E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sinani: Nexhmija e donte Kadarenë si djalin e vet, i dhuronte kolonjë për Helenën

Nuk e di nëse Bardhyl Londo ka shumë për të thënë për Lidhjen, por mund të them se ai është një nga protagonistët, një nga shkaktarët kryesorë të rrënimit, shkatërrimit, e korrupsionit në Lidhjen e Shkrimtarëve". Kjo është akuza publike që i bëhet shkrimtarit Bardhyl Londo, në një kohë që ai ka nisur të botojë kujtimet e tij nën titullin "Jeta që na dhanë".
Hysen Sinani është aktualisht kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, por ka qenë pranë saj, edhe para 1990-ës, në kohët kur Lidhja qe në kulmin e shkëlqimit të vet, e kur rreth saj mblidhej ajka e shoqërisë. Si i tillë, ka shumë për të thënë sa u takon kohëve të perënduara e plot shkëlqim. Ngjarjet e ndodhura në mesin e shkrimtarëve, akuzat e kritikat që morën para 1990-ës, janë kthyer shpesh ditëve tona në tema debati, ku shquhen fjalët disident e spiun.
Sinani rrëfen sot në një intervistë për "Gazeta Shqiptare" këndvështrimin e tij mbi kujtimet e Londos, pa lënë jashtë vëmendjes as kritikat për vetë atë dhe personazhet që ai përmend.
Z. Sinani, së fundmi shumë shkrimtarë janë ulur dhe kanë shkruar kujtimet e tyre. Një pjesë të rëndësishme e zënë në fakt kujtimet mbi Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe ngjarjet që e kanë rrethuar atë. Duke marrë shkas nga kujtimet e Bardhyl Londos, sipas jush sa e vërtetë është Lidhja që paraqitet në kujtime?
Bardhyl Londo sigurisht që do të ketë kujtime nga Lidhja e Shkrimtarëve, sepse pjesën më të madhe të jetës së tij dhe të kohës kur ai shkruante poezi dhe mbase koha kur ka qenë në nivelin më të lartë të krijimtarisë së tij artistike e ka kaluar në Lidhje. Kujtimet më të rëndësishme duhet t'i ketë atje. Më bën përshtypje dhe më vjen mirë që ai po shkruan në prozë, sepse nuk ka qenë shquar në këtë zhanër dhe as në publicistikë. Ai njihej vetëm si poet i mirë. Prozën e tij do ta shikoja me dyshim. Më të vërtetë këtë dyshim, këtë kureshtje nëse do të bënte një libër me kujtime interesante, e kuptova menjëherë sapo lexova episodin e parë që bënte fjalë për përshtypjet e një provinciali në Lidhjen e Shkrimtarëve. Një provincial që vinte nga një vend i vogël si Përmeti, më habiti fakti që atij i kishte rënë në sy stili i veshjes së femrave të Lidhjes; si lyheshin, si takoheshin me burrat e tyre dhe si pinin ndonjëherë ndonjë cigare. Për mendimin tim, ai paska qenë shumë më tepër provincial se sa mund të jetë një provincial që ka tashmë 30 vjet në kryeqytetin e metropolin e Shqipërisë.
Po çfarë ishte konkretisht Lidhja e Shkrimtarëve? Pse nuk funksionin sot?
Lidhja e Shkrimtarëve u krijua me vullnetin e lirë të shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë. Në fillim ajo u krijua si Lidhja e Shkrimtarëve, pastaj pas disa vitesh, ajo u bashkua me gjithë Shoqatën e Artistëve. Deri në vitin 1997 ka qenë një organizatë që financohej nga shteti, pas vitit 1997, ajo u kthye në një shoqatë jofitimprurëse e joqeveritare.
Sa i takon Londos, nuk e di nëse ka shumë për të thënë për Lidhjen, sepse ai është një nga protagonistët, një nga shkaktarët kryesorë të rrënimit, shkatërrimit, korrupsionit të Lidhjes së Shkrimtarëve. Atë kohë, kur kjo Lidhje bëri përpjekjet për t'u riorganizuar dhe për të marrë statusin e staturën e një shoqate moderne shkrimtarësh dhe artistësh, atëherë filluan sulmet ndaj saj. Një nga shkaktarët e këtij sulmi vandal që iu bë Lidhjes nga ana e qeverisë dhe levave të saj shkrimtarë apo artistë të tjerë pranë kësaj qeverie despotike, ka qenë edhe Bardhyl Londo. Nuk e di ç'kujtime të përziera e të krisura mund të jenë këto që ka shkruar.
