E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sigurimi i automjeteve, kompanitë: Tjetër rritje çmimi

29/03/2012  Rritja e bërë në shkurt nuk mbulon dëmet që paguhen

Pavarësisht se Autoriteti i Konkurrencës ka nisur një hetim mbi rritjen e çmimit të sigurimit të detyrueshëm të automjeteve nga të gjitha kompanitë e sigurimeve, këta të fundit duket se nuk janë të kënaqur me çmimin e vendosur dhe paralajmërojnë një rritje të re. Byroja e sigurimeve në një analizë të tregut shqiptar bëri të ditur se Shqipëria është vendi me tregun më të ulët në rajon për sa i përket sigurimeve dhe paguan vetëm 18 euro për frymë. Pikërisht për këtë arsye, kreu i Byrosë së Sigurimve, Avni Ponari, tha dje se në të ardhmen tregu e ka të pamundur të paguajë dëmet, ndaj lind nevoja e rritjes së çmimit. "Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka 5 vjet që e ka keqinformuar Parlamentin, Komisionin e Ekonomisë duke i dhënë shifra që nuk janë reale në raportin prime-dëme duke pjesëtuar vlerat e primeve me vlerat e dëmeve, kur primet para liberalizimit të tregut kanë qenë shumë informale”, deklaroi Avni Ponari, kryetari i Byrosë së Sigurimeve. Që nga fillimi i muajit shkurt të gjitha agjencitë e sigurimit kanë rritur vlerën e siguracionit për automjetet. Aktualisht, konstatohet se çmimet për siguracionin vjetor të makinave thuajse janë dyfishuar, duke shkuar thuajse në nivelin që ishin para se tregu të liberalizohej. Kështu, nëse para liberalizmit, për një makinë me kapacitet motorik mbi 1600 cm3, çmimi varionte nga 6-7 mijë lekë, kjo vlerë është bërë tashmë 14. 5 mijë lekë. Sipas kompanive të sigurimit mësohet se kjo rritje erdhi pas tërheqjes së vëmendjes që iu bë kompanive nga ana e AMF-së, pasi ulja e çmimeve nuk garantonte pagesat e klientëve dhe nivelet e duhura të primit. Rezulton se 30 për qind e automjeteve që qarkullojnë janë të pasiguruara dhe është një vlerë prej 3.5 milionë euro dëme për t’u paguar, për shkak të automjeteve të pasiguruara.

Ndryshimi

Me liberalizmin e tregut, tarifat u përgjysmuan, ku nga 12 mijë lekë që ishte mesatarja më parë, ato arritën në një mesatare 6 mijë lekë. Kompanive në atë kohë iu la në dorë që t’i llogarisnin vetë kostot e tyre, duke përfshirë këtu kontratat e sigurimit që kishin dhe dëmet mesatare që u duhej të paguanin. Vlera që kompanitë do të mendonin se plotësonte koston e tyre, ishte edhe vlera me të cilën ato do të gjykonin të dilnin në treg.

Projekti

Sipas projektit të ri që po përgatit AMF dhe që pritet të zbatohet në fund të këtij viti, qytetarët nuk do të paguajnë më njëlloj për sigurimin e makinës së tyre, pasi kjo do të varet nga disa faktorë specifikë. Disa do të paguajnë më shumë e disa më pak, pasi bazë do të merret modeli i makinës që dispononi, qyteti ku jetoni, pra risku në trafik dhe sigurisht, edhe historiku individual, se sa shofer i mirë keni qenë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›