E Shtunë, 31 Tetor 2026

Simon Sebag Montefiore

SHKRUAN: Aida Tuci 28-03-2011 10:59

Shkrimtari, gazetari dhe historiani anglez Simon Sebag Montefiore ka mbërritur dje në Tiranë. Ai e njeh Shqipërinë “së largu” dhe historinë e saj së “afërmi”. “Kam lexuar për Skënderbeun, Enver Hoxhën, mbretin Zog, prandaj them se vendi juaj nuk është i panjohur për mua”- thotë Simon Sebag Montefiore në intervistën e tij të parë për një media shqiptare, e pikërisht për gazetën “Mapo”. Ai vjen në Tiranë për të promovuar të hënën, në orën 18.00, në ‘Sheraton’ 5 librat e tij: "Stalini i Ri", fitues i çmimit "Costa Biography Award", 2007; "Stalini: Në oborrin e Carit të kuq", "Sashenka", "Katerina e Madhe dhe Potemnkini" dhe "Jerusalemi, një jetëshkrim", që janë sjellë në shqip nga Shtëpia Botuese 55, e cila i ka bërë ftesën Montefiores për të qenë prezent në promovimin e librave të tij. Katër librat e parë lidhen me Rusinë. Historia e Katerinës së Madhe dhe princit Potemnkin është libri i tij i parë mbi historinë ruse, për të vazhduar më pas me tre të tjerët “Stalini: Në Oborrin e Carit të kuq”, “Stalini i ri” dhe “Sashenka”, që japin pamje reale të ish-diktatorit dhe dramën e komunizmit rus. Ai sapo ka mbërritur në Tiranë. I cilësuar si ndër biografët më dinjitozë të diktatorit rus, Simon Sebag Montefiore shprehet se do të donte shumë të shkruante edhe biografinë e Enver Hoxhës, pasi mendon se ai ka qenë një karakter magjepsës. “Megjithatë, kjo më duket e vështirë për mua... gjithsesi do të doja shumë të shkruaja parathënien e biografisë së Hoxhës, nëse ndonjë do ta shkruante atë”- thotë shkrimtari në intervistën e tij për “Mapo”-n.

Mirë se erdhët në Shqipëri, zoti Montefiore!

Faleminderit! Jam shumë i lumtur që jam në Shqipëri. Kam lexuar për vendin tuaj dhe kam dashur gjithmonë ta vizitoja, prandaj them se jam i kënaqur që jam këtu. Jam shumë krenar që 5 nga librat e mi janë përkthyer në shqip dhe shpresoj që të jenë lexuar nga shumë persona.

Keni hedhur në tregun shqiptar dy libra mbi figurën e ish- diktatorit sovjetik, çfarë sjellin ato më tepër nga biografitë e tjera mbi figurën e Stalinit?

Shpresoj që dy studimet e mia mbi figurën e Stalinit të përfaqësojnë një pamje reale të tij si njeri dhe si lider. Kam kërkuar shumë në arkivat personalë të Stalinit, për të shkruar mbi Stalinin, dhe besoj se pikërisht këtu qëndron ndryshimi: “Në Oborrin e carit të Kuq”, “Stalini i ri” bazohen në mënyrën sesi Stalini punonte, udhëhiqte dhe sesi erdhi në të vërtetë në pushtet, pra ka një këndvështrim të ndryshëm nga biografitë e tjera që janë shkruar mbi figurën e tij.

Ju jeni një njohës i mirë i komunizmit, po Shqipëria është një vend i njohur apo i panjohur për ju?

Unë kam lexuar për historinë e Shqipërisë. Kam lexuar për Skënderbeun, Enver Hoxhën, mbretin Zog, prandaj them se vendi juaj nuk është i panjohur për mua.

Me librat “Në Oborrin e carit të Kuq”, Stalini i ri” dhe “Sashenka” a e keni mbyllur rrëfimin tuaj mbi diktaturën ruse, e cila në thelb nuk ndryshon shumë nga filozofia që kanë të gjitha diktaturat, përfshi dhe atë të regjimit Hoxha në Shqipëri?

Nuk jam i sigurt... mundet që një ditë t’i rikthehem Stalinit. Tani po punoj mbi një novelë që do të jetë vazhdim i ‘Sashenkës’. Për sa i përket Enver Hoxhës, do të doja të shkruaja biografinë e tij, pasi ka qenë një karakter magjepsës, megjithatë është pak e vështirë që unë ta bëj një gjë të tillë. Por do të më pëlqente shumë që dikush tjetër të shkruante biografinë e Enver Hoxhës me të njëjtën mënyrë që unë shkruajta atë të Stalinit; që do të thotë, duke përdorur dokumente të sakta, kujtime dhe intervista, për të dhënë një vlerësim të plotë mbi figurën e tij. Megjithatë, do të dëshiroja shumë që të shkruaja parathënien e një libri të tillë.

Por, ardhja juaj në Shqipëri, a mund të jetë një nxitje për ta shkruar ju një libër për Enver Hoxhën?

Mendoj se përgjigjen e dhashë. Jam akoma duke marrë veten nga libri im i fundit për Jerusalemin. Të mos harrojmë se Jerusalemi ka qenë udhëhequr nga shqiptarë: Mehmet Ali dhe Ibrahim Pasha, të cilët gjithashtu qeverisën edhe Egjiptin për rreth një shekull.

Si priten librat tuaj në vendet post-komuniste?

Ato në fakt priten mjaft mirë në këto vende, madje edhe në Rusi. Tashmë librat e mi janë përkthyer në 40 gjuhë të ndryshme. Përditë më kontaktojnë përmes facebook-ut lexuesit, ku më japin përshtypjet e tyre dhe më tregojnë afeksion. Më pëlqen që të komunikoj me lexuesit e mi.

Çfarë kanë të veçantë Historia e Rusisë dhe Stalini? Pse nuk keni zgjedhur p.sh. të shkruani mbi Hitlerin, Çausheskun apo Musolinin?

Nuk e di pse Rusia më ka tërhequr vëmendjen. Ndoshta ishte pafundësia e saj... ndoshta romanca, tragjedia, e gjitha kjo në një nivel të tmerrshëm kolosal. Por në fillim nuk ishte Stalini. Libri im i parë ishte për Katerinën e Madhe dhe princin Potemnkin, që kanë qenë personazhe të mrekullueshëm. Një partneritet unik politik, një romancë që zbeh madje edhe romancën e Kleopatrës me Mark Antonin. Mbase ajo që më tërhoqi vjen edhe nga origjina hebreje e familjes së mamasë sime, e cila është nga Perandoria Ruse.

A i ndani diktatorët në të djathtë dhe të majtë, apo janë të gjithë njësoj për ju?

Çdo diktator ndryshon nga tjetri si dhe çdo vend ndryshon nga tjetri.

Nëse do të ndanit diktatorin nga njeriu që ka qenë brenda qenies, për Stalinin çfarë do të thoshit, apo do të kishte vetëm errësirë?

Sigurisht që ka pasur errësirë, por ka pasur edhe vlera gjithashtu.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›