Z. Londo, në librin e tij të fundit ka bërë edhe një lloj "mea culpa" që nuk e ka mbrojtur Ismail Kadarenë kur ai u sulmua për "Pallatin e ëndrrave"...
Kjo është një hipokrizi e madhe në raport me Kadarenë, sepse as nuk e ka dashur dhe as nuk e ka njohur, as nuk e ka kuptuar ndonjëherë ai. Ka qenë një nivel shumë më poshtë se Kadareja ai, që të mund ta vlerësonte ose ta donte atë. Nuk e di se ç'mund të jetë tani. Çfarë "mea culpa" mund të bëjë ai?! Londo duhet të bëjë "mea culpa" nëse ka spiunuar shokët e vet. Dyshime për këtë mund të ketë. Fakti që nuk hapen dosjet do të thotë shumë, sepse është kontigjenti i njerëzve si ky. Shumica e Lidhjes së Shkrimtarëve përbëhej nga individë si ky, nga njerëz të përzierë e të implikuar me spiunime, me Sigurimin e Shtetit. Ky vetë thotë në kujtime se kishte njohje me nja dy operativë dhe sikur i dinte mirë edhe mekanizmat, si për shembull cili operativ ishte më i vogël, e kush më i madh. Mua më habit kjo.
Pse arrini në këto përfundime?
Këta që vinin nga rrethet ishin kontingjent i parë i Sigurimit të Shtetit. Edhe aty Sigurimi i gjurmonte të parët, sepse e dinte, ishin të dobët si karakter dhe që me një presion të vogël ata bëheshin bashkëpunëtorë. Ndoshta ky do ta ketë vuajtur këtë punë. Unë nuk kam ndërmend të lexoj librin e tij, kam parë vetëm një fragment në një gazetë dhe më erdhi për të qeshur që një njeri që është shquar si prozator, bën një libër për të bërë zhurmë se ka qenë deputet i Partisë Demokratike dhe ka gjëra që lidhen me interesa të sotme. Një njeri që shkruan se si lyheshin gratë e Lidhjes, çfarë do më shumë? Lidhja ka pasur pak gra dhe kanë qenë gra të ndershme. Se ku i ka parë ai ato gra që lyheshin dhe rrinin me burrat, s'e di, është e habitshme. Them se do të jetë një libër i dështuar.
Si funksiononte Lidhja e Shkrimtarëve? Si bëheshin mbledhjet e kritikat?
Absolutisht nuk ka ndonjë mister në Lidhjen e Shkrimtarëve. Kushdo që përpiqet ta paraqesë atë si organizatë misterioze, me funksione të fshehta, e ka kot, nuk ka qenë ashtu. Kur botohej një libër, diskutoheshin në Lidhje. Më ka ndodhur që ka pasur vërejtje shtëpia botuese dhe i diskutonte të metat ideore në Lidhje. Vërejtjet ishin të hapura, sepse bëheshin në organet e shtypit, që më vjen të them se kanë qenë më të lira se sa sot. Këta që sot duan ta paraqesin sikur kushedi çfarë bëhej atëherë atje, tregojnë psikologjinë e vet të provincialit, që vjen nga një rreth i vogël ku paragjykimet e kontrolli janë më të mëdha. Mbërrin në kryeqytet ku gjithçka është çliruar dhe ai ruhet e sillet me psikologjinë e jabanxhiut, me kujdes se kush po ia hedh, e sheh intriga e thashetheme kudo. 

Ismailin nuk e kritikonte Lidhja. Atë më shumë e kritikonin organizatat e masave, pasi merrnin zell e eufori nga fjala e partisë... ". Hysen Sinani, në një intervistë për "Gazeta Shqiptare" duket krejt i bindur në rrëfimin e tij mbi pozicionin e shkrimtarit tonë të njohur Ismail Kadare, në zyrat e Lidhjes së Shkrimtarëve. Për të, ka qenë i parrezikuar, edhe pse si shumë të tjerë, ai qe një qytetar në një shtet me regjim diktatorial. Nuk e ka cilësuar kurrë si një mjeshtër shahu kundrejt Enver Hoxhës, e parë nga ky këndvështrim, thotë shprehimisht: "Mbani mend, shkrimtarët e nënshtruar, pra jo të lirë në shpirtin e tyre, përkushtohen ndaj figurave të diktatorëve si ndaj hyjnive...". Ndonëse sot, në kushtet e një lirie, që ne e ndjejmë krejt natyrshëm, e kemi të vështirë të kuptojmë mekanizmat e para 1990-ës sado të rrekemi, Sinani i ka krejt të qarta mendimet e veta. Njësoj, me të njëjtën siguri, flet edhe për Kristaq Ramën dhe debatin që kaplon emrin e tij, sidomos pas atij çasti, kur i biri i hyri seriozisht politikës. Për Hysen Sinanin, Rama (i vjetri) ka qenë burrë zotni! Gjithë zhurmën e tymin, ai e sheh të lidhur pazgjidhmërisht me politikën. Asgjë nuk përbën habi! Ka emra që ngrihen, siç ka edhe emra që bie.
