Sillu të paktën njëherë si demokrat!
Mos ndoshta kërkojmë shumë nga Sali Berisha? Nuk do të duhet të ishte kështu? Përkundrazi, kjo gjë do të ishte organike dhe natyrale për një politikan me stof demokratik.
Nëse humbet zgjedhjet, të cilat humben dhe fitohen sa herë e meriton, në një sistem demokratik dhe perëndimor vlerash, gjëja e parë që do të duhet të bëjë një politikan i përgjegjshëm është njohja e rezultatit.
Është në dinjitetin personal, por edhe politik të partisë së tij, që shuplakën ta pranojë me dinjitet, pasi është shuplaka që ta jep sovrani.
Edhe pse është e rëndë, akoma më e rëndë është vazhdimi i sfidimit të verdiktit të atij që për një mijë e një arsye, konkludon se nuk e meriton të flasësh dhe veprosh në emër të shumicës, në mandatin e ardhshëm.
Para do ditësh, në një shkrim tjetër, ndër skenarët e mundshëm të rezultatit nga Berisha dhe Rama, edhe pse me spond e sugjeroja një pranim të rezultatit të humbjes eventuale të Berishës, sërish nuk kisha besim se ai do ta bënte atë.
Siç edhe po rezulton, kur edhe KQZ-ja e tij, dhe çdo projeksion serioz dhe profesional po dedukton se Berisha dhe partia e tij janë zgërdhirë elektoralisht, sërish kryetari legjendar i partisë së parë legjendare demokratike dhe antikomuniste të Shqipërisë, refuzon të bëjë të pritshmen; pranimin e humbjes dhe bërjen e telefonatës më të vështirë në jetën politike të një politikani udhëheqës, urimin e kundërshtarit politikë për fitoren.
Kjo është gjëja më normale në botën demokratike.
Thuajse kudo në botën demokratike dhe gjysmë-demokratike, rezultatet e zgjedhjeve bëhen publike me një shpejtësi të pranueshme në vartësi të madhësisë gjeografike dhe popullsisë së vendit, por edhe standardeve demokratike dhe civile të shoqërive të tyre.
Vetëm në Shqipëri rezulton që lodhen numëruesit dhe kanë vapë, ose reflektojnë vapën dhe djersitjen që ndjejnë drejtuesit e tyre politik nëpër selitë partiake.
Kjo ende na bën qesharak dhe na zbulon më shumë si shoqëri në familjen demokratike të shteteve, ku dukshëm ajo që i takon sovranit, që është votimi, përgjithësisht është pjesa më pak problematike e proceseve zgjedhore, ndërsa çka ndodh pas mbylljes së procesit të votimit, e deri në shpalljen e rezultatit, ku fusin duart e hundët politika, mbetet pjesa më e kritikueshme e raporteve dhe konstatimeve të vëzhguesve ndërkombëtar.
Shumëkush kishte shpresuar se kësaj here do të kishim një proces më të rrjedhshëm dhe shpallje më të shpejtë të rezultatit zgjedhor, ndërkohë që zhgënjimi mbetet ende, edhe kur KQZ-ja mezi dha përqindjen e pjesëmarrjes në votime, që jo aq çuditërisht ka shumë lidhje me rezultatin e projektuar të humbjes së mazhorancës.
Por, sërish po i kthehem xhentilesës së pranimit të humbjes, e cila është e pakthyeshme.
Çdo vonesë, jo vetëm pas përforcimit të trendit të humbjes, apo edhe mbarimit të afatit zyrtar të shpalljes së rezultatit, kur Berisha e di se ka humbur dhe thellë, mbetet një shans i humbur që kryeministri në ikje, të dëshmojë se mund të aplikojë më në fund, dhe për herë të fundit për të personalisht, një praktikë perëndimore të një kryeministri të mundur, atë të pranimit të humbjes dhe respektimit të votës së sovranit që foli.
Do jetë në nderin e tij dhe të partisë së tij, që quhet demokratike, nëse do të dalë dhe pranojë humbjen, dhe të urojë pasardhësin dhe të fillojë më pas kalimin normal dhe institucional të pushtetit në duart e fituesit.
Ky është shansi i fundit në karrierën e tij politike të gjatë që ta mbyllë me një nder ose të kujtohet për aq sa do kujtohet se e bëri një gjest perëndimor.
Sa më shpejt ta bëjë, aq më shumë ka shanse që edhe të mund të mbahet mënd për mirë për diçka të vogël, që në botë konsiderohet e mirëqenë.
Sa më vonë, aq më mirë do ndihen ata që i thonë tashmë kërmë politike dhe me votimin e së dielës i dhanë, siç njihet në hinduizëm karma-n, edhe Ramës dhe Berishës, pikërisht atë që meritonin.
