Sina: Mos e quani finale, ne dimë si mundet Flamurtari në Vlorë
FLET KAPITENI
Fituam në Vlorë pak javë më parë, një ndeshje e vlefshme për kampionat. Sot do të jetë e vështirë, por shkojmë për të fituar dhe të hedhim një hap drejt finales
Përballja e sotme me kuqezinjtë, që është edhe gjysmëfinalja e parë e Kupës së Shqipërisë, vë edhe një herë përballë njëra-tjetrës dy nga skuadrat me tradita të mëdha të futbollit shqiptar, siç janë Tirana dhe Flamurtari. Kapiteni i bardhebluve, Elvis Sina, e parashikon një ndeshje shumë të vështirë me kuqezinjtë, por nuk e sheh si një finale. Sina, në një prononcim para ndeshjes me vlonjatet, e thotë hapur se Tirana shkon për të fituar.
Do jetë një ndeshje shumë e vështirë, gjysmëfinalja e parë me Flamurtarin, por jo një finale, pasi kemi në dispozicion edhe takimin e kthimit. Gjithsesi, them se do jetë një ndeshje e bukur, pasi si ne edhe vlonjatët jemi tejet të motivuar për ti shkuar deri në fund kupës. Vlonjatët nuk janë një skuadër me dy fytyra, por përballjen e sotme unë e shoh shumë të fortë.
Ne fituam në Vlorë, pak javë më parë, edhe pse ishte një ndeshje kampionati, kështu që dimë si mundet Flamurtari. Në kampionat, ndaj tyre, ne nuk bëmë takimin tonë më të bukur, kjo edhe për shkak se kishim një kundërshtar të fortë përballë. Por sduhet harruar se Flamurtari pati rastet e veta edhe mund të na kishte mundur. E parashikoj një ndeshje shumë të fortë, por jo të pamundur për tu kaluar me sukses nga ana jonë, – u shpreh kapiteni i bardhebluve, Elvis Sina.
Objektivat
Elvis Sina flet edhe për objektivat e të dyja skuadrave, madje ai thotë se si Tirana ashtu dhe Flamurtari kërkojnë ta bëjnë të vetën Kupën e Shqipërisë. Si ne ashtu edhe Flamurtari, që kur ka filluar kampionati kemi pasur qëllim që ti fitojmë të dy trofetë, kupën dhe titullin kampion.
Ne jemi në garë për të dyja aktualisht, kurse vlonjatët kanë dalë nga lufta për titullin dhe janë përqendruar totalisht te kupa. Ndodh te shumë skuadra që kanë dalë nga objektivi primar, të cilat bashkojnë forcat te një objektiv tjetër dhe në rastin konkret, teorikisht Flamurtari mund të ketë më shumë uri për fitore.
Trajneri Muça
Vlonjatët drejtohen nga një ish-futbollist i spikatur i Tiranës dhe i ekipit tonë kombëtar, Shkëlqim Muça, i cili ka drejtuar bardheblutë më parë, madje ka fituar edhe trofe të rëndësishëm. Sipas Sinës, tek Flamurtari, trajneri Muça ka krijuar një skuadër kompetitive. Flamurtari ka në krye një trajner që e njeh mirë futbollin dhe na njeh mirë edhe neve. Në Vlorë ai ka krijuar një skuadër që funksionin si një ansambël. Po të shohësh përbërjen e skuadrës së Flamurtarit, janë të gjithë lojtarë me kualitete dhe me eksperiencë, të cilët kanë fituar edhe trofe.
Kontigjenti
Në fund të fjalës së tij, Sina edhe një herë e vë gishtin mbi plagë dhe thotë se këtë sezon, si asnjëherë tjetër, organika ka qenë e paktë, por lojtarët të gjithë po japin maksimumin. Ne nuk kemi një organikë të pasur me futbollistë, pasi janë këta që luajnë si për kampionat dhe për kupë dhe po e prezantojnë denjësisht Tiranën në të dyja kompeticonet dhe kemi ardhur në këto pozicione.
Kemi pasur shumë dëmtime dhe pezullime, por unë mendoj se gjithkush është i vetëdijshëm dhe nuk ka kthim prapa, pasi çdo lojtar kërkon të japë maksimumin në të dy kompeticionet, – theksoi në fund të fjalës së tij kapiteni i 24 herë kampionëve, Elvis Sina.
3 Mungesa kanë bardheblutë për sfidën e sotme, Pishën, Dabullën dhe Ahmatajn që vazhdojnë të stërviten individualisht
2008-2009 ka qenë sezoni i fundit kur bardheblutë dhe kuqezinjtë janë përballur, por në finalen e Kupës në Niko Dovana vlonjatët fituan me rezultatin 2-1, duke e bërë të vetin trofeun