Lidhja e Shkrimtarëve, njëherë e një kohë ishte një ndër organet më të rëndësishme në vendin tonë, vijon të shihet edhe sot nga këndej, gjithë kërshëri. Pavarësisht viteve që i dhanë emër, arkivat e saj sipas Hysen Sinanit (drejtues aktual) janë zhdukur pa gjurmë. Dhe, fajin për këtë ai ia hedh jo më shumë se vetë Bardhyl Londos. "Dosjet ishin zhdukur që kur ishte bërë kryetar Bardhyl Londo. Domethënë janë zhdukur blloqet ku shkruhej se çfarë ka thënë ai vetë e çfarë kanë thënë të tjerë emra nëpër mbledhje", shprehet Sinani. Në këto kushte, duket se kërshëria për ngjarjet brenda mureve të saj do vijojë gjatë...
Shpesh, kur flitet për Lidhjen e Shkrimtarëve, nuk mungojnë as kritikat që aty i bëheshin shkrimtarëve të mëdhenj. Kush e kritikonte Kadarenë dhe pse?
Ismailin nuk e kritikonte Lidhja, sepse më shumë e kritikonin organizatat e masave. Ata kishin eufori nga fjala e partisë që kërkonte që të bëheshin kritika, ose mund të kishte edhe keqdashës të autorit. Por, kritikat nuk i bënte Lidhja e Shkrimtarëve, dhe ajo nuk ka qenë shkaktare për sulmet ndaj Ismailit. Në Lidhjen e Shkrimtarëve ishte sjellë Dritëro Agolli si drejtues dhe Ismaili, që bënte jetën e partisë atje. Ishte kontingjent i partisë, i besuar i saj me profesion të lirë. Gjithsesi, çudi e madhe që Londo ka parë të kritikohej Ismaili e këtij që na i vikërka keq që nuk e ka mbrojtur. Ismaili nuk kishte nevojë ta mbronte Londo, se ishte i përkëdhelur aty. A e dini ju që ai ka qenë nënkryetar i Kuvendit Popullor? A e dini ju se me një gjysmë fjale të Ismailit janë bërë kritika të hatashme në Plenumin e Lidhjes? Kam qenë unë dëshmitar kur Ismail Kadareja i thotë si pa dashje Llazar Siliqit: 'Ua shikon ç'bën ky shkrimtar, e paraqet jetën e shqiptarëve të varfër'. Ishte fjala për një roman të Agim Gjakovës, ku gruaja në vend që të paguante dritat me ato para që kishte, shkon të blejë ushqime për fëmijët.
Por, Agim Gjakova nuk u përndoq për këtë çështje, apo jo?
Jo, por kjo vërejtje që bëri Ismaili gjoja pa dashje, me Llazar Siliqin, ish-sekretar i Lidhjes për Letërsinë, ju lakua nëpër plenume a thua se ai kishte përmbysur varfërinë e Shqipërisë, se e kishte paraqitur shumë të zezë Shqipërinë. Ismaili mund të fliste pa të keq, por fjalët e tij kishin pasoja të rënda për shkrimtarët e tjerë. Megjithatë, le të mos e paraqesim Ismailin si viktimë të socializmit, ai ka qenë krijesë, mburrje dhe idhull i komunizmit, i Partisë së Punës së Shqipërisë. Ata e krijuan, ata e rritën, ata e shkolluan, ata e bënë të njohur. Ata e botuan në Francë, me lekët e shtetit u botua.
Pavarësisht kësaj, nuk kanë munguar kritikat as për atë...
Jo, por nuk ishin kritika si për të tjerët. Atë e mbronte Nexhmija Hoxha. E kishte, si të kishte të ëmën aty, as e ëma nuk do ta kishte mbrojtur aq shumë. Ajo i jepte edhe kolonjë, kolonjë të mirë për Helenën. Ndaj them unë, që të gjitha këto që thotë Londo janë një hipokrizi e pamasë. Londo është servil dhe hipokrit.
