Simfonia e 5-të, Leo Mesi drejt legjendës
Ditën që madrilenët zgjidhnin 11-shen më të mirë të historisë së tyre 110-vjeçare, Leo Mesi barazonte një nga legjendat e këtij formacioni, Alfredo Di Stefanon (49 gola në Champions). Kush do ta ndalë Leo Mesin këtë sezon? Kristiano Ronaldo e ka të vështirë. Rekordi i portugezit dhe argjentinasit në sezonin e shkuar (53 gola secili në të gjitha kompeticionet), tashmë është arritur nga “Topi i Artë”. Në 49 ndeshje, “pleshti” ka shënuar po kaq herë. Shifrat janë të çmendura, aq sa guxojnë të trembin edhe kohën fizike në të cilat mund të arrihen, dhe duke lënë pas dyshimin nëse një njerëzor mund të arrijë ndonjëherë në të tilla nivele. 8 gola në 7 ditët e fundit (3 shënuar Kombëtares zvicerane dhe 5 “aspirinave” gjermane të Robin Dutit). Fenomenal? 24-vjeçari muajin e fundit ka shënuar 15 herë në 7 ndeshje. Në kampionat ka shkuar në kuotën e 28 golave, ndërsa në Champions 12, duke barazuar dhe rekordin e Rud Van Nistelroit. Por nëse sulmuesi holandez i shënonte gjatë gjithë turneut, Leo ka të paktën edhe dy ndeshje të tjera për ta thyer rekordin, nëse nuk do të ndodhë ndonjë surprizë dhe spanjollët t’i japin lamtumirën Europës përpara gjysmëfinaleve. Në fakt, braziliani Altafini do të shënonte 14 herë për Milanin gjatë sezonit 1962/63, por atëherë formati i sotëm i Champions-it quhej Kupa e Europës. Nëse Barcelona arrin në finalen e 19 majit, numri 10 ka për të luajtur edhe 19 ndeshje të tjera, plus ato me kombëtaren, dhe ka të gjitha shanset ta shfuqizojë matematikën e mësipërme. Tani objektivi i radhës është Sezar Rodrigez Alvarez, shënuesi më i mirë në historinë e Barcelonës.
Reagimet/ Edhe yjet i përulen Mesit
Pesë golat e Mesit në fitoren 7-1 të Barcelonës ndaj Leverkusenit kanë sjellë dhe reagimet e yjeve të futbollit botëror. Përmes faqes personale në rrjetin social “Twitter”, Uejn Runi e ka përkufizuar kështu argjentinasin: “Për mua Leo është futbollisti më i mirë në botë”. I të njëjtit mendim me sulmuesin e “djajve” është edhe mesfushori i Sitit, Najxhel De Jong. Holandezi shkruante: “Sapo përjetova spektaklin e Mesit.
E pabesueshme”. Ndërsa komentin më pikant e kishte rezervuar Radamel Falkao: “A ishte kjo një ndeshje Champions-i apo ‘play-station’-i për Mesin? I paprekshëm.