E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sigurt në Europë

Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Europian, Catherine Ashton, ka dhënë mesazhe inkurajuese për të ardhmen europiane të Kosovës, dy ditë pasi që Shteti i ri shënoi dyvjetorin e themelimit.

Ajo tha se e ardhmja e vendit është në Europë, pavarësisht se Deklaratën e Pavarësisë nuk e kanë njohur pesë shtete anëtare të Unionit.

“Kosova i përket Europës”, tha Catherine Ashton, të premten, në Prishtinën.

Në kuadër të turneut të saj të parë në Ballkan, Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Europian takoi Kryeministrin e Kosovës, drejtuesit e Misionit të EULEX’it dhe ICO’në. Para Kosovës, Shefja e Diplomacisë Europiane qëndroi edhe në Sarajevë dhe Beograd.

“Ky rajon ka rëndësi të madhe për mua dhe nuk është rastësi që unë kam ardhur këtu vetëm pak javë pasi kam marrë detyrën e re, për të theksuar se puna jonë e përbashkët ka rëndësi të madhe”, tha Ashton, pas takimit me Kryeministrin Thaçi.

Ajo iu ka përgjigjur interesimit të gazetarëve se si mund ta ketë Kosova të ardhmen në Europë, kur Spanja, Sllovakia, Qiproja, Rumania dhe Greqia - të gjitha anëtare të BE’së - refuzojnë ta njohin pavarësinë e Shtetit të ri.

“Bashkimi Europian është absolutisht njëqind për qind i bashkuar rreth asaj se e ardhmja e Kosovës është në BE. Kështu që për mua dhe punën time është shumë e lehtë për të punuar bashkërisht në Kosovë, për të përkrahur EULEX’in dhe për të sjellë përkrahje për zhvillim ekonomik dhe për të parë Kosovën pjesë të BE’së në të ardhmen”, është përgjigjur Ashton.

Kryediplomatja europiane tha se duhet të gjenden format e një bashkëpunimi pragmatik mes vendeve të Ballkanit, në mënyrë që rajoni të bëjë hapat e duhura në rrugën integruese.

“Ne jemi në dijeni se Kosova dëshiron të ecë përpara në procesin e liberalizimit të vizave. Një ekip do të arrijë në Prishtinë pas dy javësh për të bërë vlerësimin e punës që duhet të realizohet. Është shumë me rëndësi që së bashku të ndërtojmë zhvillim të atillë ekonomik që do t’u mundësonte qytetarëve në Kosovë të përfitojnë nga afrimi drejt Bashkimit Europian dhe se ne mund të ofrojmë përkrahje përmes shkëmbimit tregtar, përmes projekteve dhe rritjes ekonomike”, tha Ashton, duke folur për qëllimet e kosovarëve që të lëvizin lirshëm në BE, ashtu sikurse shumica e fqinjëve të tyre.

“Puna që jemi duke e bërë së bashku për të adresuar ato çështje, është shumë e rëndësishme për shkak se është e vërtetë se në një ambient stabil ju do të merrni investime për rritje ekonomike dhe për përkrahjen e vendit në të ardhmen”, shtoi ajo.

Ashton tha se edhe nga takimi që ka pasur me përfaqësuesit e BE’së në Prishtinë, ka krijuar përshtypjen se puna po ecën mirë, edhe pse, sipas saj, ka mjaft për t’u bërë.
Kryeministri Hashim Thaçi, ndërkaq, ka shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për implementimin e kritereve demokratike, të domosdoshme në procesin e paraanëtarësimit në Bashkimin Europian.

“Mund të themi se Kosova ka status europian, ka të ardhme europiane dhe ne do t’i kryejmë të gjitha përgjegjësitë tona, kushtet, por edhe do të krijojmë mundësi më të lehta që të ecim paralelisht me vendet dhe popujt e tjerë të rajonit për t’u integruar në strukturat e Bashkimit Europian”, tha ai.

Thaçi tha se Kosova së shpejti pret udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave dhe për marrëdhëniet tregtare. Kreu i ekzekutivit theksoi përkushtimin e Kosovës për marrëdhënie të mira me të gjitha vendet fqinje dhe, sipas tij, Kosova dëshiron të ketë bashkëpunim të mirë edhe me Serbinë për çështje konkrete dhe në interes të dy popujve.

Kryediplomatja europiane gjatë turneut të saj treditor në Ballkan inkurajoi përfaqësuesit Sarajevës, Beogradit dhe Kosovës që të kultivojnë dialogun dhe bashkëpunimin rajonal, si pjesë e politikave që e shpien Ballkanin kah Europa.

Letër e hapur për Ashtonin
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, zyrtares së lartë të BE’së i është drejtuar edhe një letër e hapur nga Këshilli Kundër Procesit Gjyqësor ndaj Albin Kurtit.
Përveç shqetësimeve që shprehen për shkallën, si thuhet, të ulët të përparimeve në fushën e sundimit të ligjit, ky Këshill shpreh shqetësime lidhur me rihapjen e procesit gjyqësor nga ana e EULEX’it ndaj Albin Kurtit dhe për mungesën e hetimit për vrasjen e dy demonstruesve nga Policia e Kombeve të Bashkuara, që pati ndodhur më 10 shkurt të vitit 2007. Përveç kësaj, shoqëria civile ka kërkuar nga Ashton që të shfrytëzojë autoritetin e saj që të sigurojë se EULEX’i ka kapacitete efikase dhe mbështetje politike për të përmbushur mandatin e tij në linjë me prioritetet e qytetarëve të Kosovës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›