemë. Rreth 42% e shpenzimeve që do të kryhen gjatë vitit 2008 nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, do të financohen nga buxheti i shtetit. Disa nga grupet e personave që do të financohen në mënyrë të drejtpërdrejtë nga ana e buxhetit të shtetit, janë të vetëpunësuarit në bujqësi, pra rreth 265,000 kontribuues. Në total numri i personave që nuk kontribuojnë vetë, por marrin kontribute të shtetit, llogaritet rreth 36 673 persona, me një vlerë prej 2,972 milionë lekë.

***

Kriza e Institutit të Sigurimeve Shoqërore ka qenë në qendër të kritikave edhe të Bankës Botërore, që ka kërkuar ndryshimin e saj. Raporti i bërë publik nga ana e Bankës Botërore thekson pamundësinë e funksionimit të skemës aktuale të pensioneve, në një kohë që vetëm 46% e të punësuarve kontribuojnë aktualisht për skemën aktuale. Si rrjedhojë shumë kontribuues, pas përmbushjes së kohës 35-vjeçare të kontributeve që parashikon ligji, pritet që të mbeten pa pension. Në bazë të llogaritjeve aktuale të kontribuuesve në skemën e pensione, specialistët e Bankës Botërore kanë parashikuar që në të ardhmen do të ketë 1/3 më pak meshkuj që do të përfitojnë pension, pas mbushjes së moshës prej 65-vjeç, ndërsa femrat do të jenë 20% më pak në numër, pas mbushjes së moshës 60-vjeç. Ky rezultati i paraqitur nga ana e Bankës Botërore, bazohet në përqindjen aktuale të kontribuuesve (46% e thamë më sipër) duke tërhequr vëmendjen e qeverisë që të rrisë pjesëmarrjen e të punësuarve në skemë, pasi vendi do të përballet gjatë viteve në vazhdim, me një rritje të shpejtë të varfërisë së kësaj kategorie të popullatës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›