E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plani i FSHF: Kombëtarja luan në Durrës

Në garë edhe stadiumi i Shkodrës, por ka më pak shanse.

Kombëtarja shqiptare me shumë mundësi do t’i luajë në Durrës ndeshjet e ardhshme, të vlefshme për eliminatoret e Botërorit 2014. Projekti për prishjen e “Qemal Stafës” dhe ndër-timin e stadiumit të ri, kanë detyruar FSHF-në që të gjejë një zgjidhje provizore, por gjithsesi të kushtueshme.
Shqipëria nuk ka asnjë stadium që të përmbushë kriteret e duhura për një ndeshje ndërkombëtare të nivelit të lartë. Disa prej tyre në raste emergjente janë zhvilluar në Shkodër, por edhe ky impiant është shumë i amortizuar dhe për një rikonstruksion të pjesshëm të tijin, sa për t’u futur në kategorinë “i pranueshëm”, do të duheshin shpenzime të konsiderueshme. Burime pranë FSHF-së bënë të ditur se dy stadiumet ku mund të luajë Kombëtarja ndeshjet e saj edicionin e ardhshëm janë ai i Durrësit dhe ai i Shkodrës, me të parin shumë të favorizuar. Arsyeja është e thjeshtë: duhen më pak parà për rikonstruksionin e stadiumit të Teutës se sa të atij të Shkodrës. Megjithatë, Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së, pritet që vendimin ta marrë brenda muajit mars. Sipas kritereve të FIFA-s, një stadium për një ndeshje ndërkombëtare duhet të ketë një kapacitet prej jo më pak se 8 mijë vendesh të ulura. Impianti i Durrësit nuk e përmbush këtë kriter (ka afërisht 6 mijë vende të ulura) dhe për pasojë po mendohet që të pajisen me ndenjëse plastike edhe tribunat prapa portave. Ndërkaq, stadiumi i Shkodrës i përmbush këto kritere, por ka probleme të mëdha me pjesën tjetër të infrastrukturës, ku më kryesorja është tribuna VIP. “Ndeshjet e Kombëtares është mirë që t’i luajmë në Shqipëri, por duke qenë se ‘Qemal Stafa’ do prishet dhe do ndërtohet një impiant i ri, atëherë do të luajmë një stadium tjetër. Jemi në fazën e diskutimeve dhe të shqyrtimit të mundësive mes stadiumit të Teutës dhe të Shkodrës, por këtë do ta shohin me kujdes specialistët e FSHF-së dhe më pas vendimin do ta marrë Komiteti Ekzekutiv”, ka deklaruar Ardian Cani, administratori i “sh.a. Qemal Stafës”. Ndeshja e fundit e Kombëtares e luajtur në Durrës, është Shqipëri-Uzbekistan, 1-0, më 11 gusht 2010.

Sfida me Spanjën
Federata Spanjolle e Futbollit nuk ka kthyer ende një përgjigje zyrtare për të vulosur ndeshjen miqësore me Shqipërinë, e programuar për t’u luajtur në Zvicër. Kampionët e botës kanë rënë dakord parimisht me krerët e federatës sonë, por ende nuk kanë kthyer një përgjigje me shkresë. Kjo ka bërë që në FSHF të jenë disi të shqetësuar, pasi besonin se kishin arritur akordin me spanjollët dhe detajet ishin thjesht formalitet. Takimi, nëse do konfirmohet, do të luhet në Gjenevë të Zvicrës, para fillimit të Kampionatit Europian.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›