E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti, ODIHR: Hapja e kutive nga KQZ, bazë e paqartë ligjore

SHKRUAN: Dardan Malaj 21-05-2011 14:33

Misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR-it ka publikuar një raport të ndërmjetëm paszgjedhor që i korrespondon periudhës së numërimit të votave. Vëzhguesit thonë se pas përfundimit të numërimit të votave për kryebashkiakun e Tiranës më 14 maj, rezultatet paraprake dhe jo zyrtare treguan se zoti Rama kishte 10 vota më shumë se zoti Basha. Duke iu referuar çështjes së debatuar të hapjes së kutive dhe vlerësimit të fletëve të kontestuara nga KQZ, misioni vëzhgues thotë se baza ligjore e kësaj vendimmarrjeje mbetet e paqartë. Sipas vëzhguesve, Kodi Zgjedhor nuk parashikon ndonjë rregull për vlefshmërinë e fletëve të gjetura në një kuti tjetër nga ajo e përcaktuar, ashtu sikurse nuk parashikon ndonjë procedurë për rikonsiderimin e fletëve të gjetura në kutitë e tjera. Vëzhguesit thonë se nuk ka patur ndonjë instruksion nga KQZ përpara ditës së votimit në lidhje me këtë çështje, ashtu sikurse nuk është nxjerrë ndonjë manual, pavarësisht se kjo çështje është ndeshur në zgjedhjet e kaluara. “Grupet e numërimit ishin trajnuar që të konsideronin këto fletë si të pavlefshme dhe të tilla ishin cilësuar në Tiranë deri më 14 maj, kur përfundoi numërimi për kryebashkiakun e Tiranës”, thotë raporti.

Mjedisi politik

Në shumicën e vendit numërimi i votave në të 66 qendrat e numërimit përfundoi përgjithësisht me transparencë, ndonëse me ngadalësi. Në disa raste kandidatët humbës uruan fituesit. Megjithatë, procesi i numërimit u ndikua nga niveli i lartë i mosbesimit të partive politike ndaj njëra-tjetrës, gjë që çoi në mosmarrëveshje, vonesa dhe bllokime në disa qendra numërimi. Partitë politike ndërhynë shpesh në procesin e numërimit, duke drejtuar punën e anëtarëve të tyre në komisionet zgjedhore. Media informoi publikun në lidhje me procesin e numërimit, veçanërisht për garën e kryebashkiakut të Tiranës mes ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, nga Partia Demokratike dhe kryebashkiakut në detyrë Edi Rama, kreut të Partisë Socialiste. Në momentin që u bë e qartë se gara në Tiranë do të vendosej nga një diferencë e vogël, vëmendja e vendit u kthye nga 11 qendrat e numërimit të Tiranës. Numërimi në to u vonua për shkak të ndërprerjeve të paplanifikuara, mungesa e ekipeve të numërimit ose edhe arsye të tjera, shpesh politike. Vonesat shtuan tensionet në Tiranë, veçanërisht duke patur parasysh afërsinë e rezultateve paraprake. Pas përfundimit të numërimit në të 11 qendrat e Tiranës, më 14 maj, rezultatet paraprake jo-zyrtare, siç iu dorëzuan OSBE/ODIHR-it nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i jepnin zotit Rama 10 vota më shumë se zotit Basha. Zoti Rama shpalli fitoren pak pas kësaj, ndërsa zoti Basha tha se do të priste për rezultatet zyrtare. Zyrtarë të Partisë Demokratike, përfshirë kryeministrin Sali Berisha, i bënë thirrje KQZ-së të shqyrtonte si të vlefshme fletë-votimet për kryetar bashkie që u gjetën në kutitë ku hidhej fletë-votimi për organet e tjera të pushtetit lokal. Partia Socialiste kërkoi që KQZ-ja të jepte rezultatin e përcaktuar nga qendrat e numërimit të Tiranës. Deri në momentin e hartimit të raportit të OSBE/ODIHR-it, KQZ-ja nuk i kishte shpallur rezultatet zyrtare për Bashkinë e Tiranës. Më 18 maj KQZ-ja filloi të hapte kutitë e disa KZAZ-ve, ku ishin votat për këshilltarët bashkiakë për të numëruar votat për kryetar bashkie të hedhura aty gabimisht. Që nga ky moment tensionet u shtuan.