Siç ju mund ta dini, vitin që shkoi Kadare e hodhi në gjyq Nexhmijen për çështjen e dorëshkrimit origjinal të romanit "Dimri i Madh". Pra, mbase gjërat nuk kanë qenë ashtu si dukeshin. Edhe Kadare, ka qenë një qytetar në një regjim komunist...
Unë nuk kisha informacion se si dorëshkrimi ka shkuar tek Nexhmija. Nuk e di nëse ia ka dhuruar apo jo. Që të jem i sinqertë, për mua një dorëshkrim, sido që të jetë: qoftë dhuruar, qoftë dhënë, qoftë marrë në një mënyrë apo në një tjetër, vazhdon të jetë pronë e autorit. Nuk ka dhurim dorëshkrimi. Dhurimi i një dorëshkrimi nuk është kurrë i patjetërsueshëm, ai e dhuron dhe e merr prapë nëse do, pra nuk ka dhurim të së drejtës së autorit.
Mund të jetë edhe kështu: ai mund t'ia ketë dhënë për të miratuar botimin e veprës, ose në mënyrë që të marrë sa më pak vërejtje nga censura, sepse duke qenë se vepra fliste për figurën e Enverit, ai justifikohej shumë mirë nëse dorëshkrimin e kishte Nexhmija.
Kadare është konsideruar si mjeshtër shahu përballë Enver Hoxhës. Si e shihni këtë cilësim?
Nuk e shoh si mjeshtër shahu. Të gjithë krijuesit shqiptarë ishin të përkushtuar që ta paraqisnin Hoxhën sa më mirë, o nga frika o nga adhurimi. Megjithatë, mbani mend: shkrimtarët e nënshtruar, pra jo të lirë në shpirtin e tyre, përkushtohen ndaj figurave të diktatorëve si ndaj hyjnive; si fetarët e besimtarët ndaj Zotit. Shkrimtarët e kishin Enver Hoxhën hyjni, sidomos kryesorët sepse i kishte krijuar ai vetë, nuk mund të kishte as shah, as lojtarë.
Cilët politikanë ishin më afër Lidhjes në atë kohë?
Me kulturën dhe me Lidhjen merrej Ramiz Alia. Pas tij ishte Anastas Kondo, që ishte shkrimtar vetë dhe qe dashamirës. Komiteti Qendror sillej mirë me Lidhjen në përgjithësi.
Po Ramiz Alia, si i ka pasur marrëdhëniet me shkrimtarët? Çfarë prirje kishte ndaj tyre?
Sillej mirë me shkrimtarët, ishte tolerant. Më kujtohet një herë, që shkova në një ekspozitë. Unë, krejt pa dashje, i shkel këmbën Ramiz Alisë. Ai thirri si duket, vërtet pa dashje, por e lëndova. Kur i kërkova ndjesë, nuk tha asgjë. Nuk ka problem, m'u drejtua. Pranë meje ishte Kristaq Rama, skulptori, që me të qeshur më tha: Shpëtove mirë se nuk qe Mehmet Shehu. Pra, dua të them se ka qenë i butë Ramizi.
Po Kristaq Rama, si ishte?
Ai ka qenë anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe e takoja shpesh. Ishte burrë shumë i mirë, zotni burrë e skulptor shumë i mirë.
E megjithatë, kritikat ndaj tij nuk kanë munguar sa i takon çështjes "Havzi Nela", sidomos pasi i biri u bë politikan...
Lidhja e Shkrimtarëve dhe e Artistëve, as nuk bënte kallëzime, as nuk bënte akuza për artistët e shkrimtarët. Qëllonte, që vinte ndonjë ekspertizë nga hetuesia dhe i kërkohej mendimi Lidhjes, ekspertëve të saj, për veprën e njërit apo tjetrit autor. Këta jepnin mendimin e tyre, por sido që të jetë, ky mendim nuk kishte shumë peshë në vendimin që do merrej për personin që hetohej. Pra, të thuash sot, që shkrimtarët dhe artistët kanë dënuar njëri-tjetrin është abuzim i llojit të keq politik. Edhe në rastin e Kristaq Ramës dhe gjithçka që thuhet sot për të, është njësoj siç thashë më lart: e ekzagjeruar. Është pra për mua, një abuzim i llojit të keq politik.
