Matura, diploma e re dokument i pafalsifikueshëm
Diploma e re me të cilën do të pajisen maturantët pas katër provimeve të Maturës, për herë të parë, do të jetë e një formati tjetër dhe mbi të gjitha e pajisur me elemente sigurie, që do ta bëjnë atë të pafalsifikueshme. Po ashtu, ndryshe nga herët e tjera, ajo do të shtypet në shtypshkronja të veçanta. Drejtori i Arsimit Parauniversitar në MASH, Fatmir Vejsiu, bën të ditura detajet: “Është një dokument që e lëshon jo më shkolla, por drejtori i Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Shtypet në shtypshkronja të letrave me vlerë, pra është një karton që në brendësi përmban logon e Ministrisë, është diçka që e vendos ministri me stafin e tij, për të ditur se cili është elementi i sigurisë në trupin e diplomës”. Ndërkohë, diploma e re do të përmbajë edhe një certifikatë të listës së notave, e cila vitin tjetër të Maturës pritet të ndryshojë. “Certifikata e notave ka elemente sigurie vetëm ID e nxënësit dhe përputhet me ID e nxënësit në diplomë. Pra, ID që merr nxënësi në provimet e Maturës Shtetërore dhe janë të pasqyruara notat e 4 ose 5 viteve. Ka një kosto shumë më të lartë se të një Dëftese Pjekurie”, - pohon Vejsiu. Përsa i përket falsifikimit të diplomave të Maturës, autoritetet e Arsimit thonë se është tepër e vështirë, pasi tashmë në këtë proces do të përfshihet edhe shtypshkronja që do të ketë një përgjegjësi të veçantë.