Administrata Zgjedhore

Sipas Kodit Zgjedhor, KZAZ-të duhet të nxjerrin rezultatin e numërimit në orën 17 të ditës pas zgjedhjeve. Ky afat është konsideruar si jo-realist nga të gjithë dhe asnjë qendër nuk e përfundoi numërimin brenda tij. Numërimi në të gjitha qendrat, me përjashtim të Tiranës, përfundoi më 13 maj. Numërimi i votave për kryebashkiakun e Tiranës përfundoi më 14 maj, numërimi për minibashkitë vazhdon në disa KZAZ. Procesi i numërimit u shty në disa vende, pjesërisht për faktin se disa anëtarë të grupeve të numërimit nuk ishin zgjedhur apo nuk ishin trajnuar në kohën e nisjes së numërimit. Misioni konstatoi se procesi i numërimit ishte ndërprerë disa herë për shkak të mosmarrëveshjeve mes anëtarëve të KZAZ-ve, grupeve të numërimit apo vëzhguesve të partive. Nuk kishte instruksione të nivelit kombëtar lidhur me ndërprerjet në mes të numërimit, duke ua lënë KZAZ-ve në dorë këtë vendimmarrje. Në disa raste specifike të vëna në vëmendjen tonë, KAZ adresoi këto shtyrje duke urdhëruar vazhdimin e procesit. Megjithatë, disa KZAZ vazhduan të punon me ngadalësi, veçanërisht në Tiranë. Gjatë procesit të numërimit, KQZ vazhdoi të zëvendësojë anëtarët e KZAZ-ve dhe grupeve të numërimit sipas kërkesave të partive. Kjo ishte kryesisht e konstatuar më së shumti në Tiranë, ku anëtarët e KQZ zëvendësuan të gjithë anëtarët e KZAZ-së Nr.54, disa anëtarë të asaj me Nr.49, kryetarin e KZAZ-së Nr.48 dhe një anëtar të KZAZ-së Nr.47. Kodi Zgjedhor nuk parashikon që partitë të shpjegojnë arsyet e këtyre zëvendësimeve. Vëzhguesit e kishin të mundur të ishin prezent në QNV pa pengesa. Gjatë numërimit të gjitha fletë-votimet paraqiteshin para kamerave dhe shiheshin në ekran. Megjithatë, ato jo gjithmonë mund të shiheshin për shkak të pozicionit si ishin vendosur në kamera. Po ashtu vëzhguesit nuk lejoheshin t’u afroheshin tavolinave të numërimit dhe ishte e vështirë për ta për të parë në se fletë-votimet viheshin në blloqet korresponduese të kandidatëve përkatës. Po ashtu shqyrtimi i fletë-votimeve të kontestuara nga ekipet numëruese apo nga anëtarët e KZAZ-ve nuk mund të shihej nga vëzhguesit. KQZ-ja i shpallte rezultatet në faqen e saj të internetit në kohën që të dhënat hidheshin në sistem. Por deri në kohën që është shkruar raporti i OSBE/ODIHR-it, KQZ-ja ende nuk e ka përfshirë në faqen e saj të internetit rezultatin nga kutia e fundit e numëruar në Tiranë për kryetar bashkie dhe në faqen e saj shihet zoti Basha në krye. Pas dorëzimit të rezultateve nga të 11 KZAZ-të e Tiranës, KQZ-ja ka 48 orë afat për të verifikuar dokumentet dhe shpallur rezultatet për Tiranën. Të gjitha tabelat ishin dorëzuar më 16 maj, megjithëse tabela e KZAZ numër 49 nuk ishte miratuar nga shumica e anëtarëve të saj, që i përkasin koalicionit qeveritar. Kryetari i kësaj qendre tha se kishte patur parregullsi në tabela. OSBE/ODIHR-it nuk i janë dhënë hollësi për to. Deri në këtë moment KQZ-ja