Sa kohë keni punuar para 1990-ës në Lidhje?
Rreth 10 vite. Nga 1974 deri në 1985.
Cilat kanë qenë ngjarjet kyçe në këto dhjetë vite?
Edhe pse kam ikur nga Lidhja, s'e kam shkëputur jetën nga ajo.
Njëherë u bë një mbledhje se kishin humbur ca lekë, e dyshohej se i kishte marrë një pastruese. Kadare tha diçka për të cilën iu kundërvunë të gjithë, ku kërkoi që të mos mbahej qëndrim për këtë çështje. Kjo qe në një kohë kur qe kritikuar në përgjithësi Ismaili, po ishin vërejtje pa rëndësi ato ndaj tij. Kanë qenë të tjerë që janë kritikuar, janë persekutuar e janë futur në burg. Edhe nëse i bëhej një vërejtje, ishte si lulja mos më prek.
A mbaheshin procesverbale?
Mbaheshin në mbledhjet e kryesisë. Kishte mbledhje të rregullta njëherë në muaj. Kur kam shkuar unë kryetari i Lidhjes, duhej të ishin 120 blloqe, por unë gjeta 12 të tillë. 1980-1992, vetëm blloqe të këtyre viteve kishte. Ishin zhdukur që kur ishte bërë kryetar Bardhyl Londo. Domethënë janë zhdukur blloqet ku shkruhej se çfarë ka thënë ai vetë e çfarë kanë thënë të tjerë emra nëpër mbledhje. Siç ju thashë, Lidhjes i është bërë një masakër dhe dora e fundit i është dhënë tani pas 2007-ës, kur iu morën librat e dokumentet dhe u dogjën.
Pse u dogjën?
Nuk e di. Këtë e dinë vandalët. I morën i magazinuan në Kinostudio dhe s'u mor më vesh ç'u bë me to. I morën me polici dhe me punëtorët e komunales. Kur Ministria e Kulturës mori godinën ku është sot, nxori me polici nga zyrat organizatën e Lidhjes së Shkrimtarëve. Është vandalizëm i hatashëm. Bardhyli nuk ka fytyrë të tregojë kujtimet që ka në Lidhje, sepse ai duhej të tregonte se sa i madh ka qenë kontributi i tij në shkatërrimin e Lidhjes. Ai ka qenë një ndër të parët që ka vënë firmën për ta falur ndërtesën e saj. Pse nuk flasin për këto punë? Ai ka privatizuar gazetën "Drita", ndërkohë që ishte vetë kryetar i Lidhjes. Privatizimi i gazetës nënkupton shumë para që merrte nga shtypshkronja "Demokracia", ky është korrupsion e llum, e pastaj ai ka fytyrë e del nëpër gazeta për Lidhjen. Le të thotë që nuk e di dhe e ka harruar. Nuk e di pse e bëri këtë Ylli Pango, s'e kam idenë.
Ju keni kërkuar zyrtarisht të dini ku janë dokumentet e Lidhjes?
Po kam kërkuar. Siç thashë, kur erdha unë në krye të saj, kishte vetëm 12 nga 62 blloqe. Pra, kishin mbetur shumë pak. Nëpër blloqe kishte fletë që mungonin nga procesverbalet, ishin hequr. Ne filluam t'i botonim ato që kishim dhe kjo i shqetësonte njerëzit. Më tej vendosëm të ngrinim padi për ish-kryetarët e Lidhjes që të tregonin se ku janë dokumentet e saj ndër vite, kush i kishte marrë. Kur u kuptua që ne e kishim seriozisht, u përdorën mjete të pushtetit për ta shkatërruar.
Kush ju ka thënë se janë djegur?
Duhet të jenë djegur kur i morën për t'i çuar në Kinostudio dhe duhet të jenë djegur edhe rregullisht.
Aktualisht, ju jeni kryetar i Lidhjes. Pse u soll në këtë gjendje që është sot?
Që nga viti 2006 jam kryetar i Lidhjes. Masakra që iu bë asaj, nuk iu bë as Partisë së Punës së Shqipërisë, se ajo nuk u sulmua.
Ju vetë keni pasur përplasje me Lidhjen para 1990-ës?
Po, e kam hedhur në gjyq. Isha anëtar e më akuzuan se unë doja të shpërdoroja gazetën "Drita" dhe se doja të botoja foto pornografike dhe materiale keqinformuese më 1985. Doli që nuk ishte e vërtetë, e fitova gjyqin. 
(e.m/gazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›