nuk ka vendosur për tabelat e kësaj qendre. Ndërsa vazhdonte puna për numërimin e fletëvotimeve për këshillat bashkiakë, zyrtarët e Partisë Demokratike bënë thirrje që votat për kryetar bashkie të gjetura në këto kuti të numëroheshin si të vlefshme për garën për kryetar bashkie, duke argumentuar se vullneti i votuesve ishte shprehur qartë në to. Partia Socialiste kundërshtoi me forcë, duke thënë se votat e hedhura në kutitë e gabuara ishin konsideruar vazhdimisht të pavlefshme deri në atë moment. Kodi Zgjedhor nuk parashikon udhëzime për vlefshmërinë e votave të gjetura në kutinë e gabuar. Po ashtu Kodi nuk ofron as procedura sesi duhen trajtuar votat e gjetura në kuti të tjera. Nuk ka patur vendim të KQZ-së ose udhëzime mbi këtë çështje para ditës së zgjedhjes, po ashtu as manuali shpjegues i miratuar nga KQZ-ja për numërimin nuk jep këshilla për këtë rast, ndonëse vota në kuti të gabuar ka qenë një fenomen që ka ndodhur edhe në zgjedhjet e mëparshme lokale. Anëtarët e ekipeve numëruese duket se ishin trajnuar që t’i konsideronin këto vota si të pavlefshme dhe votat në kutitë e gabuara u konsideruan si të pavlefshme në Tiranë deri në fund të procesit të numërimit të votave për kryetar bashkie më 14 maj. Më 17 maj, 3 ditë pas përfundimit të numërimit të votave për kryetar bashkie në qendrën e fundit, kryetari i KQZ-së propozoi një projekt-vendim sipas të cilit votat e hedhura në kutitë e gabuara duhet të konsideroheshin të vlefshme dhe do të numëroheshin nga vetë KQZ-ja. Ky numërim do të bëhej vetëm për votat e gjetura në kutitë e gabuara që ishin kontestuar në nivel KZAZ-je. Sipas kryetarit të KQZ-së, projekt-vendimi u propozua pas kërkesës së paraqitur nga anëtarët e emëruar nga PD-ja dhe LSI-ja në 7 KZAZ të Tiranës dhe përfshinin 60 kuti. Anëtarët e opozitës në komisione e kundërshtuan këtë, duke thënë se KQZ-ja nuk kishte të drejtë të numëronte votat dhe mund të hapte kutitë vetëm pas një procesi apelimi. Më 18 maj, pas një votimi në parim 4 me 3, ndonëse asnjë vendim përfundimtar nuk u mor, KQZ-ja filloi të hapë 60 kutitë. Baza ligjore për hapjen e këtyre kutive është e paqartë për OSBE/ODIHR-in. Anëtarët e propozuar nga opozita në KQZ braktisën mbledhjen. Fletët e numëruara nga KQZ pas hapjes së 20 kutive në seancën e 18 majit gjetën 60 fletë për kryebashkiakun e Tiranës, 46 për zotin Basha dhe 14 për zotin Rama.

Kundërshtime dhe ankesat

Deri më 17 maj KQZ kishte pranuar 93 kundërshti për procesin në zona të ndryshme të vendit. Këtu përfshiheshin 40 kërkesa për shpalljen e pavlefshme të rezultateve në disa qendra numërimi. Në pjesën më të madhe kundërshtitë vinin për procedura të parregullta gjatë procesit të numërimit, në veçanti në lidhje me vlefshmërinë e fletëve dhe shpërndarjen e votave drejt partive. Disa ankesa vinin edhe në lidhje me parregullsi të evidentuara gjatë procesit të votimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›